SPAK kërkon ekspertim të pajisjeve elektronike të ish-zv/ministrit

SPAK kërkon ekspertim të pajisjeve elektronike të ish-zv/ministrit

16:50, 20/08/2023
A+ Aa A-

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar akt ekspertim të kompjuterit, telefonit dhe i-Padit të sekuestruar në banesën e ish-zëvendës ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj gjatë arrestimit të tij në 17 Gusht. Ai akuzohet se ka shpërdoruar detyrën dhe ka falsifikuar dokumentet në procedurën e koncensionit për shërbimin e sterilizimit.

Një shërbim që u dha me koncension në Dhjetor të 2015 në bazë të një kontrate që kapte vlerën e 100 milionë Eurove dhe që SPAK, thotë se është dhënë në konflikt interesi nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjatë kontrollit në banesën e Rjepajt u gjetën dhjetra dokumente dhe disa USB, përmbajtja e të cilave po analizohet nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ndërkohë, hetuesit kanë shpresë se nga pajisjet elektronike mund të gjenerojnë të dhëna të tjera shtesë për këto hetime, të cilat vijojnë të jenë të hapura edhe për 6 ish-zyrtarë të tjerë përfshi edhe ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqajn dhe ish-ministrin e Financave Shkëlqim Cani.

SPAK argumenton duke u bazuar te të dhënat e sistemit TIMS, por edhe disa komunikimeve në emaile, se Rjepaj dhe ish-ministri Ilir Beqaj ishin në dijeni të fituesve të koncensionit para se ai të shpallej dhe kishin udhëtuar me ata persona.

Për këtë dosje, nën masë sigurimi arrest në burg është dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, si dhe me masa më të buta, 6 zyrtarë të tjerë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco