SYRI TV/ Presidenti miraton në heshtje ligjet për 'studentët e mjekësisë' dhe 'kanabisin'

SYRI TV/ Presidenti miraton në heshtje ligjet për 'studentët e mjekësisë' dhe 'kanabisin'

13:28, 15/08/2023
A+ Aa A-

Presidenti Bajram Begaj miratoi në heshtje ligjin që mban peng për vjet diplomat e studentëve të mjekësisë dhe ligjin për kanabisin mjekësor. Begaj nuk nxori dekrete për të kthyer ligjet për rishqyrtim, por zgjodhi t'i aprovojë në heshtje, pasi ligjet hyjën në fuqi, me përfundimin e afatit që ka presidenti për t'u shprehur.  

SYRI TV

Presidenti Bajram Begaj ka miratuar në heshtje, ligjin për kultivimin e kanabisit mjekësor dhe ligjin që i detyron studentët e mjekësisë të punojnë për 5 vjet në Shqipëri, pasi mbarojnë studeimet, me kusht që të marrin diplomat. Ndërsa afati 20-ditor për dekretimin e ligjeve, skadoi një ditë më parë, kreu i shtetit ka zgjedhur të flasë me heshtjen e tij, duke shfrytëzuar rrugën që i njeh Kushtetuta, sipas së cilës, ligjet cilësohen të miratuara edhe nga Presidenti, në rastet kur ai nuk publikon dekret.

Kjo ishte rruga që Bajram Begaj zgjodhi, nga njëra anë për të kënaqur qeverinë dhe nga ana tjeter, për t’iu larguar presionit të opinionit publik, që i kundërshtoi të dyja këto ligje.

Megjithëse i priti në një takim studentët e mjekësisë dhe i siguroi se do të shqyrtojë me seriozitet argumentet e paraqitura prej tyre, që kundërshtojnë ligjin, i cili mban peng për 5 vjet diplomat e tyre, Begaj zgjodhi të mos e kthente ligjin për rishyqrtim, duke e kaluar në heshtje. 

Ndërsa mbushi një vit në zyrën e kreut të shtetit, i vetmi ligj që presidenti Bajram Begaj ka kthyer për rishqyrtim në Kuved, ishte ai për dekoratat, me argumentin se cenoheshin kompetencat e Presidentit  të Republikës, ndërsa të gjitha ligjet e tjera të qeverisë 'Rama', Begaj i ka miratuar ose ka zgjedhur t'i kalojë në heshtje, siç ndodhi edhe më dy ligjet e miratuara në seancën e 21 korrikut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Arben Drenofci15/08/2023 15:43

Begaj, gjenerali i tredhur Teksa rrinte i ulur e këmbëbashkuar në kolltukun e vizitorëve të zyrës së Kryeministrit Rama mbrëmjen e 3 Qershorit 2022, Bajram Begaj e kishte kuptuar dhe vendosur tashmë që kishte ardhur momenti të dorëzonte armët. Ai do të dorëzonte, jo vetëm armët e inventarit personal për t’i kthyer në magazinat e ushtrisë që kishte drejtuar, shoqëruar me kostumin e hijshëm të gjeneralit, por mbi të gjitha çdo armë politike e institucionale që do të fitonte me zgjedhjen si President i Republikës. Mjeku-ushtarak i dorëzoi këto armë ende pa i marrë. Në këmbim të uljes në zyrën e shumëpërfolur, që Ilir Meta e kishte mbushur me zhurmë e rrëmujë për 5 vjet, gjeneralin e kishin tredhur, ende pa e vendosur fundshpinën në kolltukun më të rëndësishëm të shtetit. Për të kaluar nga kolltuku i vizitorëve të zyrës së shefit të qeverisë, ku duhet të rrish këmbë e duarbashkuar, deri në kolltukun e zyrës së Presidentit, mund të jetë një rrugë e gjatë dhe e pamundur apo një mundësi e mirë rrugëshkurtër. Këtë e kishin vendosur tashmë të tjerë. Begaj ndoshta nuk kishte mundësi të thoshte “jo”. Ai duhet ta niste e vazhdonte atë detyrë vetëm me “po”. Ndryshe nuk do të ishte shtetari numër 1 i Republikës. Këtë rëndësi ia jepte Kushtetuta e Protokolli, por ia kishin marrë “të plotfuqishmit”. Dhe që “të gjithëpushtetshmit” të kërkonin edhe pushtetin e vetëm që u kish mbetur pa kontroll, kjo ishte normale. Jonormale në këtë histori ishte vetëdorëzimi pa kushte i gjeneralit, i pafuqishëm dhe i pavullnetshëm për të bërë detyrën e Presidentit siç e shkruan Kushtetuta. Tashmë prej më shumë se një viti në Presidencë, Bajram Begaj vërtetoi se zgjodhi të ishte një noter i rregullt e i disiplinuar, edhe kur nuk ka mundësi të përdorë dorën e djathtë. Ndaj të habitesh pse Begaj nuk u shpreh për ligjin për Akademinë e Shkencave apo atë të studentëve të mjekësisë është luks jo i vogël. Jo vetëm se ligji i parë dhe i fundit i kthyer nga Presidenti në Kuvend në këto 13 muaj në detyrë ka qenë ai për dekoratat (ku Begaj zihej me Kuvendin e Kryeministrinë për 5 dekorata më shumë për qoka), por sepse askush në këtë vend nuk ka dëgjuar nga Kreu i Shtetit se çfarë mendon për gjëra shumë më të rëndësishme. Për shembull: A e di dikush se çfarë mendon Presidenti për Ballkanin e Hapur dhe rolin e Shqipërisë në këtë nisëm? A e di dikush, nëse Presidenti është i qartë që kjo nisëm vazhdon ende apo është mbyllur në sirtarë? A e di dikush se çfarë mendon Presidenti për emërimet e ambasadorëve, pjesa më e madhe e të cilëve po kthehen në atdhe si pas një lufte dhjetëvjeçare, të ngarkuar me probleme shëndetësore për shkak të moshës? A e di dikush se çfarë mendon Presidenti për gjendjen e ushtrisë, territoret e së cilës po ndihmojnë me sukses për uljen e çmimit të kanabisit? A e di dikush se çfarë mendon Presidenti për shërbimin sekret, ku janë ndërruar në një vit 3 drejtorë e drejtoresha, pothuajse si në Kadastrën e Vlorës? A e di dikush se çfarë mendon Presidenti për gjendjen e policisë, ku shtrydhja e qelbit nga SPAK dhe AMP po nxjerr habere e tmerre? Për shumë prej këtyre çështjeve, Kushtetuta i jep kompetenca direkte Presidentit (diplomaci dhe siguri kombëtare) dhe për shumë të tjera Begaj mund të informohet, po në bazë të Kushtetutës. Dhe nëse, Presidenti Begaj i di përgjigjet e këtyre pyetjeve, ai ka vendosur t’i mbajë ato për vete dhe të heshtë. Ndaj mos e zgjoni në heshtjen e tij me kërkesat për Akademinë dhe të drejtat e studentëve. Ai nuk do të flasë ndoshta as atëherë kur ta zgjojnë për të firmosur një copë letër, të mirëshkruar e mirëredaktuar, ku do të na bëjë dije se ka vendosur të kalojë më shumë kohë me familjen. Arben Drenofci

Shto koment

Denonco