Alibia foshnjarake e Veliajt karshi dyshimeve se inskenoi sulmin e kullës Rama-Berisha

Alibia foshnjarake e Veliajt karshi dyshimeve se inskenoi sulmin e kullës Rama-Berisha

00:38, 13/08/2023
A+ Aa A-

Lapsi.al

Në përgjigjen që Edi Rama i dha akuzave për një pazar mes tij dhe Berishës tek kulla 58-katëshe “Mali Tirana”, ai e trajtonte Lulzim Bashën me përçmim dhe tallje, kur e quante një “derdimen i sapozgjuar, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë, njësoj si në çastin kur u zhduk nën jorgan në hyrje të verës së shkuar”.

Me këtë nënvlerësim që i bënte Lulzim Bashës, dukej qartë se kryeministri e përjashtonte nga autorësia e një ndërmarrjeje të tillë propagandistike që u vu në zbatim këto ditë. Ose të paktën, Rama është i qartë në perceptimin e tij se Basha nuk vlen më shumë se një “derdimen” në këtë skemë.

https://www.facebook.com/100044570103558/posts/pfbid02h46UsPzTqCLzi9suFWqU8J4A86yCySB2G7A2Ca4kSg9WD86yqNgyoDq6prp6hktl/?mibextid=I6gGtw

I paqartë për origjinën e sulmit ndaj tij, Rama shprehej i çuditur se si ajo pjesë e mediave që kishin qenë gjithnjë pranë qeverisë, tani po i dilnin kundër. Në “çarçafin” e tij në Facebook, mes të tjerash, shkruajti “Projekti fitues nuk pati asnjë kontestim për t’u mbajtur shënim dhe u pasqyrua pëlqyeshëm jo vetëm (shumë çuditërisht) në mediat tona”.

Diferenca mes pëlqimit që shfaqën këto media për kullën në Tetor 2022 dhe sulmit të egër në Gusht 2023, ngjall dyshime se sulmi ishte i dirigjuar. Por nga kush?

Këtë të shtunë, kryeministrit i ka ardhur një shpjegim nga vartësi i tij Erjon Veliaj. Sipas kryebashkiakut të Tiranës sulmin Ramës ia orkestroi Lulzim Basha.

Këtë shpjegim, kryebashkiaku i Tiranës e dha në një intervistë për Report Tv, kur tha se:

“Ajo që në fakt ndodhi është që në korrik rikonfirmohet një segment i Partisë Demokratike në detyrë, që është PD e vulës dhe fillon sherrin e brendshëm me PD e Saliut, nëse mund ta quajmë kështu. Ky është sherr mes dy copave të PD-së” u shpreh Veliaj gjatë një interviste për Report Tv.

Pra, me këtë logjikë të Veliajt, mediat e qeverisë papritur kaluan nën komandën e kryetarit të PD-së së vulës, Lulzim Bashës. Medemek, Basha sapo u rikthye në krye të PD-së së vulës gjëja e parë që bëri kapi mediat që prej 10 vitesh mbështesin qeverinë dhe me to goditi Ramën.

Ky shpjegim që bën Veliaj është jo vetëm i trashë, por edhe fëminor e qesharak. Kush ka njohuri minimale për mënyrën se si funksionojnë mediat pranë qeverisë e ka të qartë kontrollin kapilar, deri në detaje që ushtrojnë zyrat e shtypit të kryeministrisë dhe të bashkisë së Tiranës për informacionin që publikohet. Shkrime apo kronika që synojnë krijimin e një perceptimi të caktuar shpërndahen nga zyrat e shtypit të gatshme dhe duhen publikuar pa asnë prekje nga gazetarët. Nuk është rastësi që tituj të njëjtë, gërmë për gërmë, publikohen rregullisht në televizione dhe portale.

Por ky shpjegim i trashë i Veliajt nuk ngjit edhe kur dihet tanimë pafuqia që ka Lulzim Basha për t’u imponuar në media. Jo vetëm për shkak të rezultateve katastrofike në zgjedhje, por edhe për shkak të diskretitimit periodik në politikë, ndikimi i tij është i papërfillshëm duke pasur parasysh zellin që shfaqën mediat e qeverisë për të denoncuar pazarin e supozuar tek kulla Rama-Berisha.

Versioni që jep Veliaj bëhet akoma më i pabesueshëm kur intervista e tij transmetohet nga një prej mediave që ishte pjesë e korit të akuzave kundër dyshes Rama-Berisha në raport me ndërtuesin Ilir Shtufi.

Report Tv, sipas asaj që tha Veliaj i ka kryer një shërbim Lulzim Bashës në dëm të Edi Ramës dhe të vetë Erjon Veliajt. E gjitha është një absurditet, kur dihet marrëdhënia e konsoliduar që ka Veliaj me pronarin e këtij grupi mediatik, Karlo Bolinon.

Me këtë alibi që kishte menduar për t’u justifikuar para shefit të tij, do të kishte qenë më mirë që Veliaj të mos fliste fare. Përndryshe, me Bashën nuk e lidh vetëm interesi për të njollosur etërit politikë, por edhe mungesa e sensit kritik ndaj vetes, për të mos u shfaqur si dy derdimenë në caste kritike si këto./ marrë nga Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco