Berisha: Të ngrihemi përsëri! Misioni ynë është i vështirë, por jo i pamundur

Berisha: Të ngrihemi përsëri! Misioni ynë është i vështirë, por jo i pamundur

11:24, 05/08/2023
A+ Aa A-

Fjala e kreut të opozitës gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike

Nga Sali Berisha

Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht ju këtu, të përshëndes të gjithë anëtaret dhe anëtarët e PD kudo që janë, të përulem me mirënjohje të thellë dhe nderim të madh para sakrificave, punës, mundit që ju dhe të gjithë ekipet tuaja elektorale, anëtarësia demokratike, mbështetësit tanë kanë bërë gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023.

Në mënyrë të veçantë të falënderoj demokratët dhe mbështetësit tanë në Kavajë, Pukë, Mirditë, Has, Memaliaj, Himarë për fitoren e çmuar, por edhe në Rrogozhinë e Dumre, pavarësisht se qeveria përmbysi rezultatin me votën e tyre në Komisionet Qendrore.

Të dashur miq, ne me këtë mbledhje hapim siparin e një etape të re në jetë e PD, dhe në fakt ne hymë në njërën nga periudhat më jetike, më të vështira të jemi realistë, por edhe më vendimtare për rolin e kësaj partie.

Po në këtë sallë muaj më parë së bashku kemi qenë plotësisht dakord se me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka, dhe se misioni ynë kryesor është rikthimi i votës së lirë për shqiptarët, por kemi qenë njëkohësisht dakord që ne të angazhoheshim me të gjithë potencialin tonë në fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore, 14 maj 2023.

U angazhuam publikisht se ne do mbrojmë votën në kuptimin që ne sigurisht, nuk do mbronim me armë votën, por do bënim gjithçka për të konstatuar, për të denoncuar çdo shkelje, çdo abuzim me votën e shqiptarëve.

Gjatë fushatës elektorale ju, shtabet elektorale, kryetarët e degëve, shtabet tuaja elektorale, kandidatët, kanë bërë një punë shumë të mirë, që krahas shpalosjes së programeve, ata kanë evidentuar me vërtetësi të gjitha problematikat e mëdha të farsës që kaloi. Pas kësaj, një komision i ngritur këtu në qendër me z.Bylykbashi, znj.Albana Vokshi, Gent Strazimiri, Ivi Kaso, Eno Bozdo, Francin, Ervin Minarollin, së bashku me ju kanë kryer një punë do t’u them këtu të pashoqe, të pashembullt në 32 vite. Dhe këtu kemi raportin, i cili shkon mbi 600 faqe, do publikohet në dy vëllime, i cili është nisur me pjesë dhe kapituj në qendrat e specializuara të zgjedhjeve të lira dhe do paraqitet, do shpërndahet kudo në botë si dëshmi se zgjedhjet e 14 majit ishin farsa më e shëmtuar elektorale në historinë e pluralizmit shqiptar.

Ato ishin zgjedhjet e para, në të cilat për herë të parë armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve për herë të parë në 32 vite, shpalli publikisht si kinezëri Kodin Zgjedhor, asgjësoi çdo mbrojtje dhe garanci ligjore që ky kod u garanton pjesëmarrësve në garën elektorale. Së bashku me Kodin Zgjedhor, Edi Rama shkelmoi të gjithë kriteret dhe parimet kushtetuese, ato të Kartës së Kopenhagenit, të Kodit të Venecias për zgjedhjet e lira, Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutës së vendit. Pasi zhduku publikisht çdo garanci ligjore për zgjedhje të drejta, Edi Rama vendosi pabarazinë më ekstreme midis subjekteve zgjedhore në farsën elektorale 14 maj 2023. Në këtë kuadër, ai si një armik i egër i PD, i mori asaj logon dhe vulën me vendim antiligjor dhe ia dha patericës së tij, Brava-Alibeaj.

Këto ishin zgjedhjet më të pabarabartat në historinë e vendit, sepse në këto zgjedhje PD, forca kryesore politike opozitare, ndonëse kandidoi me 61 kandidatë në mbarë vendin nuk kishte emrin të regjistruar në fletën e votimit dhe dokumentet zgjedhore.

Këto zgjedhje ishin më të pabarabartat në historinë e pluralizmit politik, pasi për herë parë Edi Rama në kundërshtim flagrant me ligjin refuzoi regjistrimin e emrit të kryetarit të saj si kryetar i zgjedhur i koalicionit opozitar. Këto zgjedhje partia kryesore e opozitës,

Këto zgjedhje ishin zgjedhjet më të pabarabartat në historinë e pluralizmit, sepse partia kryesore e opozitës që garoi me 61 kandidatë në mbarë vendin nuk pati asnjë anëtar në komisionet e votimit dhe numërimit të votave. 

Këto zgjedhje ishin zgjedhjet më të pabarabarta në historinë e pluralizmit, sepse PD me 61 kandidatët e saj në mbarë vendin pati zero financime nga buxheti i shtetit, përkundrejt 1.2 milionë euro që mori paterica e Edi Ramës, Brava-Alibasha me 12 kandidatë dhe disa milionë euro që mori PS me 61 kandidatë.

Por, para se të kaloj në aspekte të tjera të farsës zgjedhore, unë këtu para jush u them demokratëve dhe mbarë shqiptarëve, se mjafton kjo pabarazi ekstreme për të cilën fola më sipër, që çdo proces zgjedhor të shndërrohet në një farsë të mirëfilltë elektorale dhe rezultati i tij nuk duhet dhe nuk mund të pranohet kurrë.

Ua them këtë këtu, sepse unë dhe ju, ndeshemi rëndom me pyetjen: këta na i vjedhin, po ne çfarë bëjmë? Ua them këtu sepse rëndom, për fatin më të keq, janë jo të paktë ata, të cilët pranojnë fitoren kallp si fitore të vërtetë. Edhe njëherë u them, mjafton dhunimi i këtyre kritereve për të asgjësuar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Në këtë farsë, pabarazia ekstreme, që unë u ndala më sipër, është vetëm njëri aspekt.

Dy makineri gjigante funksionuan gjatë kësaj farse elektorale sa kurrë ndonjëherë për shkatërrimin e zgjedhjeve dhe blerjen e votës. Njëra ishte blerja e votës. kësaj here, siç jeni dëshmitarë, Edi Rama pasi e shpalli Kodin Zgjedhor si kinezëri, në kundërshtim flagrant përdori zarfin me 50 mijë lekë  me vendim qeverie për 683 mijë pensionistë. Dhe përveç kësaj, shpalli rritjen e rrogave për 187 mijë punonjës.

Pra, me vendim zyrtar, kreu i ekzekutivit preku haptas, publikisht 867 mijë votues. Me para. Nuk ishte vetëm kjo.

Në kontekst të blerjes publike të votës, u shtuan në ndihmën ekonomike me dhjetëra mijëra qytetarë. Vetëm në rrethin e Peshkopisë, Belinda Balluku mori dhe shpërndau për të blerë votat nga buxheti i shtetit 400 milionë lekë, në thonjëza për personat me aftësi ndryshe. Të marrë në të gjithë Shqipërinë, kjo faturë shkon në miliarda lekë.

Për të blerë votën publikisht, u përdorën mijëra leje ndërtimi, leje legalizimi dhe licenca. Të gjitha këto në shkelje flagrante të Kodit Elektoral dhe Kodit të Venecias. Për të blerë votën u shpenzuan qindra milionë euro në të katërta anët e Shqipërisë në asfalt elektoral, zhavorr elektoral, tubacione elektorale. Këto ishin aspektet publike të blerjes së votës, por paraja nën dorë u përdor sa asnjëherë më parë. Se cili është përdorimi i parave nën dorë është vështirë ta përllogarisësh, por  nisur nga partia e Tom Doshit, e cila u rrit me 200% nga viti 2021 deri në vitin 2023, paraja nën dorë ka pasur një efekt të tmerrshëm toksik mbi votën.

U veprua në dy mënyra. Njëra ishte blerja e së drejtës së votës. Merr paratë, mos dil të votosh. Mënyra e dytë, dil voto dhe më jep votën.

Vlera e votës, çmimi për votën arriti sipas qendrave ku duhej përmbysur rezultati edhe në 600 euro. Ne krahas kësaj, edhe në blerjen e votave, qeveria angazhoi me dhjetëra dhe qindra biznese, duke iu ngarkuar bizneseve në patronazh, qendra votimi. Sikundër, mobilizoi të gjitha klanet e drogës me favore dhe ato derdhën sasi të mëdha parash në këtë proces.

Tani, miqtë e mi, të gjithë ata të cilët mendojnë se Edi Rama fitoi zgjedhjet, për fat të keq mashtrojnë veten dhe përligjin një farsë të shëmtuar.

Dhe unë u shtroj atyre pyetjen para jush: cili ishte efekti mbi votën i 50-mijë lekëshit te 638 mijë pensionistë? Cili ishte efekti mbi votën i rritjes së rrogave në mes të fushatës te 187 mijë punonjës? Cili ishte efekti mbi votën te 13 mijë qytetarë që u regjistruan si pensionistë pa një kontribut në fondin e pensioneve? Cili ishte efekti mbi votën i miliarda lekëve të shpërndara për ndihmë ekonomike, për aftësira të kufizuara dhe qëllime të tjera? Cili ishte efekti mbi votën i mijëra e mijëra lejeve ndërtimi dhe legalizimeve?

E them këtë sepse ju, unë dhe të gjithë ne së bashku, takojmë çdo ditë edhe demokratë, që pa asnjë të keq, i fitoi thonë. Nuk fitoi, përkundrazi i grabiti dhe nuk ka mëkat më të madh, ua them unë ju, nuk ka gabim politik më të rëndë se sa të përligjësh një farsë zgjedhore, të dokumentuar si të tillë.

Ishte vetëm kjo? Jo, kjo është njëra shtyllë. Kjo është industria e blerjes së votës.

Por e dyta, është makineria gjigante e shtetit elektoral, që ishte më agresive se asnjëherë tjetër ndaj zgjedhësve shqiptarë.

Ata të cilët, do të thosha verbërisht i njohin fitoren Edi Ramës, u shtroj një pyetje: çfarë zgjedhjesh janë ato kur një gjigant përdor të gjithë potencialin e shtetit, në një kohë kur një parti politike në anën tjetër nuk ka një qindarkë financimi? Në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën, Edi Rama shndërroi shtetin në makineri gjigante elektorale.

Të gjitha mjetet që dispononte administrata u përdorën në fushatë elektorale. Në këtë fushatë PS ishte periferike, në epiqendër ishte administrata e cila përveç mjeteve që përdori, mjeteve shtetërore, e shndërruar në një polici politike ushtroi terror në mbarë Shqipërinë ndaj zgjedhësve shqiptarë. Bëri gjithçka që me autoritetin e shtetit t’u diktojë atyre vullnetin dhe votën, dhe kjo është e evidentuar në qindra e mijëra raste në të katërta anët e vendit.

Punonjës të administratës si patronazhistë, punonjës të administratës si aktivistë terrorizuan deri në kërcënim me jetë të votuesve, në mënyrë që t’i detyrojnë të votojnë për PS-në, apo kandidatin e tyre.

E vërteta është që bandat u përdorën si një faktor përcaktues në një mori qytetesh, për të diktuar rezultatin që donte Edi Rama. Edi Rama, në bashkëpunim me drejtësinë, me prokurorinë, me policinë, bëri gjithçka për mobilizimin e bandave. I nxori nga burgjet, i kërcënoi me mandatet e Interpolit që i kërkonte, bllokoi hetimet.

Operacioni ‘Metamorfoza’ është i regjistruar më 15 janar, por Pëllumb Gjoka nuk mund të prekej, sepse duhej të vendoste Velipojën nën pushtim. Bajri doli nga burgu, dhe të tjerët u mblodhën vetëm për të diktuar rezultatin në Shkodër. Pra, ata të cilët besojnë, apo mendojnë se Edi Rama fitoi zgjedhjet, në fakt një mënyrë ose në një tjetër pranojnë, legjitimojnë rolin e krimit të organizuar në votën e shqiptarëve dhe fatin e tyre. Makineria shtetërore e terrorizimit të qytetarëve u karakterizua nga shkelja e të gjitha rregullave në qendrat e votimit. Në organizimin e votimit kolektiv dhe familjar të kontrolluar në qindra dhe mijëra raste.

Të gjitha këto janë të dokumentuar në këtë raport me foto, me qendra votimi, etj.

Është e panevojshme të ndalem te anësimi i mediave dhe aspekte të tjera të shqyrtimit të ankesave, të cilat ishin absolutisht jashtë të gjitha standardeve, më keq se kurrë në historinë e këtij vendi.

Por, do të ndalem dhe njëherë në një moment.

Me datën 15 maj dhe javën në vazhdim, altoparlant֝ët e qeverisë në studiot televizive, u vërsulën me një ligësi ekstreme për të mbrojtur, për të bërë apologjinë e kësaj farse dhe akuzuar opozitën. Sepse ishin të paguar nga qeveria. Nga ana tjetër, vetë PD është e vërtetë që ka ardhur nga disfata në disfatë, por është e vërtetë se nuk bëri kurrë një analizë serioze të farsës zgjedhore dhe të procesit zgjedhor. Ajo çfarë unë do kërkoja nga ju, do të kërkoja që me çdo anëtar dhe simpatizant të PD-së, të diskutoni dhe të shqyrtoni në mënyrën më serioze zhvillimet e kësaj farse elektorale.

Jo, në mënyrë absolute për të justifikuar asnjë lloj mangësie, defekti tonë në procesin tonë, në fushatë elektorale, në organizime, etj. me radhë. Por ka një gjë.

Nëse si forcë politike kryesore nuk ndërgjegjësojmë çdo anëtar dhe mbështetës tonin, se kjo farsë, se këto dokumenta, se këto të vërteta faktojnë se Edi Rama nuk ka fituar kurrë zgjedhjet, përveç 2013-ës, se Edi Rama është një grabitqar i zgjedhjeve, se Edi Rama nuk njeh asnjë parim dhe se me të ne duhet të përballemi. Në këto kushte, ne arritëm të marrim 500 mijë vota. Ne tani duhet t’u dalim zot këtyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, që pavarësisht nga terrori, demokratët u keqtrajtuan kafshërisht, u organizuan atentate ndaj tyre, sulme brutale fizike në disa rrethe të vendit, një polici e cila me qëndrimin e saj indiferent dëshmonte armiqësi ndaj opozitës. Por ne kjo situatë, këto zhvillime duhet të na ndërgjegjësojnë se ky vend të ardhme me Edi Ramën nuk ka.

Nuk ka të ardhme pa zgjedhje të lira!

PD ka mision dhe në këtë mision së pari duhet të bëjë gjithçka për të qartësuar çdo qytetar, se kushti i të gjitha kushteve për ndryshimin e pushtetit është zgjedhja e lirë. Se pushteti nuk ndërrohet kurrë pa zgjedhje të lira në këto kushte. Ndaj dhe ne, me këtë pushtet, në kohën më të parë të mundshme, duhet të përballemi dhe ju garantoj që ky pushtet është një kalbësirë. Kanë filluar ministrat të zbrazin zyrat, të mbushin thasët me shkresa dhe dokumente për fshehur, për t’i djegur. Sepse notojnë mbi krime, sepse notojnë mbi vjedhje.

Këta rrinë se ne nuk jemi ngritur. Duhet ta kemi të qartë këtë. Por, njerëzit ngrihen atëherë kur të krijosh bindjen me të vërteta për të gjithë dimensionin e farsës elektorale. Nuk ka betejë më të rëndësishme  që mund të bëjë një forcë politike, se sa beteja për zgjedhjet e lira.

Ju ftoj që në çdo analizë të shqyrtojmë çdo dobësi dhe të metë të punës sonë organizative dhe problematikat e partisë, në mënyrë që ato t’i përsosim dhe t’i korrigjojmë.

Duke theksuar dhe cilësuar këtë si objektivin e parë dhe më kryesor të analizës sonë, ju ftoj ju dhe çdo anëtar të PD që në këtë analizë të shqyrtojë çdo dobësi, të metë të punës sonë organizative dhe problematika të partisë, në mënyrë që ato t’i përsosim, t’i korrigjojmë.

Ju ftoj gjithashtu të bëjmë gjithçka për një hapje sa më të plotë dhe cilësore të partisë.

Të tërheqim, të afrojmë në radhët tona, të zgjerojmë radhët tona me individët, me vajzat, djemtë, burrat dhe gratë, të cilët janë të shumtë, të cilët edhe në këto kushte, u faktuan mbi gjysmë milionë, sepse e them prapë përgjegjësia për ne është shumë e rëndë dhe e jashtëzakonshme. Nuk ka forcë tjetër politike që nuk mund t’i përgjigjet kësaj përgjegjësie. Dhe nëse PD nuk i përgjigjet kësaj përgjegjësie, ua them unë këtu, ajo të ardhme nuk meriton. Të jemi realistë! Se në të gjithë këto zhvillime, këto nuk erdhën për një ditë, jo, nuk kanë ardhur për një ditë, as edhe për një vit, këto kanë ardhur nga zgjedhjet në zgjedhje, gjithnjë në përkeqësim.

Por PD ka ulur kokën, për fatin më të keq. Nuk i fitoi Rama zgjedhjet e vitit 2021, ua them unë, në mënyrë absolute. Nuk i fitoi se ndau në mes të fushatës 130 milionë euro në Durrës, Tiranë, Krujë, Lezhë, Laç dhe Kavajë. Nuk është fitore ajo, është blerje. Nuk i fitoi, por ne nuk i dolëm zot, ne do t’i dalim zot. Ne tani i kemi, i kemi me bindje, duhet bërë një punë shumë, shumë e madhe.

Ideja se ky i vjedh, po ne ç’bëjmë, nuk i mbrojmë me armë ne, se ajo çon në luftë civile. Nuk jemi ne për luftë civile. Ne deklarojmë i mbrojmë, ja ku janë të mbrojtura, tani u dalim zot.

Mbrojtja e votës është një proces, e them njëherë dhe njëqind herë, dhe ky është një proces, të cilit ne duhet t’i dalim në krye.

Në analizën tonë ne kemi statutin për bazë, dhe ne i përmbahemi plotësisht statutit. Ndaj jeni të ftuar që në përputhje me statutin, por gjithnjë duke pasur parasysh se asnjë analizë e jona nuk mundet në asnjë mënyrë të errësojë faktin që kjo farsë elektorale nuk mund të njihet, nuk mund të pranohet. Jo, kjo nuk pranohet! Po të pranojmë këtë farsë ne, e ulim kokën, futemi nën tavolinë. Ne do ngrihemi! Do bëjmë atë që nuk e kemi bërë deri më sot.

Ky ka kapur çdo pushtet, çdo gjë. Kjo e vështirëson, por nuk e bën të pamundur misionin tonë. Ne do bëjmë gjithçka për një front opozitar, sa më të gjerë. Natyrisht me partitë politike opozitare të vërteta, me grupe, me organizata, me individë influentë. Por një front opozitar është i domosdoshëm, qoftë për përmbysjen e këtij regjimi me një lëvizje të fuqishme demokratike, qoftë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës të gjerë të frontit opozitar, ku opozita të rikthehet në pushtet.

Është gusht, fundi i kohës se fillon e ngjitet, por ne duhet të bëjmë gjithçka që të mos humbasim asnjë kohë. Duhet të bëjmë gjithçka sepse detyrat i kemi jo të lehta, por absolutisht të përballueshme. Të ngrihemi përsëri.

U bë gjithçka për të na përjashtuar nga procesi zgjedhor, se të gjitha ato masa kishin një qëllim: që ne të largoheshim, ne morëm vendimin më të drejtë, ne nuk largohemi. Tani, ne duhet të flasim me ta, duhet të përballemi me ta, ne kemi përballë një armik të egër, një antishqiptar, i cili nga mëngjesi deri në darkë bën gjithçka kundër lirisë së shqiptarëve, por në fakt edhe interesit shqiptar në Shqipëri dhe në rajon.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco