SYRI TV/ Raporti i KLSH ngriti në vitin 2022 alarmin për djegësin e Tiranës

13:17, 02/08/2023
A+ Aa A-

Në shtator të 2022, KLSH ngriti alarmin për mënyrën e pagesave për inceneratorin e Tiranës, sot në sekuestro nga SPAK. Audituesit evidentuan shkelje të renda nga ministritë përgjegjëse dhe Bashkia e Tiranës. Sipas KLSH, kostoja 29 euro për ton/mbetje, është e fryrë, pasi kompania koncensionare nuk realizon ende incenerimin e mbetjeve. Po ashtu u konstatua se edhe proceduarat tenderuese janë bërë në shkelje ligjore e në mungesë të transparencës

SYRI TV

Skema korruptive me inceneratorin e Tiranës, tashmë në sekuestro nga SPAK, përveç denoncimeve dhe akuzave nga opozita, është ngritur si shqetësim edhe nga auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në raportin e publikuar në shator të vitit 2022, KLSH ngriti alarmin për mënyrën e pagesave ndaj djegësit të kryeqytetit.

Në raport u konstatua se çmimi 29 euro për ton depozitim mbetjesh në landfillin e Tiranë nuk është real. Ai është i fryrë, pasi kompania koncensionare nuk realizon ende incenerimin e mbetjeve urbane.

Po ashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se “procedura konkurruese për dhënien e këtij projekti me koncesion nuk është kryer në përputhje me parimet e transparencës dhe përcaktimet ligjore”.

Audituesit shtetërore konstatuan se janë shkaktuar vonesa të konsiderueshme në afatin e fillimit dhe vijimit të punimeve të projektit, si pasojë e veprimeve dhe mos veprimeve si dhe shmangies nga detyrimet e përcaktuara në kontratë si nga autoriteti kontraktor, ashtu edhe nga koncensionari, kompania “Integrated Energy BV”, e krijuar nga Klodian Zoto.

Ndër të tjera KLSH vlerësoi se bashkitë e qarkut Tiranë, përveç asaj të drejtuar nga Erion Veliaj, nuk kanë dhënë dakordësi me shkrim për përballimin e kostove për landfillin dhe inceneratorin e Sharrës.

Kjo mungesë dakordësie provokon në të ardhmen kosto financiare për këto bashki, thuhej në raportin e KLSH-së.

Në vijim, KLSH konstaton se procedura e planifikimit të projektit të incineratorit të Tiranës ka mungesa dhe paqartësi, në lidhje me propozimin paraprak të ardhur në ministri nga shoqëria dhe konfirmimin e miratimit paraprak nga ana e Ministrisë së Financave. Audituesit shtetërorë deklaruan se procedura koncesionare për landfillin e Sharrës nuk është publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, duke cenuar parimin e transparencës dhe garës së ndershme.

Po në këtë pikë, KLSH ka zbuluar edhe një detaj shumë interesant, i cili tregon qartësisht se e gjithë procedura ishte përgatitur për kompaninë e Klodian Zotos.

Komisioni për dhënien me koncension të projektit shprehet se në prani të përfaqësuesve të kompanisë “Integrated Energy B.V”, është bërë mbyllja e pranimit të ofertave nëpërmjet sistemit elektronik të APP, nga ku ka rezultuar vetëm një operator pjesëmarrës.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, është e paqartë se nga i ka marrë koncensionari të dhënat për t’u paraqitur në momentin e duhur, kur nga auditimi rezultoi se në dokumentet e koncensionit nuk jepeshin të dhëna mbi vendin, datën dhe orën e hapjes së ofertave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco