Të gjitha faktet dhe personat e përfshirë/ SPAK vijon t’i trajtojë inceneratorët si “vjedhje e rëndomtë”

Të gjitha faktet dhe personat e përfshirë/ SPAK vijon t’i trajtojë inceneratorët si “vjedhje e rëndomtë”

21:04, 01/08/2023
A+ Aa A-

Nga Boldnews.al

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka goditur kullat e kështjellës korruptive të inceneratorëve.

Këtë të martë, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka vënë nën sekuestro kompaninë koncesionare “Integrated Energy bv”, e cila menaxhon landfillin e mbetjeve në Sharrë të Tiranës.

Më herët, janë vënë në sekuestro edhe kompanitë “Albtek Energy” dhe “Integrated Technology Ëaste Treatment”, të cilat fituan kontratat multi-miliona euro për landfillet e Elbasanit dhe Fierit.

Presioni publik, por sidomos sasia dhe cilësia e informacioneve që iu vunë në dispozicion SPAK-ut për “aferën e inceneratorëve”, ishin të tilla që nuk mund të mbylleshin sytë para tyre.

Inceneratorët i kanë kushtuar buxhetit të shtetit, 108 milionë euro deri më tani

Pra, SPAK-u veproi. Por, deri më tani, duket se e gjithë çështja e inceneratorëve po trajtohet si një “vjedhje e rëndomtë”, ku disa njerëz kanë vjedhur shtetin.

Në fakt, në rastin e inceneratorëve, duket se është vetë Shteti që ka vjedhur Shtetin. “Thembra e Akilit” është tek procedurat, tek mënyra se si 3 kontratat që pritet t’u kushtojnë shqiptarëve mbi gjysëm miliardë euro, u dorëzuan në duart e dy njerëzve-Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Hetim për “vjedhje të rëndomtë”

Të dhënat e publikuara nga vetë SPAK në këtë muajt e fundit krijojnë përshtypjen se prokurorët po e trajtojnë aferën e inceneratorëve si “vjedhje vulgare”.

I shohim me radhë.

– Në hetimin për inceneratorin e Elbasanit, është arrestuar ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe disa zyrtarë të vegjël, anëtarë të Komisionit të Koncesionit që dorëzoi kontratën 20 milioë euro tek “Albtek Energy” e Stela Gugalljas, bashkëjetuese e Mirel Mërtirit.

 

Image
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, në gjykatë

Në kuadër të këtij hetimi, u vendos nën sekuestro kompania koncesionare dhe aksionet e Lefter Kokës tek një kompani e tij, “Kantina Gjergj Kastrioti”.

Sipas atij hetimi, Koka kishte dhënë kontratën tek grupi “Zoto Mërtiri” dhe kishte marrë prej tyre, nëpërmjet disa kompanive fiktive, rreth 3 milionë euro.

Pra, i gjithë hetimi rrotullohet rreth këtyre shumave, duke e trajtuar si korrupsionin e një zyrtari dhe si “vjedhje të rëndomtë”.

– Në hetimin për inceneratorin e Fierit, u vendos nën sekuestro kompania koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment” e Klodian Zotos, si edhe banesa e babait të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako.

Sipas hetimeve të SPAK-ut, Bllako ka ndihmuar dyshen Zoto-Mërtiri për kontratën koncesionare dhe këta të fundit i kanë bërë dhuratë shuma monetare ish-zyrtarit të lartë, i cili mbante mandat deputeti socialist kur u arrestua.

Image
Alqi Bllako në gjykatë

Në kuadër të këtij hetimi, iu dyfishua masa e arrestit Lefter Kokës, si edhe u prangosën edhe disa zyrtarë të vegjël, anëtarë të Komisionit të Koncesionit.

Pra, edhe në këtë hetim, duket se rasti është trajtuar si “vjedhje e rëndomtë”, si përfitim financiar i një zyrtari nëpërmjet korrupsionit.

– Hetimi për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i konsideruar si një nga zyrtarët kyç në aferën e inceneratorëve, është model për nga mënyra se si është kryer verifikimi pasuror. Në atë rast, SPAK-u ka ndjekur me përpikmëri rregullin “ndiq paratë” dhe ngriti dyshime, mbi bazën e provave, se Ahmetaj ka përfituar financiarisht nga dyshja Zoto-Mërtiri, dy të njohur të hershëm të tij.

Edhe hetimi për Ahmetaj është fokusuar thuajse tërësisht tek bashkëveprimi financiar ndërmjet tij dhe “bosëve të plehrave”. Në kuadër të këtij hetimi u sekuestruan disa pasuri të Arben Ahmetaj.

Ish-zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, duke dalë nga SPAK

Pra, edhe në këtë rast, gjithçka është trajtuar si “vjedhje e rëndomtë”, si përfitime të një zyrtari të lartë, duke shfrytëzuar kompetencat e tij.

Pse është “korrupsion qeveritar”

“Afera e inceneratorëve” nuk është dhe nuk mund të jetë thjeshtë dhe vetëm një “vjedhje e rëndomtë”.

Ka shumë të dhëna dhe detaje, të cilat dëshmojnë se ajo është një “aferë e pastër qeveritare”, e cila përfshin të gjithë kupolën shtetërore. Dhe gjithçka lidhet me procedurat.

I marrim me radhë.

– Kontrata koncesionare për inceneratorin e Elbasanit është përmbyllur me një urgjencë të paparë. Janë 16 vendime në një ditë, para se Qeveria të miratonte financimin e kontratës.

Kontrata është nënshkruar nga Lefter Koka, në shkelje të ligjit. Për këtë kontratë anti-ligjore është marrë paraprakisht dakordësia në parim e Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknurit.

Kjo kontratë anti-ligjore është “miratuar paraprakisht” nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi, i cili ka përgjegjësinë për verifikimin e akteve që kalojnë në qeveri.

Kjo kontratë, me 16 firma brenda një dite, duhet të ketë pasur mbështetjen e një fuqie madhore, të cilën e zotëron vetëm kryeministri Edi Rama.

Image
Edi Rama dhe Engjëll Agaçi

Arben Ahmetaj, para se të arratisej, deklaroi tek “Opinioni” i Fevziut, se “ai nuk kishte fuqinë që të bindte 16 institucione të nënshkruanin brenda një dite”, duke lënë të kuptohet se këtë pushtet e ka vetëm Lideri.

Pra, afera e inceneratorit të Elbasanit nuk është thjesht përfitimi financiar i Lefter Kokës, por është një paligjshmëri që përfshin në mënyrë kapilare kupolën e Shtetit.

– Kontrata koncesionare për inceneratorin e Fierit përfshin në paligjshmëri të njëjtët persona në kupolën qeveritare. Listës i shtohet edhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, i cili ka paguar faturën e lartë të shpronësimit, megjithëse ishte në dijeni se ajo ishte 16 milionë lekë të reja më shumë se sa vlera reale.

Për këtë “lapsus” 16 milionë lekë është në burg Alqi Bllako, ndërsa Armando Subashi që ka ekzekutuar shumën vijon të shijojë mandatin e radhës në krye të Bashkisë së Fierit.

Image
Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi

Pra, edhe në këtë rast, afera e inceneratorit Fier nuk është thjeshtë përfitimit i pretenduar 16 milionë lekë i Alqi Bllakos. Por janë procedurat, të cilat dorëzuar kontratën 30 milionë euro tek dyshja Zoto-Mërtiri.

– Kontrata koncesionare e Tiranës sërish po trajtohet sërish si “vjedhje e rëndomtë”. Sipas SPAK-ut, Zoto e Mërtiri kanë përfituar rreth 4 milionë euro me fatura fiktive.

Historia e inceneratorit të Tiranës është “guri i kurorës” në aferën e Djegësave. Në këtë çështje është përfshirë thuajse e gjithë qeveria.

Jo vetëm kaq. Një rol thelbësor, të dorës së parë dhe shumë të rëndësishëm, ka kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Image
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në Sharrë

Ai ka nënshkruar, pa përfillur Këshillin Bashkiak, për të dhënë “dakordësinë në parim” për koncesionin e inceneratorit të Tiranës.

Kjo firmë “e pafajshme” e Veliajt, tërësisht anti-ligjore, i hapi rrugë kontratës me kosto koncesionare 128 milionë euro.

Pra, edhe në këtë rast, nuk është thjesht “vjedhje e rëndomtë” Zoto-Mërtiri, por çdo gjë lidhet me paligjshmërinë që përfshijnë qeverinë dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco