VIDEO/ Alfred Lela: I arrestuari Gjoka e të tjerët mblodhën vota me kërkesën e kryeministrit

20:14, 28/07/2023
A+ Aa A-

Gazetari dhe analisti Alfred Lela, duke komentuar arrestimet e ditëve të fundit, të Pëllumb Gjokës dhe personave të tjerë të botës së krimit, është shprehur se këta persona kanë mbledhur vota me bekimin e kryeministrit.

I ftuar në Edicionin e mbrëmjes ‘Ora 19’ në SYRI TV, përballë moderatorit Ervin Parruca, Lela u shpreh se pa u prerë kjo kërthizë e parave të krimit që shkojnë të zgjedhjet, duke mbajtur në pushtet një qeveri, kjo situatë nuk ka zgjidhje.

‘Ajo që duhet theksuar, është që vijmë tek e njëjta pikë të cilës nuk i del boja dhe që ka të bëjë me zgjedhjet. I arrestuari Gjoka dhe të tjerë me radhë, janë personazhe me duar deri tek shpatullat në brumatriçen e zgjedhjeve. Janë të tille me bekimin dhe kërkesën e kryeministrit, të ministrave të tij, drejtuesve të qarqeve, deputetëve etj.

Ky është alarmi i madh dhe kjo është ajo që duhet të kuptojmë dhe të nxjerrim. Pra është një alarm i madh, alarmi për zgjedhje që opozita tashmë prej kohësh i bie kësaj kambane, nuk është një sajesë, nuk është halli i atij që ka humbur zgjedhjet, por është halli i të gjithëve.

Ju e mbani mend zotin Berisha duke e denoncuar vazhdimisht, të arrestuarin Gjoka për përfshirje në zgjedhje në Shkodër e Velipojë, bashkë me Bajrat dhe ato që thoshte dhe i ka thënë Berisha prej kohësh, çuditërisht i kishin të zbardhura në enchrochatet e shërbimeve partnere dhe policive të vendeve të Europës.

Pra dua të them këto gjëra ekzistojnë dhe do të vazhdojnë të jenë, përsa kohë që nuk pritet kjo kërthiza e paprerë e parave të krimit që shkojnë tek investitura e zgjedhjeve që mbajnë një qeveri në pushtet dhe këtu merr fund llogaridhënia.

Publiku vihet para pafuqisë. Shikon se të fortët, politikanët, biznesmenët, policët janë të gjithë bashkë me duar në atë atë brumatriçen e prodhimit të ciklit të mbyllur të zgjedhjeve që janë votime, që bëhen, por fituesi dihet sepse del nga plumbi, nga vota e kërcënuar e vjedhur, e manipuluar, nga vrasjet e kështu me radhë’, tha Alfred Lela në SYRI TV.

INTERVISTA E PLOTE: 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco