Shehu: Koha që deputetët konfuzë në PD të zgjedhin - luftë opozitare apo paterica komike të Ramës?!

Shehu: Koha që deputetët konfuzë në PD të zgjedhin - luftë opozitare apo paterica komike të Ramës?!

09:55, 25/07/2023
A+ Aa A-

"Kemi një komplot të organizuar kundër Partisë Demokratike, kundër demokracisë shqiptare, kundër opozitës që tani ka degjeneruar në një lojë qesharake, në një lojë komike të papërgjegjshme."

"Hapja e sezonit të ardhshëm në shtator t’i gjejë deputetët e Grupit Parlamentar të PD të pozicionuar qartësisht dhe të vendosur për të bërë luftë opozitare ose për t’u kthyer në qenie komike si “paterica” të Ramës."

Intervistë në KAFE SHQETO me deputetin e PD, z. Tritan Shehu, lidhur me zhvillimet e fundit në PD, ndikimin që ka tek elektorati përçarja dhe përplasjet që po ndodhin brenda vetë fraksionit të "vulës".  

Ola: Z. Shehu, në kohën kur Gazmend Bardhi po bëhej gati për të mbledhur Këshillin Kombëtar për të anuluar zgjedhjet e 29 korrikut, Kryesia i merr vulën! Çfarë bën dhe çfarë nuk bën sens për ju?

Tritan Shehu: Kjo e gjitha është një komedi realisht. E gjitha është një lojë qesharake që po luhet midis njerëzve të papërgjegjshëm, që në vend që të impenjohen në luftën politike shqiptare, të angazhohen totalisht, ndodhin këto veprime dhe kjo histori nuk është se ka filluar sot.

Kjo histori ka filluar në formën e një komploti kundër Partisë Demokratike, me tjetërsimin e të gjitha simboleve të Partisë Demokratike, me falsifikimin në bërjen e fletëve të votimit për zgjedhjet e 14 majit, në mosnjohjen e vendimeve të Kuvendit të PD që filloi nga stadiumi, Arena e Shqipërisë dhe në shumë elementë të tjerë. Pra, kemi një komplot të organizuar kundër Partisë Demokratike, kundër demokracisë shqiptare, kundër opozitës që tani ka degjeneruar në një lojë qesharake, në një lojë komike të papërgjegjshme, që nuk bën gjë tjetër që krijon një imazh shumë negativ për ata vetë që e luajnë, por në tërësi ky tenton të krijojë një konfuzion për opozitën dhe vetë Partinë Demokratike të vërtetë që është forca kryesore opozitare e vendit.

Flavio: Çfarë mund të ndodhë deri në 19 korrik për të frenuar disi, për të argjinuar këtë neveri që as politike nuk është...

Tritan Shehu: Në tërësi, unë mendoj se opinioni publik shqiptar duhet ta hidhte me neveri në kosh të plehrave dhe as të mos merrej me këto tentativa. Kjo do të ndodhte në çdo vend demokratik.

Flavio: Po nëse nuk kemi logo dhe vulë edhe për zgjedhjet e ardhshme, do të duhet të merremi.

Tritan Shehu: Ky është tjetër problem pastaj, por në kushtet kur në Shqipëri ka një regjim i cili kërkon të përdorë pikërisht këto mekanizma, këto veprime qesharake për të dëmtuar opozitën, atëherë kërkohen edhe vendime; kërkohen vendime nga opozita e vërtetë, nga Grupi Parlamentar i PD që është solid në pjesën e tij duke bërë një luftë politike me këtë regjim, padyshim me Partinë Demokratike që ka për kryetar z. Berisha, që është impenjuar në të gjitha proceset e kundërshtimit në revanshin që po pëson vendi, pra, është diçka që imponon edhe marrjen e vendimeve, diskutimin dhe kërkimin e çdo zgjidhjeje solide që unë besoj se do të fillojnë të implementohen që nga muaji shtator, mbas mbarimit të këtij sezoni.

Por nga ana tjetër unë mendoj se kjo që po ndodh është edhe një sinjal që duhet të tërheqë fort vëmendjen dhe duhet të bëjë më koshient edhe kolegët e tjerë deputetë, që deri më sot akoma nuk kanë marrë pozicionet e qarta të tyre, janë ambigë, janë konfuzë, që ka ardhur momenti që ata të zgjedhin nga do të jenë: do të jenë në anën e një loje qesharake, do të jenë në anën e atyre që mendojnë se “vula është partia”, kur vula absolutisht nuk mund të jetë partia. Partia janë njerëzit, militantët, anëtarët, vlerat, idealet, kjo është Partia Demokratike dhe unë mendoj se kjo duhet të shërbejë si një sinjal i qartë që tashmë ka ardhur momenti që gjithkush të marrë pozicionin e tij dhe hapja e sezonit të ardhshëm në shtator t’i gjejë deputetët e Grupit Parlamentar të PD të pozicionuar qartësisht dhe të vendosur për të bërë luftë opozitare ose për t’u kthyer në qenie komike si “paterica” të Ramës.

Kjo është një zgjedhje që duhet ta bëjë gjithsekush tashmë. Unë mendoj se kjo që po ndodh po tregon qartësisht domosdoshmërinë e një zgjedhjeje dhe nga ata kolegë që sot janë një dilemë, janë të dyzuar dhe nuk kanë arritur akoma të kristalizojnë një pozicion të tyre. Por unë dua t’u them dhe atyre kolegëve me shumë dashamirësi që deputeti i vërtetë është ai që ndjek elektoralin e tij, deputeti i vërtetë është ai që shkon, dialogun, bisedon me elektoratin e tij dhe në fund e ndjek elektoralin e tij. Se ku është elektorati, kjo tashmë është e qartë, dihet se ku është, ndaj deputetët duhet të ndjekin elektoralin, ndryshe pastaj realisht humbin rolin real si deputetë dhe kthehen vetëm në deputetë formalë e asgjë më tepër, ashtu si këta, disa nga ata që duan ta kthejnë partinë në një vulë po që nuk mund të ndodhë diçka e tillë./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë në videon e Kafe Shqeto.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco