'Do ta çojmë në të s’ëmës', 'të duan në burg vëlla'/ Arben Ahmetaj denoncon mbledhjet e partisë

'Do ta çojmë në të s’ëmës', 'të duan në burg vëlla'/ Arben Ahmetaj denoncon mbledhjet e partisë

11:51, 14/07/2023
A+ Aa A-

“Politika dhe drejtësia e re kërkon statistika”.

Kështu e shpjegon ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj akuzën që iu ngrit për ta burgosur për korrupsion. Ahmetaj nuk u paraqit në Kuvend ku shokët e tij të partisë votuan për ta arrestuar. Në versionin e historisë që jep Arben Ahmetaj, fajin, sipas tij nuk e ka gjykata, as prokurorët e SPAK, por shokët e partisë që po e arrestojnë.

Dikush prej tyre edhe e kishte paralajmëruar se e pret burgu. Ia kanë thënë troç, “të duan në burg vëlla”. Dikush tjetër i ka thënë se në një mbledhje partie, për të është thënë që “do të shkojë në të s’ëmës” shumë kohë më parë. Të tjerët i janë shmangur nga frika, sepse Ahmetaj prej kohësh ishte shndërruar në target për t’u futur në burg.

“Dikush me tha “të duan në burg vëlla”. Kam marrë kërcënime (i kam me screenshot e me zë ndoshta), madje së fundi dhe një mesazh triumfi si mirëseardhje… Nëse do ta meritoj, sigurisht që do ndodhi… po jo përpara se e vërteta të marrë rrugë e dritë. Shpresoj të dalin sa më shumë shkresa e letra të miat, si ato që BIRN nxori dje, që qytetaret të kuptojnë (aq sa mundet) që puna “e fytyrës së ngrysur” ka qene në interes të publikut”, shkruan Ahmetaj.

Nga ajo që tregon ish-zv.kryeministri, klima në kupolën drejtuese të Partisë Socialiste ngjan me linçimet në diktaturë. Para se dikush të burgosej, në fillim ndjente veçimin nga shokët dhe miqtë që kishin frikë t’i qëndronin pranë. Kontrollet e policisë shkonte paralel me propagandën, siç tregon Ahmetaj se iu bë nga mediat kombëtare. “Përndjekje” e quan Ahmetaj sulmin që i bëri Top Channel.

E kam përjetuar diku me qetësi, diku me “buzëqeshje të brendshme”, diku me revoltë të brendshme, nxitimin triumfues të largimit një vit më parë, totalisht një sinjal për “të gjitha kafshët e pyllit”, kërcënimin me demek indirekt në një forum partie “se do ikja në të s’ëmës”, habinë dhe thyerjen kur mora vesh se kush nga “tanët” (së bashku me ata që më duan të vdekur, siç tha Fevziu në Opinion përpara disa muajsh), promovuan mercenarët të shërbenin kundër meje, “marrjen peng” të bashkëjeteueses time dhe ish-bashkëshortes time, e më pas kontrollet spektakolare të emetuara si të ishin kallëpe të dala nga goja, e banesave, ku lajmi shkonte më parë në media sesa procesverbali në zyrat e institucionit, të qenit një “black falling star” në një media kombëtare që e kam dashur dhe respektuar shumë (meqë ra fjala, dhe lufta në Kosovë dikur zgjati më pak në media se sa emri im servirur nga Spin Doktor/doctors si gjellë e helmuar e përditshme), pastaj disa “falanga” të dala nga kuadri i ligjit që nuhasnin gjurmët e mia. Në shume vende demokratike ku Spin doctor/doctors nuk do arrijnë të strukturojne mesazhin… kjo quhet “PËRNDJEKJE”. Ka një nen në Kodin Penal, ndoshta 121, ndoshta 128. Ahhh, harrova se si filloi, me frikën dhe stopimin e 90% të atyre që punoja në nivelet e larta në politikë apo ekzekutiv, e që dikur ndoshta i kam mbështetur e promovuar (me ato mundësi të miat), për të bërë atë që kishim bërë ndër vite, të ishim miq e shokë.  I kuptoj që “duhet” të kishin e kenë frikë, ndoshta.  Nuk i mirëkuptoj, po e di që ishte gjendur “armiku” që do dimensionohej e ridimensionohej më pas në shumë episode".

Duke refuzuar akuzat që i bëhen, Ahmetaj risjell edhe një herë citimin e avokatit të mbretit të Francës në shekullin e XVIII “dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”. Por Ahmetaj nuk pranon se ai është mbreti, koka e të cilit do të rrokullisej për të ligjëruar revolucionin që u bë me reformën në drejtësi.

“Unë jo e jo që s’kam gjak blu, por jam një njeri tejet i zakonshëm, me gjak nga Gjirokastra, Vlora, Korca, Rrogozhina, Kavaja, Lezha, Kukësi e Tropoja nëse doni. Dhe lutem e shpresoj që Drejtësia e Re që unë e kam mbështetur e votuar me të dyja duart, të mos deformohet nën presionin e politikës dhe statistikës”, ka shkruar Ahmetaj.

Në reagimin e tij për gjyqin që po i bëhet në Tiranë, Ahmetaj mohon çdo akuzë, ndërsa vë në dukje se nuk po dënohet për inceneratorët, por për atë që ka qenë në 25 vitet e fundit. Ahmetaj mohon se ka përfituar para të cilat i ka përdorur për të blerë vilat, ashtu siç thonë prokurorët e SPAK.

"Për ju qe i lexoni si kureshtarë (nëse i lexoni), hetimi im s’ka pasur fare të bëjë me inceneratorët, se unë për shkak të pozicioneve s’kam pasur tagër të përfshihem ne procedurat e tenderimit. Është hetuar Arbeni, jeta e tij për 25 vite, dhe jo procedura. Të thahet liqeni, mbase ngelet peshk në taban.  Standard që s’duhet t’i perkase drejtesise se re. Kushdo qe eshte rritur me mua ne femijeri, apo ka pasur lidhje miqesore apo dikur biznesi e tavolinash, është hetuar. Nexhmija po të ishte gjallë, do thoshte “mua s’më qenka bërë asgjë” nga “non grata” që është lëshuar si hienë bashke me të deformuarin e zeshëm, apo “miq” me thika blu e rozë," thotë Ahmetaj, sipas të cilit “letrat do dalin, e nëse dikush do të kërkojë t’i fshehë, do dalin gjithsesi”./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco