Parlamenti përballë SPAK për arrestimin e Ahmetajt, ish -Zv.kryeministri rrezikon 12 vjet burg

Parlamenti përballë SPAK për arrestimin e Ahmetajt, ish -Zv.kryeministri rrezikon 12 vjet burg

14:36, 12/07/2023
A+ Aa A-

Parlamenti shqiptar diskuton për autorizimin që i kërkon SPAK-u për të arrestuar deputetin socialist, ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, që gëzon imunitet parlamentar dhe figuron i larguar nga Shqipëria.

Nga Deutsche Welle

Parlamenti nisi mbrëmë me dyer të mbyllura diskutimet në Këshillin e Mandatave dhe Imuniteteve me praninë edhe të prokurorëve të SPAK-ut. Nuk ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me përmbajtjen e diskutimeve. I vetmi njoftim është largimi i ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj më 7 korrik 2023 nga Shqipëria, datë kur SPAK-u nxori vendimin për arrestimin tij.Ky përkim kohor lë hapësirë për të hamendësuar që ka ndodhur rrjedhje informacioni dhe Ahmetaj e ka ditur paraprakisht vendimin e SPAK-ut.

Largimi nga Shqipëria u bë i ditur nga avokatët e tij, të pranishëm në diskutimet e mbrëmshme dhe publik nga përfaqësuesit e opozitës në këtë këshill.

Bardhi: Përpjekje antikushtetuese për të ndihmuar Ahmetajn

Sipas kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, shtyrja e marrjes së vendimit për autorizimin e kërkuar nga SPAK-u përbën "një përpjekje antikushtetuese dhe të paligjshme për të ndihmuar ish-zëvendëskryeministrin t'i shpëtojë drejtësisë”.

Burime zyrtare thanë për DW që shtyrja e marrjes së vendimit u kushtëzua nga kërkesa e avokatëve të Ahmetajt për t'u njohur me dosjen e SPAK-ut, proces që nuk dihet se kur përfundon.

Para drejtësisë - 12 vjet heqje lirie

SPAK-u e akuzon ish-zëvendëskryeministrin Ahmetaj për kryerjen e katër veprave penale: mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë; korrupsion pasiv pëmes përfitimesh korruptive nga afera e inceneratorëve; pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Nëse ai do të përballet me drejtësinë dhe do të gjykohet si fajtor rrezikon një dënim prej 12 vitesh burg.

Dosje prej 400 fletësh

SPAK-u e bëri gati dosjen e tij prej 400 fletësh në fillim të këtij muaji. Javën e kaluar (07.07) prokurorët nxorën vendimin për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj, në të njëjtën datë që ai rezulton se është larguar nga Shqipëria pasi ka imunitet parlamentar si deputet i PS edhe pas vendimit të SPAK-ut për arrestimin e tij.

Në këto kushte ende nuk mund të dihet, nëse ai do të kthehet në Shqipëri për t'u përballur me drejtësinë apo do të shpallet në kërkim ndërkombëtar.

Nëse SPAK-u do të realizojë arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj ai do të jetë politikani i tretë i lartë në qeverisjet socialiste të kryeministrit Rama, pas ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, që drejtësia do t'i japë një dënim me heqje lirie. Në vitin 2021 ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, u dënua me dy vjet burgim për korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco