Arratisja e Ahmetajt/ Berisha: Ja pse Rama dhe qeveria po veprojnë si një organizatë e mirëfilltë kriminale

13:42, 12/07/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp ku komentoi arratisjen e Arben Ahmetajt. Berisha tha se qeveria e Edi Ramës ka vepruar dhe po vepron si një organizatë e mirëfilltë kriminale për mega-aferën e djegësave.

"Arratisja e Ahmetajt apo dërgimi i tij në azil nga Edi Rama shënon kulmin e degradimit të organizatës kriminale, por edhe të poshtërimit të shoqërisë shqiptare.

Investigimet e medieve dhe gazetarëve kanë provuar se në mega-aferën e djegësave, qeveria me në krye Edi Ramën, ka vepruar si një organizatë e mirëfilltë kriminale.

Kjo faktohet katërcipërisht nga:

-Qeveria ka vepruar si organizatë kriminale pasi anëtarët e saj me vetëdije të plotë, për t’i hapur rrugën mega-aferën të djegësave kanë shkelmuar strategjinë e trajtimit të mbetjeve, financuar me miliona euro nga BE.

-Qeveria ka vepruar si një organizatë kriminale sepse me vendime zyrtare në kundërshtim me ligjet e vendit dhe MAS me BE, kanë përjashtuar garën e hapur në prokurimn publik të dy prej djegësave dhe dhënien me koncesion të të tretit, në një aferë që arrin shifrat e 720 milionë eurove.

-Qeveria ka vepruar si organizatë kriminale sepse ka përzgjedhur në kundërshtim me ligjin për të tre objektet, Elbasan, Fier, Tiranë, të nëjjtën kompani pa asnjë eksperiencë në fushën e mbetjeve siç kërkon ligji.

-Edi Rama dhe Engjëll Agaçi si krerët e kësaj organizate kriminale, kanë firmosur me negociata të mbyllura kontratën me këtë kompani, pasi drejtori i Agjencisë së Prokurimeve Publike, ka kundërshtuar firmosjen e kontratës me negociata të mbyllura sepse nuk lejohet nga ligji.

-Edi Rama dhe Engjëll Agaçi, në kundërshtim me çdo ligj të vendit, kanë firmosur për dhënien e bonusit prej 8 pikësh për kompaninë që nuk ekzistonte askund.

-Krerët e kësaj organizate kriminale, dhe në veçanti Edi Rama dhe Arben Ahmetaj, në kundërshtim me ligjin morën paratë e fondit të emergjencës së Këshillit të Ministrave dhe i disbursuan për blerjen e inceneratorëve në Ministrinë e Mjedisit, e cila nuk dispononte asnjë qindarkë në buxhetin e saj për këtë blerje. Rikujtoj se këto fonde janë për zonat e prekura nga fatkeqësitë natyrore. Kështu që banorët e Shkodrës dhe zonave të tjerë nuk morën asnjë fond sepse ato i gllabëroi organizata kriminale.

-Për t’i thënë tenderin kompanisë Rama-Veliaj, ky i fundit në dhunim flagrant të ligjit, ka falsifikuar vendime të Këshillit Bashkiak dhe të Këshillit të Qarkut, duke firmosur vetë pa i mbledhur ato.

-Afera e djegësave është aferë e qeverisë, e cila prej 7 vitesh, Erion Veliaj dhe Edi Rama paguajnë 29 euro për ton, nga 11 euro në përputhje me kontratën. Në këtë mënyrë ata fusin 18 euro për ton në xhepat e tyre.

-Qeveria shqiptare është një organizatë kriminale pasi kanë firmosur një kontratë që bie në kundërshtim flagrant me Kodin Civil apo çdo ligj dhe interes të qytetarëve. Kontrata përfaqëson vetëm interesat e organizatës kriminale. Kjo kontratë është unike në botë, pasi në nenin e pamundësisë së heqjes dorë nga kontrata, ajo sanksionon: asnjë dispozitë nuk bën të mundur tërheqjen e palëve nga kontrata. Dështimi e secilës palë për përmbushjen e detyrimeve të kontratës nuk do interpretohet asnjëherë si tërheqje nga kontrata apo si heqje dorë nga të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga ajo.

-Qeveria e Edi Ramës është një organizatë kriminale sepse në kundërshtim me ligjin e koncesioneve kanë miratuar pa asnjë vendim zyrtar, për të fshehur gjurmët e vjedhjes së tyre, kalimin e sipërmarrjes së tyre, nga një dorë në një dorë tjetër, aq sa sot kreu i SKAP-it të partisë, deklaron se nuk e di cili është pronari i kësaj kompanie,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco