‘Ahmetaj’ me dyer të mbyllura/ Çfarë nuk do pushteti që të dëgjojmë

‘Ahmetaj’ me dyer të mbyllura/ Çfarë nuk do pushteti që të dëgjojmë

18:55, 11/07/2023
A+ Aa A-

Arben Ahmetaj pritej të akuzohej për aferën e inceneratorëve, por jo!

SPAK e akuzon për përfitime të paligjshme dhe të padeklaruara, dhe për këtë arsye ka konfiskuar dy vila dhe një apartament në rrugën M. Shyri në Tiranë.

Megjithëse shumat monetare dhe pasuritë në fjalë, janë të lidhura me titullarët e inceneratorëve të shpallur në kërkim, në kërkesën e SPAK nuk përmenden inceneratorët.

Ahmetaj akuzohet të jetë korruptuar, por pa dhënë asnjë shpjegim hetimor pas një viti hetimi, se çfarë u ka dhënë në këmbim korruptorëve të tij.

SPAK duket se i ka gjetur objektet dhe shumat e paligjshme, i ka sekuestruar, ashtu sikurse edhe llogaritë bankare të Ahmetajt dhe ish-bashkëshortes dhe bashkëjetueses së tij.

Gjithçka duket e zgjidhur, e provuar, e sekuestruar dhe përputhet më akuzat e ngritura zyrtarisht ndaj ish-zëvendëskryeministrit.

Pyetja që mbetet në këto rrethana është: Çfarë ka ende sekret në këtë çështje apo ende nën hetim e sipër, që kërkesa për heqjen e imunitetit ndaj Ahmetajt të bëhet me dyer të mbyllura?

Arben Ahmetaj ka qenë ministër Financash, ministër Ekonomie, ministër i Rindërtimit e më tej zëvendëskryeministër, e në asnjë prej këtyre detyrave nuk ka patur ‘informacion të klasifikuar’ apo që ‘përbën sekret shtetëror’.

Por edhe sikur të kishte qenë fjala vjen ministër i Mbrojtjes a i Brendshëm apo në çdo lloj detyre që ka të bëjë me çështjet e sigurisë, Ahmetaj nuk akuzohet për asnjë gjë konkrete që ka lidhje me detyrën që ka patur, përkundrazi, nuk akuzohet as për ‘shpërdorim detyre’...

I vetmi argument i besueshëm që shpjegon nevojën për një seancë ‘me dyer të mbyllura’ është frika nga mundësia që në mbrojtje të tij Arben Ahmetaj të përmendë emra të tjerë mbi të...

Emra të tillë nuk ka shumë, është veç një dhe nuk është e vështirë të imagjinohet, është: Edi Rama.

Në këto kushte, kërkesa për të zhvilluar një seancë me dyer të mbyllura është krejt e kuptueshme nëse do të vinte nga Partia Socialiste, qoftë dhe fare pa argumentim, pasi do të shërbente për të kufizuar dëmin politik apo edhe më gjerë që Ahmetaj mundej eventualisht t'i bënte pushtetit.

E ardhur zyrtarisht përmes SPAK, kjo kërkesë që nuk përligjet nga ‘sekreti hetimor’ e as nga ‘sekreti shtetëror’ nuk është asgjë tjetër veçse një koordinim me pushtetin, që dëmin ta kufizojë deri tek Arben Ahmetaj.

Për pushtetin ai është i sakrifikueshëm!

E vërteta nuk mund të shkojë asnjë milimetër më lartë se ai.

Atë të vërtetë që ne e dimë të gjithë, por që nuk duhet ta dëgjojmë publikisht.

Dyert mbyllen pikërisht se Ahmetaj mund të flasë dhe të thotë të vërtetën që SPAK ka refuzuar ta dëgjojë gjatë një viti hetim.

Ajo që ne nuk duhet të dëgjojmë, është emri i Edi Ramës, i dalë nga goja e Arben Ahmetajt, për çdo të pabërë që kanë bërë bashkë.

SPAK nuk po kërkon të vërtetën, por në koordinim me pushtetin e korruptuar po kërkon të mbyllë me urgjencë një dosje që përvëlon.

Ky është korrupsioni i vërtetë dhe më i rrezikshmi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco