'2 mln euro i jepen personit në kërkim, po SPAK mund të zbulojë ku ndahen e sa politikanë mund të jenë brenda'

18:42, 21/06/2023
A+ Aa A-

Z. Vjoldi Danaj, ekspert për politikat ekonomike në Itali dhe themelues i “Presso Excellence Solutions” në Breshia e konsideroi thjesht korrupsion, faktin që qytetarët e Tiranës paguajnë për grumbullimin, seleksionimin dhe djegien e plehrave, kur në të vërtetë djegia nuk ndodh. Pra, sot po abuzohen dhe po digjen 2 milionë euro dhe SPAK nuk po reagon, tha ai..

Z. Danaj e dha mendimin e vet në debatin e çelur sot nga gazetarja Sonila Meço në Task Force me temë: “Djegësat, vijojnë milionat nga Tirana dhe Durrësi”.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, - vërejti Danaj ndër të tjera, - çfarë tha?! Po paguhet për një shërbim që nuk po merret. Qytetarët e Tiranës po paguajnë për grumbullimin, seleksionimin dhe djegien e plehrave, kur në të vërtetë djegia nuk ndodh, sepse nuk ekziston diçka dhe që në këtë moment është totalisht shkelje dhe abuzim me paratë e qytetarëve. Ky është korrupsion. Sepse kur ti ia merr qytetarit (se këto janë nga buxheti i bashkisë dhe nga xhepat e qytetarëve të këtij vendi), kur ti ia merr këto lekë këtij qytetari dhe nuk i jep shërbim, atëherë, absolutisht, në mënyrë të menjëhershme SPAK duhej të reagonte, se ka tri vjet që është bërë denoncimi dhe tri vjet që vazhdohen pagesat (ndërpriten vetëm thjesht kur është procesi zgjedhor, pra fushata elektorale).

Ndërkohë ne kemi sot dhe fat i mirë që kemi një pluralizëm në Këshillin Bashkiak ku në mënyrë të menjëhershme, përveç asaj është apo nuk është i ligjshëm, juve keni legjitimitetin që të ndikoni, që të kërkoni llogaridhënie, jo vetëm kryetarit, se kryetari nuk ka dhënë llogaridhënie deri më sot, po ju duhet të shkoni në institucionet ligjore që ta japin këtë.

Ne kemi një SPAK që të gjithë mezi e pritëm sepse do të bënte namin, do të kapte korrupsionin, kur në të vërtetë vazhdon akoma dhe ne po paguajmë për këtë.

Pra, ne po abuzojmë dhe po djegim 2 milionë euro, kur 2 milionë euro mund të shpërndaheshin shumë mirë tek familjet në nevojë, 2 milionë euro mund të përdoreshin shumë mirë si një fond plus për të ardhurat siç i ka Italia, pra, minimum jetik.

Ne po flasim sot për një minimum jetik dhe nga ana tjetër nuk i japim minimumin jetik qytetarëve, kur shteti ka përfitime edhe nga minimum jetik, se... konsumi, tvsh-ja, të gjitha, por çfarë bëjmë?! Ia japim një personi që është në kërkim, ku në të vërtetë shërbimi nuk ekziston dhe po të hyjë ndoshta SPAK, do të shikojë se këto para ndoshta nuk shkojnë vërtet tek ky personi që është në kërkim; ato kushedi në sa persona ndahen dhe kushedi dhe sa politikanë mund të jenë brenda kësaj,” nënvizoi më tej Vjoldi Danaj./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco