Zbardhet dosja e SPAK për muxhahedinët: Shqipëria e kërcënuar nga Irani zyrtar

18:13, 21/06/2023
A+ Aa A-

Bastisja e Policisë në kampin e Muxhahedinëve është e bazuar në informacionet e publikuara nga hakerat iranianë që sulmuan sistemet shqiptare por edhe në informacionet e regjimit Iranian.

Syri Tv ka siguruar dosjen e plotë, ku shkak për hetimet dhe bastisjen kanë qenë pretendimet e regjimit Iranian, se Muxhahedinët nga Manza po kryejnë sulme kibernetike ndaj vendeve të tjera. 

Syri Tv

Ndërhyrja e autoriteteve shqiptare në Kampin e muxhahedinëve në Manëz të Durrësit, ka ardhur në kuadër të një kërcënimi serioz ndaj Shqipërisë nga Irani zyrtar, pretendon Prokuroria e Posaçme në dosjen hetimore që Syri Tv disponon. Autoritetet shqiptare sipas SPAK kanë marrë shpesh kërcënime nga Teherani zyrtar, për shkak se pretendonin që anëtarët e MEK, po sulmonin faqet zyrtare të qeverisë iraniane.  Prokuroria e Posaçme pretendon se sulmet e vitit 2022, ndaj faqeve të institucioneve kritike të Shqipërisë, kanë ardhur nga strukturat inteligjente të Iranit për shkak se në Shqipëri strehohej opozita e këtij vendi. 

Gjatë fundit të vitit 2022, u konstatua rritja e retorikës kërcënuese nga Republika Islamike e Iranit dhe strukturave të Inteligjencës së tyre për të kryer sulme të mundshme, përfshirë edhe sulme me dron ndaj organizatës “MEK” me qëndrim prej disa vitesh në Shqipëri. Ministria e jashtme Iraniane, i ka përcjellë palës shqiptare notë verbale, ku sipas inteligjencës së besueshme dhe të dokumentuar, e cila është siguruar nga agjencitë e sigurisë për tre skuadra terroriste të arrestuara së fundmi, është zbuluar se janë stërvitur në kampet e organizatës “MEK” në Durrës, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Më tej, në dosjen hetimore evidentohen edhe raste konkrete të procesverbaleve që dëshmojnë gjurmët e hakerimeve ndaj autoriteteve iraniane nga përfaqësuesit e Muxhahedinëve në Shqipëri. Identifikohet fakti, se Shqipëria ishte nën kërcënim të vazhdueshëm nga Irani, dhe diçka të tillë e provon procesverbali i kqyrjes së të dhënave të datës 16 maj të këtij viti.

“Në faqen e Telegramit “Homeland Justice” , me datë 16.05.2023, publikohen email-et e punonjësve të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, si dhe një foto mbe mbishkrimin “Sipas të dhënave të publikuara në faqen e “MEK”, toka e Durrësit është përdorur si seli e kryerjes së sulmeve fizike dhe kibernetike kundër vendeve të tjera. Prisni një hakmarrje që do të synojë shqiptarët”. 
SPAK thotë se aktiviteti shantazhues i Iranit vijonte ndaj Shqipërisë, me kërkesat për t’iu vënë ‘fre’ muxhahedinëve, të cilët i quanin teroristë. I tillë është paralajmërimi i datës 19.10. 2022.

“Nëse doni ndonjëherë një Shqipëri të sigurt, jepini fund jetës së garnizonit të banorëve të Durrësit dhe jepini atyre kënaqësinë e të jetuarit në jetë urbane”. 
Ky është artikulli i datës 8 maj të këtij viti mbi të cilin referohet edhe SPAK për sulmin kibernetik të kryer nga muxhahedinët e Manzës, ndaj sistemeve qeveritare të vendit të tyre. Të dhënat e mijëra zyrtarëve Iranian, kamera sigurie të infrastrukturës kritike, emra e numra telefonash të punonjësve të Ministrisë së Jashtme iraniane u raportuan se ishin publikuar nga anëtarët e “MEK” nga Manza ku janë strehuar. Në pah del edhe këmbimi i të burgosurve mes Iranit dhe Belgjikës, për të cilën SPAK thotë se MEK ka dyshime se bënte gjithçka t'i ndalonte. 

“Dokumentet zbuluan përpjekjet dhe korrespondencën e vazhdueshme të Republikës Islamike me zyrtarët evropian për të finalizuar marrëveshjen për shkëmbimin e diplomatit iranian të arrestuar në Belgjikë Asadollah Asad me punonjësin humanitar belg Oliver Vandecasteele. “MEK” ndërmori një fushatë të ashpër kundër marrëveshjes, duke sfiduar ekstradimin”

Në këto kushte thotë SPAK, për të provuar domosdoshmërisht pretendimet e Iranit nëse qëndrojnë apo jo, është urdhëruar kryerja e kontrolleve në kamp, gjetja e serverave dhe pajisjeve që mund të jenë përdorur për sulmet kibernetike, ndërsa ka dyshime të forta që pjestar të “MEK”, janë përfshirë në aktivitet kriminal të terrorizmit dhe financimit të terrorizmit. 

SPAK vijon hetimet për 6 vepra penale, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco