Skandali seksual i Gjicit zbuloi pushtetin që i konsideron qytetarët më pak se qentë e rrugëve

19:36, 20/06/2023
A+ Aa A-

Shikoni vetëm dy numra. Pagesa mujore që qeveria jep si ndihmë ekonomike për një familje të varfër me dy të rritur dhe dy fëmijë është 5 mijë e 200 lekë. Pra 1 mijë e 300 lekë në muaj për person. Me kaq këta njerëz duhet të jetojnë.

Qeveria e pranon edhe vetë se skema e ndihmës ekonomike në Shqipëri nuk garanton dot as mbijetesën fizike të të varfërve, e jo më t’u sigurojë një jetë me dinjitet. Vetë kryeministri ka deklaruar disa herë publikisht se ai dhe qeveria e tij do të dëshironin shumë që të jepnin mbështetje më të madhe për të varfrit, por justifikohet se buxheti nuk ka më shumë mundësi së kaq. Por a është e vërtetë se buxheti nuk ka para të japë më shumë, ashtu sikurse thotë qeveria?

Një ditë më parë, shqiptarët panë një videoregjistrim mes ish kryetarit të Bashkisë së Kukësit dhe një gruaje me dy shkolla, që merrej me qentë dhe jo vetëm. Pasi kaloi me sukses provën e pushtetit, gruaja i propozoi ish-kryetarit të Bashkisë një projekt për të mbledhur, kastruar dhe mbajtur qentë e rrugëve të Kukësit.

Sipas preventivit, që mori miratimin paraprak për 13 minuta e gjysmë, Bashkia e Kukësit do t’i paguante gruas 6 mijë lekë në muaj për çdo qen rrugaç. Pra 1 mijë e 300 lekë në muaj për një kuksian të varfër, por 6 mijë lekë në muaj për një qen rrugaç.

Ky është realiteti kriminal i Shqipërisë sot. Ndryshe nga sa thotë qeveria, para ka. Por ato ikin për qentë e rrugëve, mizat e pishave, ilaçet e mushkonjave dhe sa e sa zgavra të ndyra hajdutërie si këto, që ngjizen çdo ditë në zyrat e shtetit.

Paratë shkojnë në këto zgavra dhe jo tek të varfërit sepse në transfertat sociale nuk vidhen dot. Por kur shkojnë për mushkonjat, mizat e pishave, qentë e rrugëve ato vidhen. Ose u mundësojnë pushtetarëve të kënaqin epshet e tyre.  

Të varfërve tani u mbetet vetëm një gjë. Të pajtohen me realitetin. Sa herë që të shohin një qen me pullë në vesh, ata duhet të bien në paqe me faktin se në sytë e qeverisë qeni është 5 herë më i vlefshëm se sa ata. Ose ndryshe të stërvisin fytin për shkopinjtë e ndyrë të pushtetit./OLIGARKIA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco