Avokatja e MEK, pikëpyetje për Policinë: Muhaxhedinët e mësuar me kontrolle, pse të rezistonin këtë herë?!

19:06, 20/06/2023
A+ Aa A-

Avokatja e muxhahedinëve të MEK, znj. Margarita Kola, ka ngritur shumë pikëpyetje sot lidhur me mësymjen e fortë të Policisë së Shtetit me mbi 1000 forca dhe shumë automjete në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit, ku pati edhe një të vdekur dhe dhjetëra të plagosur nga radhët e personave të marrë në mbrojtje nga shteti shqiptar.

Znj. Kola, në studion e debatit “Task Force” të Sonila Meços në SYRI TV, ngriti ndër të tjera pyetjet: “Ata ishin në një ditë të zakonshme në kampin e tyre dhe janë bërë edhe herë të tjera kontrolle dhe nuk ka pasur rezistencë fare: Pse pikërisht këtë herë ata do të bënin rezistencë?!”....Ose nga ana tjetër, Çfarë priste qeveria jonë në momentin kur e strehoi këtë grup?! Që qeveria e Iranit atje do t’i bënte miq dhe këta nuk do të ishin armiq me njeri-tjetrin?!"

Ndiqni disa nga argumentet që dha avokatja e njohur, duke iu përgjigjur pyetjeve që i drejtonte moderatorja Meço herë pas here:

Av. Margarita Kola: Unë kam filmuar nga kthesa e Manzës deri në portën hyrëse të kampit Ashraf, kam filmuar në mënyrë amatore me celularin tim, makina policie që unë nuk i kam parë ndonjëherë. Mobilizim total! Këtë nuk e kundërshton dot asnjeri se janë pamjet. Ka pasur tanke, ka pasur makina policie të vogla, të mëdha, policë pa fund nëpër rrugë që kontrollonin dhe unë kam ngelur e shokuar dhe kam thënë: në fund të ditës, unë jam avokate dhe kur ka një urdhër dhe një vendim nga gjykata, unë e kuptoj, do të ekzekutohet vendimi por nuk ka pasur fare nevojë për t’u bërë një bum kaq i madh politik.

Sonila Meço: Mund të ketë pasur rezistencë nga brenda, të tillë që mund ta justifikojë në mënyrë proporcionale, kundëreagimin e forcave tona të sigurisë?

Av. Margarita Kola: Do ta shpjegoj edhe këtë. Ne kemi një parim që është barazia e armëve në gjykim, por që kjo përdoret edhe në jetën e përditshme. Ata janë disa persona kryesisht mbi moshën e dytë. Ishin të gjithë të paarmatosur, ishin në një ditë të zakonshme në kampin e tyre dhe janë bërë edhe herë të tjera kontrolle dhe nuk ka pasur rezistencë fare. Pse pikërisht këtë herë ata do të bënin rezistencë?!

Pse pikërisht këtë herë, Policia, kur ata ishin mësuar me këto kontrolle, thotë që ata kanë bërë rezistencë?!  Si mund ta bënin ata rezistencën kur ishin 1000 forca policie në mos më tepër, të gjithë të armatosur?!  Vetëm fakti që ti vjen në një kamp të tillë, që ka specifika të veçanta, drejtohesh me forca policie, atëherë, a është proporcionale kjo?! - Që në pamje të parë kjo nuk është proporcionale.

Dhe, si ka mundësi, që një grup njerëzish të paarmatosur, të cilëve iu vete ti me një urdhër kontrolli për t’i kontrolluar, nuk kanë mundësi që të rezistojnë ndryshe vetëm të të thonë: Për çfarë po më kontrollon?! Ku do të shkosh?! - Kaq i detyrohesh. Policia kaq u detyrohet!

Sonila Meço (citon deklaratën e Policisë): Është folur për thyerje marrëveshjeje, kanë ardhur për qëllime humanitare dhe kjo ndërhyrje është bërë sepse prishja e marrëveshjes ka vënë në rrezik jo vetëm bashkëjetesën tonë me këtë grupim, i cili ka këtë problematikë që ne thamë, por ne nuk e dimë çfarë ndodhet në serverat që kanë sekuestruar.

Av. Margarita Kola: Nuk ka asnjë problem që të bëhet një kontroll atje në qoftë se gjykata e ka lëshuar. Kontrolle të tjera janë bërë edhe vitin e kaluar , përsëri kontrollojnë servera, kontrollojnë kompjutera...

Sonila Meço: ... sepse dyshohet se sulmet kibernetike që bën Irani (të paktën sipas qeverisë shqiptare) ndaj Shqipërisë, vijnë sepse nga disa servera të caktuar në kampin Ashraf. Bëhen sulme kibernetike në drejtim të Iranit dhe si të thuash, Shqipëria është një dëm kolateral i një beteje midis ...

Av. Margarita Kola: Kjo s‘është aspak e vërtetë. Pse nuk është e vërtetë?! E para, që muxhahedinët nuk i kanë ato potenciale nga ana e burimeve që të godasin dhe të sulmojnë qeverinë iraniane - e para njëherë.

E dyta: është shumë e qartë që ata janë armiq të betuar. Ata i kanë kushtuar jetën kësaj kauze. Tani, si mendoni ju, në momentin që ne na atakoi në mënyrë kibernetike qeveria e Iranit, nuk do ta jepte këtë lloj justifikimi?! A ka justifikim ajo që bëri qeveria e Iranit?!

Ose nga ana tjetër, çfarë priste qeveria shqiptare në momentin kur e mori këtë grup, që janë luftëtarë?! “Muxhahedin” do të thotë luftëtar, pavarësisht se ka një ngjyrim negativ, ta shpjegojmë: do të thotë luftëtar. Çfarë priste qeveria jonë në momentin kur e strehoi këtë grup?! Që qeveria e Iranit atje do t’i bënte miq dhe këta nuk do të ishin armiq me njeri-tjetrin?!

A u morën parasysh këto gjëra kur këta persona erdhën?! Këta kanë statusin e personit të mbrojtur dhe jemi pikërisht ne që kemi detyrë, sipas Konventave Ndërkombëtare, në momentin që i kemi pranuar këtu, t’i mbrojmë, jo të shkojmë me forca policie dhe t’i dhunojmë./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni diskutimet e plota në studion e Task Force për këtë çështje.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco