‘17 deputetë s’do marrin pjesë në mbledhjen e KK-së’/ Bardhi: Kryesia po i shërben Ramës

‘17 deputetë s’do marrin pjesë në mbledhjen e KK-së’/ Bardhi: Kryesia po i shërben Ramës

15:25, 19/06/2023
A+ Aa A-

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi bëri me dije se 17 anëtarë të grupit parlamentar vendosën mospjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme të Këshillit Kombëtar

Në një deklaratë për mediat në përfundim të takimit me deputetët, Bardhi hodhi akuza në drejtim të kryesisë, duke theksuar se po i shërbejnë Edi Ramës.

Bardhi: Pas zgjedhjeve të 14 majit menduam se faktorët e rëndësishëm brenda nesh do t'i shërbenin demokratëve dhe vendit. Një opozitë  e dobët i shërben Edi Ramës. Ne propozuam platformë për ringritjen e PD që i shërben bashkimit dhe jo ndarjes. Një pjesë e kryesisë e rrëzoi duke i hapur rrugë zgjedhjes së kryetarit. Vendimet e marra nuk e zgjidhin situatën që po kalon PD. Grupi parlamentar është i bindur se kjo është rruga e gabuar. Por kam detyrimin t'i nënshtrohem vullnetit të shumicës.

Rruga që kemi nisur nuk mund t’i ngjajë proceseve fiktive që e kanë dëmtuar PD-në në të shkuarën. Kjo është një histori e shëmtuar dhe anti-statutore që nuk duhet të përsëritet më në Partinë Demokratike.

Në këtë moment PD ka nevojë për maturi, jo konflikt, reflektim e jo urrejtje. Ka nevojë për mendimin ndryshe dhe jo përjashtime të reja. Kujt i shërben një tjetër konflikt në PD? Përse sajohen provokime dhe devijime nga statuti që na ndajnë, kur sot duhet të jemi bashkë. Kujt i intereson kjo ndarje? Di të them me siguri se është e qartë se ky nuk është interesi më i mirë i demokratëve dhe Shqipërisë. Një PD që humbet në debatet e brendshme i intereson vetëm Edi Ramës dhe regjimit të tij.

Ky qëndrim nuk më shërben mua. Do ishte e lehtë të bënim rolin sa për të marrë një post, por ju siguroj se as nuk kemi dhe as nuk do bëjmë kompromis për shpërbërjen e PD-së. Nuk ka kompromis për këtë. Beteja e kolegëve të mi ka vetëm një qëllim, të qëndrojmë përballë pushtetit dhe të kthehemi në alternativë qeverisëse.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco