​Borrell fton takim në Bruksel, rrëmbimin e policëve e quan arrestim

​Borrell fton takim në Bruksel, rrëmbimin e policëve e quan arrestim

18:50, 15/06/2023
A+ Aa A-

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, e ka quajtur arrestim, rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Ai ka deklaruar se javën e ardhshme do t’i ftojë Kosovën dhe Serbinë në një takim në Bruksel.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së ka thënë se janë në kontakt të ngushtë me KFOR-it dhe të dy palët, sipas tij, për të kuptuar çfarë ka ndodhur në rastin me tre policët kufitarë.

 ‘Bashkëpunimi ndërmjet NATO-s dhe Bashkimit Evropian shkon edhe përtej konfliktit në Ukrainë, për shembull në Kosovë ato ditë është treguar se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ynë dhe dua të falënderoj trupat e KFOR-it dhe komandantin e KFOR-it për punën që kanë bërë në veri të Kosovës. Ju e dini se ka ndodhur një incident për arrestimin e tre policëve nga Kosova dhe ne jemi duke u përpjekur të përcaktojmë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Jemi në kontakt të ngushtë me komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët për të parë se çfarë ka ndodhur realisht atje që ka çuar në këtë arrestim. Ndërkohë, duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren dhe duke parë që situata po përkeqësohet çdo ditë, jemi sërish në modalitetin e menaxhimit të krizave. Unë do t’i thërras dy palët, Kosovën dhe Serbinë, në një takim për menaxhimin e krizës këtu në Bruksel javën e ardhshme’, ka thënë Borrell para fillimit të takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së me NATO-n.

Serbia po vazhdon t’i mbajë tre policë të Kosovës të cilët i ka rrëmbyer të mërkurën. Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarët kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës derisa kanë qenë në detyrë, thellë brenda territorit të Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale./kp/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco