Berisha: Kosova refuzoi ndërhyrjen brutale nga Rama-Vuçiç! Shqiptarët nuk meritojnë ndëshkime të tjera

Berisha: Kosova refuzoi ndërhyrjen brutale nga Rama-Vuçiç! Shqiptarët nuk meritojnë ndëshkime të tjera

13:45, 14/06/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, në fjalimin e tij përpara deputetëve demokratë, komentoi zhvillimet e fundit në Kosovë. Ai lexoi një deklaratë të Partisë Demokratike.

“Edi Rama anuloi me urdhër nga Beogradi, pjesëmarrjen në mbledhjen me qeverinë e Kosovës në Gjakovë, në kuadër të 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Si shkak për anulimin e këtij takimi të lajmëruar prej kohësh, Rama paraqiti refuzimin e Kosovës për të diskutuar veçmas në një format të prezantuar prej tij, për draftin e Ramës për Asociacionin, të marrë nga sirtarët e Beogradit.

Autoritetet e Kosovës refuzuan ndërhyrjen brutale të Edi Ramës në punët e brendshme, për një problem me të cilin po merren vendet më të fuqishme të globit.

Lidhur me këto zhvillime, PD dënon me forcën më të madhe ndërhyrjen brutale të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës dhe aktin e tij hakmarrës dhe sherrndjellës mes dy vendeve fqinjë të një kombi, në një klimë të acaruar.

Së dyti, PD përgëzon refuzimin nga autoritetet e Kosovës për të diskutuar me Edi Ramën projektin e Vuçiçit, njësoj siç bëri me hartat e ndarjes së Kosovës. PD përgëzon refuzimin e diskutimit të projektit dhe rolin ndërmjetës të shpallur nga Edi Rama.

Rama është dëshmuar haptas një argat i zellshëm i Aleksandër Vuçiç. Ai ka promovuar si të vetat të gjitha projektet e Vuçiçit, duke filluar me projektin e ndarjes së Kosovës, duke vazhduar me projektin e Ballkanit të Hapur dhe duke vazhduar së fundmi me projektin e Asociacionit, me të cilin Vuçiç dhe Rama kërkojnë shpërbërjen dhe ndarjen e Kosovës.

PD shton gjithashtu se Rama, që nga fillimi i agresionit barbar rus ndaj Ukrainës, në kundërshtim flagrant me interesin e kombit shqiptar dhe mbarë komunitetit euroatlantik, ka mbrojtur haptas qëndrimin e Vuçiçit kundër sanksioneve të NATO dhe BE ndaj Rusisë. Ai madje në dhjetëra raste ka kritikuar haptas kërkesën e NATO dhe BE ndaj Beogradit për respektimin e sanksioneve.

PD e Shqipërisë iu bën thirrje autoriteteve të Kosovës të bashkërendojnë përpjekjet e tyre me BE dhe SHBA për shtensionimin e situatës dhe rikthimin në tryezën e dialogut. Kjo është rruga më e mirë për dështimin e projektit Vuçiç-Rama për ndarjen e Kosovës. Ne kemi mbështetur dhe mbështesim krijimin e Asociacionit në kuadrin e Kushtetutës së këtij vendi si një e drejtë e pamohueshme. PD është kundër çdo forme Asociacioni superkushtetues pasi e konsideron atë rrezik madhor në Ballkan.

Së fundmi, PD i konsideron sanksionet ndaj Kosovës, një demokraci e re dhe e suksesshme, popullit të të cilit nuk i janë mbyllur plagët akoma, si një akt të pajustifikuar me ligjin ndërkombëtar dhe moralin e vendeve të lira. Kosova është një bastion i euroatlantizmit në rajon. Ato sanksione do ishin një shpërblim i pamerituar për autokratët Rama-Vuçiç, që janë të lidhur kokë e këmbë.

Askush nuk duhet të harrojë se në 100 vitet e fundit, kombi shqiptar ka përjetuar ndëshkimet më të mëdha në Europë. Shqiptarët nuk meritojnë ndëshkime të tjera. Nuk janë ata shkaku i krizës, por është nacionalizmi i verbër serb që lufton për hegjemoninë serbe në Ballkan,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco