Berisha: Propozimi i Ramës erdhi nga sirtaret e Vuçiçit, vetëm sa e komplikon zgjidhjen e problemit

Berisha: Propozimi i Ramës erdhi nga sirtaret e Vuçiçit, vetëm sa e komplikon zgjidhjen e problemit

20:19, 08/06/2023
A+ Aa A-

Sali Berisha, i ftuar në “Debat” nga Alba Alishani në A2 CNN komentoi propozimin e kryeministrit Rama për zgjidhjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai e konsideroi propozimin e Ramës si një propozim të ardhur nga sirtarët e qeverisë së Beogradit dhe Aleksandër Vuçiç.

“Së pari dua të theksoj se si akt kjo përbën ndërhyrjen më brutale që një vend mund të bëjë në punët e një vendi tjetër. Së dyti, të gjitha dokumentet në të cilat është implikuar direkt Edi Rama kanë patur origjinë vetëm Beogradin.

Unë dua t’ju rikujtoj shqiptarëve një moment, gjer në vitin 2013 ecuria e procesit të negociatave në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë normale. Gjithçka ndryshoi me ardhjen e Edi Ramës në pushtet.

Cilat janë atributet e kryeministrit shqiptar dhe me çfarë roli mund të propozojë një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë?

Absolutisht vetëm si vasal i Aleksandër Vuçiç. Një njeri, i cili në pamje të parë është palë me Kosovën sepse është shqiptar, nuk mund të paraqesë asnjë projekt të besueshëm për palën kundërshtare.

Por rastis që ky njeri nuk ka pothuajse asnjë komunikim dhe e tha vetë që në Bratislavë nuk takoi as presidenten dhe as kryeministrin e Kosovës, por takoi për dy ditë rresht presidentin e Serbisë.

Ky njeri me kredencialet e Vuçiç vetëm sa komplikon shumë më tej zgjidhjen e problemit.

Ky është një propozim i ardhur nga sirtarët e qeverisë së Beogradit, nga Aleksandër Vuçiç, i cili në një moment kritik për Kosovën, nxori letrën e tij dhe i tha: do të lexosh këto,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco