Tare: Studiuesit të flasin në dobi të interesit publik, jo thjesht në kanë gjetur një qyp në Butrint!

17:19, 31/05/2023
A+ Aa A-

“Më thoni, kur ka folur Instituti i Arkeologjisë apo Akademia e Studimeve Albanologjike për mendimin e turpshëm të znj. Kumbaro për trashëgiminë kulturore, ligjin e Trashëgimisë Kulturore i cili i hapi rrugën sot dhënies së Butrintit, një Fondi privat?!  E po të shikoni tani do të kalojë edhe kalaja e Gjirokastrës në menaxhim privat dhe ky institucion nuk foli kurrë; futën kokën në rërë dhe nuk u përfshinë fare!”

Studiuesi u njohur Auron Tare e ka dënuar heshtjen e intelektualëve, heshtjen që kanë mbajtur dhe po mbajnë ata dhe institucionet shkencore të vendit  në një kohë kohë kur po cenohet rëndë dhe dita-ditës, trashëgimia kulturore e Shqipërisë.

Auron Tare ishte i ftuar në SYRI TV nga gazetarja Armela Ferko për të folur për këtë çështje dhe e vuri theksin në këto momente, kur qeveria Rama shkriu edhe Akademinë e Studimeve Albanologjike, tek roli i rëndësishëm që duhet të luanin studiuesit për të mirën publike. Tare e theksoi në intervistën e tij shprehjen “për të mirën publike”.      

“Unë modestisht jam një person jashtë institucioneve të Albanologjisë, por puna ime e gjatë me Butrintin, me kërkimet nënujore dhe pozicioni që unë mbaj në Këshillin Shkencor të UNESCO-më ka bërë të lidhem ngushtë me një pjesë të trashëgimisë kulturore dhe në përgjithësi me arkeologjinë. Mendoj se nuk jam njeriu i përshtatshëm për të folur për pjesën legjislative, sepse pjesën legjislative mendoj se e ka ezauruar vetë Ministria e Arsimit dhe persona të tjerë, por do të thosha këtë që shkenca nuk mbyllet...

... Unë kam bërë një status dhe prandaj ju më ftuat sot. Statusi im ka të bëjë më tepër me rolin e studiuesit dhe intelektualit në të mirë të dobisë publike, jo detyrimisht sesa ka gërmuar apo ka gjetur një qyp në Butrint apo Apoloni , si e ka përshkruar këtë etj. etj. po për rolin e tyre në dobi të trashëgimisë kulturore në interes publik dhe mund t’ju them që Instituti i Arkeologjisë ka qenë një institut që ka mbyllur gojën dhe i ka pranuar në heshtje të gjitha vendimet e qeverisë që sot i mbyllën derën dhe i morën vulën. Kanë qenë dhe palë, kanë qenë dhe pjesë dhe nuk kanë folur kurrë!

Unë kam qenë zyrtar i këtij shteti dhe kam qenë dhe në televizionin tuaj i ftuar e kam denoncuar disa nga problematikat në trashëgiminë kulturore, siç ishte për shembull lulishtja “1 Maji” në Durrës, e cila është krim i madh ndaj trashëgimisë kulturore, ku Instituti i Arkeologjisë mbylli sytë dhe nuk foli kurrë.  Biles, e legjitimuan atë që ndodhi në ato gërmime arkeologjike të Velierës ku dihet shumë mirë sesa janë dëmtuar ato. 

Rasti i Teatrit: a foli njeri nga Instituti i Arkeologjisë apo ASA për çështjen e Teatrit?! Edhe si personazhe, edhe si institucion.

Unë kam një respekt të thellë për z. Aurel Plasari, i cili dhe në pozicionin e tij si zyrtar shteti, edhe në kohën e z. Berisha, edhe në qeverisjen e socialistëve ka dalë dhe ka folur për të mirën publike.

Pra, më thoni: kur ka folur Instituti i Arkeologjisë apo ASA për mendimin e turpshëm të zonjës Kumbaro për trashëgiminë kulturore, ligjin e Trashëgimisë Kulturore ,i cili i hapi rrugë sot dhënies së Butrintit, një Fondi privat dhe i ka hapur rrugën edhe për gjëra të tjera, siç është rasti i fundit tani.

Po të shikoni do të kalojë edhe kalaja e Gjirokastrës në menaxhim privat dhe ky institucion nuk foli kurrë. Futën kokën në rërë dhe nuk u përfshinë fare.

Pastaj rasti më flagrant, Butrinti ku unë kam shkuar personalisht, i kam takuar të gjithë drejtuesit e Institutit të Arkeologjisë dhe u kam kërkuar të flasin, të shprehen dhe jo vetëm nuk folën, po me shkrim u bënë palë. Mjafton që ajo salloni i tyre që mban erë kuzhinë të ishte në rregull dhe të tjerat ishin OK dhe nuk folën kurrë.

Se mu kujtua ajo poezia e Driteroit që rrimë në kuzhinë, mban era gjellë - hamë, na pihet ujë – pimë, na rriten thonjtë - i presim. Pra, ajo vetëkënaqësia intelektuale që ta kenë mirë me të gjithë, mos të flasim fare. Por e mira publike kërkon që këta njerëz të flisnin dhe sot kur kërkojnë ndihmë dhe thonë “opinion publik, ju lutem flisni për ne”, nuk u del njeri.

Mos harroni që te ASA paguhen diku te 100 vetë. Sa vetë kanë dalë kanë folur?! Pesë kanë dalë. Përse nuk flasin të tjerët? Sepse të tjerët dhe besoj se ju e dini dhe unë e di se marr mesazhe nga njerëzit, thonë nuk duam të përfshihemi me këta njerëz se e kanë monopolizuar, e kanë bërë çdo gjë për të mirën e tyre”, nënvizoi Tare ndër të tjera./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco