SYRI TV/ PD, kallëzim në SPAK për aplikacionin 'Aktiv1st', Noka: Kallëzuam Majlinda Bufin për kërcënime

14:38, 23/05/2023
A+ Aa A-

Partia Demokratike ka bërë një tjetër kallëzim në prokurorinë kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka ka deklaruar se në zgjedhjet e 14 majit, Partia Socialiste ka bërë një batërdi zgjedhore duke intimiduar punonjësit e administratës dhe qytetarët. Noka u shpreh se këtë herë PD ka paraqitur në SPAK prova për aplikacionin “Aktiv1sti” dhe për kryetaren e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila kërcënonte punonjësit e bashkisë dhe qytetarët për votat në 14 maj.

Nga SYRI TV

Batërdi zgjedhore i cilëson Partia Demokratike zgjedhjet lokale të 14 majit. Sipas Sekretarit të PD, Flamur Noka, Rilindja ka përdorur çdo lloj shantazhi për të tjetërsuar votën e qytetarëve. Këtë të martë Noka është paraqitur pran zyrave të Prokurorisë kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për të denoncuar dy problematika të tjera sa i përket shantazhit të bërë nga qeveria. Noka është shprehur se në SPAK ka denoncuar aplikacionin “Aktiv1sti” me anë të të cilit u kërcënuan punonjësit e administratës duke monitoruar çdo veprimtari të tyre dhe të familjarëve të tyre. 

Noka deklaroi se një tjetër padi që u paraqit në SPAK ishte çështja që ka të bëjë me kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufin, që sipas Sekretarit të PD ka kërcënuar qytetarë për të devijuar votën e tyre.

Partia Demokratike ka renditur një sërë akuzash që kanë të bëjnë me devijimin e votës së qytetarëve. Sipas PD në zgjedhjet lokale të 14 majit, u blenë vota, u kërcënuan zgjedhësit, ka pasur manipulim të listave të qytetarëve, tjetërsim të votës me anë të aparateve MEI të cilët u përdorën për votime elektronike në Kamëz, Elbasan e Vorë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco