KAFE SHQETO/ Alimehmeti: Tani kërkohet bashkim, hapje e PD dhe mekanizma për ide të reja brilante!

KAFE SHQETO/ Alimehmeti: Tani kërkohet bashkim, hapje e PD dhe mekanizma për ide të reja brilante!

10:45, 19/05/2023
A+ Aa A-

Demokrati  Ilir Alimehmeti, tashmë anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, gjykon se në përfundim të zgjedhjeve vendore të 14 Majit dhe rezultatit të koalicionit opozitar  “Bashkë Fitojmë”, Partia Demokratike, opozita,  ka nevojë për bashkim, për hapje të partisë dhe për mekanizma për garantimin e prurjeve të reja me ide brilante.

I ftuar në emisionin “KAFE SHQETO” në Syri TV, gazetarja Ola Bregu e pyeti z. Alimehmeti ndër të tjera: “Po çfarë duhet të bëjë opozita tani, pas këtyre zgjedhjeve? Do të ketë reformim, bashkim? Duke marrë shkas edhe nga deklarata e z. Berisha që tha se për sa kohë Alibeaj dhe Basha nuk janë më në krye, ne jemi të hapur për negociata.”

Dhe z. Alimehmeti i renditi tre idetë e tij dhe i argumentoi ato:

“Së pari, unë mendoj fort që sa herë të kesh një shkundje të fortë, duhet të kthehesh te rrënjët, sepse pema mbahet te rrënjët. Rrënjët kush janë?! Rrënjët janë njerëzit! Çfarë duan njerëzit, është pyetja. Ne kemi pyetur gjatë kësaj fushate mbi 18 mijë familje demokrate në Tiranë. Për saktësi, 18 119 familje për të cilat unë kam një raport shumë të qartë të qëndrimit të tyre.

E para: kërkohet një bashkim! Pse? Sepse kemi një emërues të përbashkët, jemi të gjithë opozitarë dhe të gjithë mbrojmë vlerat demokratike, vlerat e familjes, vlerat e pronës, vlerat e fesë, vlerat e votës së lirë dhe të fjalës së lirë. Kështu që pari  pa diskutim, një bashkim i të gjithë asaj qenieje të madhe demokratike, që është grupimi i njerëzve të Partisë Demokratike dhe të aleatëve të saj që kanë të njëjtat vlera. Kjo është për mua pika kryesore.

Image

E dyta, patjetër është hapja e partisë. Pse e them këtë?! Sepse demokracia ka të bëjë me përfshirjen e njerëzve në vendim-marrje. Pra, në qoftë se ne marrim vetëm vendime dhe ua imponojmë të tjerëve, elektorati është mjaftueshëm i mençur sa të thotë “OK, këto janë vendimet e tua - jo detyrimisht ne jemi dakord me këtë”. Kështu që duhet të përfshihen. Është pak a shumë ajo që ju patë të ndodhte gjatë Foltores. Kjo u bë gjatë Foltores. U thirrën njerëzit dhe u bë një vendim-marrje me përfshirje të tyre dhe strukturat e tjera u ndërtuan të gjitha me votë. Kjo është ajo që është hapje.

Në fund fare: duhet të bëjmë mekanizma për garantimin e të rinjve (kur themi të rinj,  të rinj qoftë në moshë, qoftë në karrierë politike), për mekanizma garancie dhe mekanizma mbështetjeje për të rinjtë që të hyjnë dhe të gjejnë një vatër të ngrohtë pranë Partisë Demokracisë ku të japin idetë e tyre, mbështetjen e tyre dhe kontributin e tyre. Ka shumë të tillë, por thjesht ata janë duke pritur çfarë mekanizmash do të ngremë ne për t’i ftuar ata. Këto unë ua them me bindje të plotë, duke qenë vetë unë një nga këta të rinj që i jam afruar aktivisht Partisë Demokratike, pavarësisht  simpatizimit për të në dekada, por nevojiten mekanizma që në të arrijmë grupe dhe ide brilante e të reja brenda Partisë Demokratike. Vetëm me ide të këtilla, vetëm me njerëz dhe shpatulla të tilla ne kemi hapësirë që të përmirësohemi  dhe atë përqindje që kemi pasur diku 38-40%, ta kapërcejmë 50%-shin e të shkojmë në fuqi në zgjedhjet e ardhshme”, nënvizoi Ilir Alimehmeti./ar.sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco