'Kosova duhet të hyjë në KiE'/ Gjermania apel Prishtinës për Asocacionin

'Kosova duhet të hyjë në KiE'/ Gjermania apel Prishtinës për Asocacionin

11:21, 17/05/2024
A+ Aa A-

Berlini pret që Kosova të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, gjatë një fjalimi në Bundestag me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, apeloi te Kosova që të bëjë çfarë është e mundur për t’u anëtarësuar në KiE. “Kosova duhet të hyjë në Këshillin e Evropës,” tha Baerbock. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira dhe atyre që janë përgjegjës në Kosovë të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që të arrijmë shumicën e nevojshme për anëtarësimin sa më të shpejtë.”

Edhe  Frank Schwabe, kryetar i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës: “Kosova duhet të bëjë gjithçka që mundet për të luajtur një rol në këtë, dhe këtë e ka bërë edhe përmes një letre dërguar për çështjen e pakicave serbe dhe Asociacionit të Komunave,” tha ai. Por deputeti socialdemokrat i dha si porosi ministres para nisjes për në Strasburg, ku do të merrte pjesë në Ministerialin vjetor, që të mos harrojë rezultatin e votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Më shumë se 80% e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan në favor të pranimit të Kosovës. Partia Socialdemokrate dhe partitë e koalicionit qeveritar e mbështesin këtë anëtarësim, prandaj Kosova duhet të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës.”

Knut Abraham, nga CDU/CSU-ja në opozitë, e kritikoi në seancën e Bundestagut stafin e kancelarit Olaf Scholz për këtë qëndrim: “Nuk e kuptoj pse skeptikët në Kancelarinë Federale nuk e kuptojnë se kjo është një mundësi historike,” tha ish-diplomati, i cili, para se të bëhej deputet, kishte punuar më parë në Kancelarinë Federale (në kohën e Angela Merkelit). “Nëse flitet për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, tani është koha, tani duhet të merret edhe vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës në KiE.”

Abraham sugjeroi që të mblidhet sërish Komiteti i Ministrave të Jashtëm në një seancë të posaçme, tani që Kosova është treguar e gatshme të dërgojë draft-statutin për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese. “Ky është një moment historik. Dhe qeveria e Kosovës ka bërë një hap shumë të rëndësishëm.”

Një muaj më parë, pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, organizata më e rëndësishme ndërshtetërore evropiane për të drejtat e njeriut, dukej i arritshëm. Me një shumicë mbresëlënëse prej mbi 82 përqind, deputetët në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg votuan për pranimin e shtetit më të ri evropian si anëtarin e 47-të. Ky vendim pasoi rekomandimin e ish-ministres së Jashtme greke Dora Bakojanis, e cila më parë kishte shqyrtuar përshtatshmërinë e Kosovës si raportuese.

Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia, është njohur zyrtarisht nga 116 vende, ndër ta 34 nga 46 anëtarët e Këshillit të Evropës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco