Berisha: Zgjedhjet u blenë masivisht me qindra milionë euro nga taksat e shqiptarëve, shihni fenomenin 'Doshi'

Berisha: Zgjedhjet u blenë masivisht me qindra milionë euro nga taksat e shqiptarëve, shihni fenomenin 'Doshi'

13:32, 17/05/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, dokumentoi sot blerjen masive të votave nga qeveria, duke nisur që me vendimet për pagat dhe pensionet.

“Për blerjen e votës, mbi 20 mijë qytetarë u shtuan në listën e ndihmës ekonomike në mbarë vendin dhe mbi 10 mijë të tjerë u paguan si punonjës të përkohshëm pa kontratë. Vetëm në Peshkopi u disbursuan 400 milionë lekë për individë me aftësi ndryshe.

Fondi i ndihmës ekonomike dhe pagesat për aftësi ndryshe u rritën në këtë fushatë me 900 mln lekë në krahasim me vitin e kaluar. Nga të gjitha këto shuma të marra së bashku, rezultuan se përfituan rreth 850 mijë qytetarë me të drejtë vote, me qëllimin e vetëm të blerjes së votës.

Përveç këtyre fondeve, u përdorën edhe forma të tjera antiligjore si subvencione, prokurime, tendera për të blerë votën e shqiptarëve. Të gjitha këto në kundërshtim me Kartën e Kopenhagenit, Kodin Zgjedhor, etj.

Me qëllim të blerjes së votës, kryetari në ikje i Vaut të Dejës, subvencionoi 400 mln lekë për një kompani, akt që e ka tagër vetëm Këshilli i Ministrave dhe bazuar vetëm në ligjin e ndihmës shtetërore.

Por nuk ishin vetëm këto shuma të taksapaguesve për blerjen e votës. Kodi Zgjedhor ndalon prokurimet publike dhe koncesionet në vend, por gjatë farsës elektorale 2023 u bënë qindra tendera me një vlerë 6 miliardë lekë dhe u dhanë disa investime strategjike.

Përveç këtyre, mbi 4 miliardë lekë u tenderuan për ndërtimin e banesave nga tërmeti. U konstatuan qindra raste investimi me zhavorr elektoral, duke kulmuar në Tiranë.

Të gjitha këto shuma të shpërndara për të blerë haptas votën, janë vetëm maja e ajsbergut e shumës së shpërndarë nën dorë në tregun e zi të votës me destinacion direkt blerjen e të drejtës së votës. Në këtë rast kriminelët elektoralë paguajnë qytetarin që të mos ushtrojë të drejtën e votës. Në rastin tjetër ata paguajnë qytetarin për të votuar kandidatin socialist.

Në tregun e zi, shuma e blerjes së votës arriti nga 300 deri në 500 euro. 

Cila është kjo shumë totale që u përdor për të blerë votën e shqiptarëve? Është shumë e vështirë të gjendet, por ndoshta kurrë nuk mësohet.

Ajo që dihet është se euro arriti nivele të ulëta këmbimi me lekun. Burimet kompetentë na thonë se një rënie e tillë e euros mund ta provokojnë vetëm hedhja e qindra milionë eurove në një kohë të shkurtër për këmbim.

Rritja e euros fill pas përfundimit të zgjedhjeve, hodhi poshtë pretendimin se rënia lidhej me sezonin turistik. Kulmin e ka arritur në Shkodër. Shikoni fenomenin Doshi. Ky është fenomeni Dushku i vitit 2023.

Pra, këto zgjedhje ishin të blera dhe për blerjen e tyre u përdorën qindra milionë euro nga taksat e shqiptarëve. Ndërkohë që opozita dhe jo pseudopozita nuk ka paguar një qindarkë nga xhepi. Këto zgjedhje janë të blera sepse narkoeurot u bënë diktuesit kryesorë të rezultatit,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco