SYRI TV/ Shtyhet gjyqi për padinë e Veliajt ndaj medias, Koka e ironizon me adresën e dhënë

12:34, 05/05/2023
A+ Aa A-

Shtyhet sërish seanca në Gjykatën e Tiranë, për padinë që kryebashkiaku Erion Veliaj ka bërë ndaj gazetarit Bledian Koka, emisionit Piranja dhe biznesmenit italian, Gabrielle Tarroni Longhinotti pas publikimit të intervistës që fliste mbi rolin e Veliajt në inceneratorin e Tiranës

SYRI TV

Sërish seanca u shty për mosgjetjen e adresës së shtetasit italian, i cili ndodhet në Dubai. Pas daljes nga gjykata, Koka u shpreh për mediat se seanca ka si për qëllim përmbushjen e dëshirës së Veliajt për ta intimiduar. E këtu ironizoi edhe Erion Veliajn se edhe seanca e radhës do të shtyhet për shkak se Erion Veliaj ka vendosur si adresë të tij, Bashkinë e Tiranës e pas 14 majit kjo mund të bëhet shkak për mosgjetjen e adresës së tij.

‘Seanca që nuk ka qëllim në vetvete veçse dëshirën e Veliajt për të më intimiduar mua. Padia është e pabazuar në fakte dhe në prova, po kjo do duhet të gjykohet nga drejtësia. Sot seanca u shty për të dytën herë, përfaqësuesit e Veliajt nuk tërhiqen, po e mbajnë presionin. Sot u shty, pasi një nga të akuzuarit nuk është njoftuar, për shkak të adresës. E njëjta problematikë mund të jetë edhe në datën e radhës, pasi Veliaj ka vendosur në adresë zyrën e Bashkisë së Tiranës. Jemi duke shkuar drejt një shtyrje të paralajmëruar, pasi adresa është e pavlefshme’.

Nga ana tjetër, avokati i gazetarit Bledian Koka, Dorian Matlija e quan kërkesën e bërë nga ana e kryebashkiakut të Tiranës, si të pavlefshme. Përveç adresës, Matlija shton se nëse do vijohet kështu, në fund do shpallet një proces i pavlefshëm.

‘E shoh si akt të rëndë të ngrihet një akuzë ndaj një gazetari që vetëm ka bërë punën e tij. Këtu ka të bëjë dhe me pasaktësi në atë kërkesë, të bërë shpejt e shpejt. Mungon emri i përfaqësuesit ligjor, duhet të ishte nënshkruar çdo faqe. Këto pasaktësi të vogla çojnë në pavlefshmëri të kërkesës. Nëse nuk merr masa që kjo të rregullohet, me shumë gjasa do kemi një proces të pavlefshëm në fund fare’.

Më 3 prill, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kallëzoi penalisht gazetarin Bledian Koka, emisionin Piranjat dhe producentin e emisionit Vojo Bregu, pas publikimit të aferës së inceneratorit të Tiranës. Fillimisht lajmin e bëri të ditur vetë Koka, i cili tha se padia është dorëzuar pasi emisioni "Piranjat" i drejtoi disa pyetje për të dhënë edhe ai versionin e tij lidhur me takimin që pretendohet se ka pasur me biznesmenin italian Gabrielle Tarroni Longhinotti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco