Berisha: Shefki Çota është kandidat i dinjitetit tuaj, kushoja e Taulantit vjen nga skutat dhe xhepat e Ramës

Berisha: Shefki Çota është kandidat i dinjitetit tuaj, kushoja e Taulantit vjen nga skutat dhe xhepat e Ramës

12:22, 29/04/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi në takimin e organizuar në Librazhd se kandidati i opozitës, Shefki Çota është kandidat i dinjitetit, kurse në krahun tjetër kandidon kushëriri i Taulant Ballës, që vjen nga skutat e Edi Ramës.

“Unë jam sot para jush jo për një fjalim, por për një bisedë të hapur, bisedë zemre me çdo qytetar të Librazhdit, por dhe çdo shqiptar. Me 14 maj, ne shkojmë në zgjedhje dhe këto zgjedhje në vlerësimin tim më të sinqertë, para se të gjithash janë zgjedhje të çdo qytetari për veten e tij.

Nuk janë zgjedhje këto as për Sali Berishën, as për Edi Ramën, por janë mbi të gjitha zgjedhje për ju, për çdo qytetar. Janë për interesat tuaja, janë për dinjitetin tuaj, janë për mirëqenien tuaj.

Vërtet me 14 maj ju votoni për Shefki Çotën, dhe votoni për kushon e Taulantit, por do më falni, Shefki Çota është njëri prej jush. Është një qytetar i këtij rrethi, i këtij qyteti, i cili ka qeverisur Librazhdin dhe sot vendosi që me aftësitë e tij, dashurinë e tij për ju dhe Librazhdin, të kërkojë sërish votëbesimin tuaj.

Shefki Çota, sot në dallim me Shefkiun e mëparshëm, nuk është kandidat i Sali Berishës, as i kryesisë së PD, është i juaji. Ju votoni kandidatin që keni përzgjedhur, kandidatin që keni votuar, votoni kandidatin e dinjitetit tuaj. Liria e njeriut ka në thelb dinjitetin e tij dhe ju respektuat dinjitetin tuaj. Ne e respektuam atë gjithashtu.

Le të vijë Shefkiu këtu, le të vijë kusho i Taulantit, ai vjen nga xhepat e Taulantit, vjen nga skutat e Edi Ramës.

Le të më thotë një i majtë nga Librazhdi, që është pyetur apo ka dhënë votën apo mendim që kushoja të kandidojë për kryetar bashkie. Asnjë, as këtu dhe askund në Shqipëri. Ata dolën nga bodrume mafioze dhe ju e patë vetë se çfarë përfaqësojnë,” tha Berisha.

“Çfarë bën ky para jush, në vend që të paraqesë se çfarë ka bërë për Librazhdin në 10 vite në pushtet, ky vjen me zorin qorre në gojë dhe kërkon t’u mashtrojë ju. Ai le ta mbajë për veten e vet, po këtu një njeri normal vjen dhe jep llogari. Qytetarët presin se çfarë ke bërë ti dhe çfarë do bësh për vitet e ardhshme.

Duke pasur si trashëgimi vjedhjen e tmerrshme të qytetarëve, dëbimin e 1 milion shqiptarëve në tetë vite, duke pasur si trashëgimi arrestimin e 38 mijë shqiptarëve për një vit, ai nuk del dot përpara jush.

I bëri premtimet, ju kujtohet. Ujë 24 orë dhe legalizime brenda mandatit. Ja ku është uji, ja ku janë legalizimet. Vetëm mashtrime. Tani përpiqet që të gjithë kërkesën e llogarisë që çdo njeri ia bën atij, ta bllokojë me banalitet, me vulgaritet. Ndaj ne ta lëmë atë me atë në gojë dhe të votojmë për veten tonë, të votojmë për Shefki Çotën,” theksoi kryetari demokrat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco