‘Korsia e biçikletave falimenton bizneset në Tiranë’/ Pronarët peticion bashkisë: Po na shkatërroni

12:38, 27/04/2023
A+ Aa A-

Pronarët e bizneseve në rrugën Xhorxh Bush në Tiranë janë ngritur në protestë pasi bashkia po ndërton një korsi biçikletash në këtë zonë.

Duke folur për gazetaren e SYRI-t Fabiona Pasho në emisionin KAFE SHQETO, një prej pronarëve theksoi se i kanë drejtuar një peticion bashkisë ku i tegojnë se heqja e parkimit të makinave në pjesët anësore të rrugës dhe vendosja e korsive të biçikletave do ti falimentojë bizneset dhe do të krijojë të njëjtën situatë si te rruga Myslym Shyri apo Rruga e Durrësit.

Gjithashtu ajo që biznesmeni ngriti me shqetësim ishte dhe përgjysmimi i xhiros ditore të këtyre bizneseve nga këto ndërhyrje, por më e keqja është se vendosja e korsisë së biçikletave do i shkatërronte fare.

Gazetarja Fabiona Pasho: Prej disa javësh në rrugën Xhorxh Bush kanë filluar punimet për rindërtimin e kësaj rruge ku të parët që penalizohen nga ky rindërtim rruge janë bizneset që ndodhen në këtë rrugë. Ditën e sotme biznesmenët janë mbledhur në një protestë simbolike për të kërkuar nga Bashkia e Tiranës mos ndërtimin e një korsie biçikletash, e cila në fakt i penalizon këto biznese prandaj dhe ato i janë drejtuar me një peticion bashkisë ku kërkojnë rishqyrtim dhe marrjen e një mase që këto biznese të mos penalizohen nga kjo korsi biçikletash pasi është e njëjta situatë që ka ndodhur edhe në rrugën Myslym Shyri ku shumë biznese falimentuan për shkak të bllokimit dhe ngushtimit nga korsia e biçikletave, gjithashtu edhe në rrugën e Durrësit. Jemi në një situatë ku të gjitha bizneset penalizohen nga projektet e bashkisë. Edhe nga biseda që kam pasur me pronaret ata shprehen se nuk janë kundër zhvillimit por janë kundër zhvillimit pa plan dhe pa u konsultuar me ta dhe për pasojat që vijnë.

Pyetje: Ju si biznese konkretisht çfarë shqetësimi u ka shkaktuar kjo ndërhyrje e bashkisë?

Biznesmeni: Kjo rrugë që prej ndërtimit të saj, korsitë anësore të kësaj janë përdorur për parkime mjetesh. Tani me rikonstruksione të ndryshme që i janë bërë rrugës, me ndërtimin e qendrës tregtare Toptani përballë kanë filluar që këto parkime të hiqen pjesë pjesë. Tani së fundmi po hiqet pjesa e fundit që është për parkimin e makinave dhe do të bëhet korsi biçikletash. Duke parë eksperiencat e mëparshme në rrugën Myslym Shyri dhe në Rrugën e Durrësit, por edhe në shumë rrugë të tjera të Tiranës, këto parkime që hiqen dhe këto korsi biçikletash që hiqen kanë ndikuar në mënyrë shkatërrimtare për bizneset e vogla. Kjo nuk është shaka por është tejet serioze për punën tonë dhe ju drejtuam me një peticion bashkisë në mënyrë që të mari parasysh kërkesat dhe interesat tona. Kur u ndërtuar kjo rrugë asnjë nuk mori mendim nga ne as është konsultuar edhe pse sipas ligjit duhet të konsultohen me grupet e interesit dhe nuk ka pyetur askush dhe e kanë bërë korsi biçikletash. Ne nuk jemi kundër korsive të biçikletave por këto korsi nuk duhet të shkatërrojnë bizneset tona. Bizneset e vogla në Tiranë janë motorri i zhvillimit të vendit dhe kontribuuesi kryesor i ekonomisë shqiptare i punësimit etj. dhe nuk mundet që sjellja në këtë mënyrë e qeverisë apo bashkisë të mos na pyesë fare dhe pa i vendosur në peshore interesat tona.

Përtej të tjerave kjo rrugë këtu mbase nuk do ishte fare e nevojshme për ta rikonstruktuar pasi po vendoset i njëjti asfalt që nuk është i prishur dhe po vendosen të njëjtat pllaka dhe mbase nuk është e nevojshme fare për tu rikonstruktuar.

Ne prej disa muajsh jemi duke e vuajtur ndërhyjen e bashkisë me rënien në punën tonë për shkak të bllokimit të qarkullimit. Ne kemi interesin e drejtpërdrejtë tonin se po na hiqet mundësia që të ndalojnë klientët para dyqaneve tona me makina dhe kjo është shkatërrimtare për bizneset tona.

Pyetje: Sa është rënia e xhiros ditore nga kjo ndërhyje?

Biznesmeni: Absolutisht që ka rënie. Por këtë ne e pranojmë kur këtu rregullohet dhe bëhet diçka për mirë nuk është problem se po rrimë 1 muaj apo 2 muaj me rënien e xhiros por për diçka më mirë, por për diçka më keq kjo është shkatërrimtare. Për momentin që ne flasim xhiroja ka rënë gati gjysëm për gjysëm.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco