INTERVISTA/ Fisnik Qosja synon kreun e bashkisë së Kavajës me një Paketë Sociale të jashtëzakonshme

INTERVISTA/ Fisnik Qosja synon kreun e bashkisë së Kavajës me një Paketë Sociale të jashtëzakonshme

10:39, 25/04/2023
A+ Aa A-

“Bashkia e Kavajës nën drejtimin tim pas 20 ditësh, do të ketë një paketë sociale të jashtëzakonshme”.

Kur një bashki si Kavaja me 85 mijë banorë, me afërsisht 30 km vijë bregdetare, me hoteleritë ndër më të mirat e Shqipërisë, me kodrat panoramike të mrekullueshme, me  toka pjellore të jashtëzakonshme, me njerëz punëtorë, biznesmenë të suksesshëm dhe intelektualë përfundon në falimentim, kjo nuk ka emër tjetër përveçse papërgjegjshmëri totale e kryetarit aktual të baskisë. Pse?! Sepse ai ka ardhur si i emëruar, nuk ka asnjë lidhje me Kavajën, nuk e ka peshën e votës ose më saktë, peshën e “fanellës”!  

“Në vendin e tij, unë nuk do të kandidoja fare për kryetar bashkie”, gjykon z. Fisnik Qosja, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Kavajës, në një intervistë në studion e Kafe Shqeto në SYRI TV, Fisniku, i cili çdo hap të karrierës së tij modeste politike e ka ngjitur vetëm duke u votuar.

Ndiqni intervistën e tij:

Kafe Shqeto: Ju jeni kandidat i dalë nga primaret për këtë bashki. Cila është përgjegjësia që ndjeni sot?

Fisnik Qosja: E them shpesh se primaret ishin një proces i mrekullueshëm ku qytetari zgjedh kandidatin dhe qytetarin e parë të qytetit të tij. Kavaja pati një proces të jashtëzakonshëm primaresh, një pjesëmarrje të jashtëzakonshme që më ngarkon me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri për të ardhmen, që tregon se vota është themeli i demokracisë.

Kafe Shqeto: Kavaja ka qenë një bastion historik i së djathtës. Çfarë do të thotë për qytetarët në bastionet historike të PD-së, çfarë adrenaline, çfarë ngarkese emocionale dhe zhvillimore ka për këta banorë që të kthehen le të themi, tek identiteti i tyre politik?

Fisnik Qosja: Ju e thatë shumë mirë që Kavaja ka qenë bastion, pas një periudhe tranzitore. Unë e ndiej çdo ditë; e nis ditën në 7 e gjysmë të mëngjesit dhe e mbyll shumë vonë. E ndiej çdo ditë në çdo shtrëngim duarsh e çdo sy të qytetarëve të Kavajës, që ka një dëshirë të jashtëzakonshme për ta kthyer Kavajën aty e ku e meriton, në panteonin e lirisë dhe të demokracisë. Kavaja ka dhënë kaq shumë për lirinë e demokracinë këto 32 vjet, por është lënë në harresë në harresë nga pushteti të paktën këto dhjetë vitet e fundit, është degraduar.

Kafe Shqeto: Ka një panteon tjetër tjetër ku Kavaja  ndodhet. Nëse flasim për vijë bregdetare efektive, Kavaja besoj me pak metra ia kalon Durrësit. Ne të gjithë themi “Durrësi, Durrësi” po plazhin e bëjmë në Kavajë. Kavaja ka plazhin më të investuar, më të bukut në gjithë Shqipërinë ranore dhe megjithatë kemi një personazh si kreu aktual i bashkisë së Kavajës që ka arritur të falimentojë një superfuqi ekonomike si Kavaja. Mbi të gjitha, ditën pasi doli lajmi që ky e falimentoi bashkinë, ai hodhi foto me Fatos Nanon ku e falenderonte për këshillat ekonomike!!! Një nga ironitë më të mëdha.

Fisnik Qosja: Po Fatos Nano është “qoka” e kryetarit të bashkisë! Kavaja, jo vetëm vijën bregdetare e ka të mrekullueshme, po Kavaja ka kodrat panoramike të mrekullueshme, ka relievin më të mirë të kodrave, toka pjellore të jashtëzakonshme, ka njerëz punëtorë, ka biznesmenë të suksesshëm, ka intelektualë, ka njerëz që e duan vendin e tyre. Pra, ka gjithë resurset e mundshme njerëzore dhe natyrore për ta bërë Kavajën një krenari më vete. Jam krenar kur e them që jam nga Kavaja.

Një kryetar bashkie i papërgjegjshëm e çoi në faliment bashkinë e Kavajës. Ne kemi dëgjuar shumë shpesh që falimentoi një kompani, falimentoi nja fabrikë, po që të falimentojë një bashki aq më tepër bashkia e Kavajës që ka gjithë këto resurse?! Një papërgjegjshmëri totale!

Dhe pse vjen kjo?! Kjo vjen sepse njeriu që është sot kryesor, drejtues aktual i bashkisë së Kavajës dhe për pak ditë, nuk vjen nga burimi i votës. Ai vjen si i emëruar dhe fakti që vjen si i emëruar nuk ka sesi ta çojë përpara këtë lloj përgjegjësie, nuk e ndien peshën e votës. Pesha e votës na vë të gjithëve përballë përgjegjësisë, pesha e “fanellës”. Ai nuk e ka peshën e “fanellës”! Ai ka ardhur aty si i emëruar dhe ashtu po ikën! Pra, është gjynah. Unë të isha në vendin e tij, nuk do të kandidojë për kryetar bashkie. Një bashki si Kavaja me 85 mijë banorë, me afërsisht 30 km vijë bregdetare, ka ndër hoteleritë më të mirat e Shqipërisë ta çosh në falimentim…

Kafe Shqeto: Po taksat?

Fisnik Qosja: Taksat hyjnë në varësi të qejfeve,  dëshirave e humorit të kryetarit të bashkisë, drejtuesit aktual dhe nuk përkthehen në shërbime, nuk përkthehen në investime. Përkthehen në investime personale të një njeriu të vetëm që nuk ka asnjë lloj lidhjeje, përgjegjshmërie në lidhje me Kavajën. Kjo është për të ardhur keq.

Kafe Shqeto: Na daljen e tij të fundit që ka pasur kreu i PD, e ka akuzuar Ramën se është duke bërë një genocid ndaj shqiptarëve. Sa e ka prekur ky fenomen qytetin e Kavajës dhe cilat janë planet apo stretegjitë, programi juaj për këto zgjedhje?

Fisnik Qosja: Si çdo qytet i Shqipërisë, ky gjenocid e ka kapur edhe Kavajën, pa diskutim, se s’mund të rrijë menjanë. Kjo çon prapë tek ajo që themi që papërgjegjshmëria e një drejtuesi politik ose e një drejtuesi bashkie siç është ky zotëria që është sot, ka bërë që të shtohet edhe të thellohet më tepër, sepse nuk ka asnjë lloj komponenti, asnjë lloj inovacioni, që ky të afrojë për qytetarët, për të rinjtë e Kavajës, që sot janë ndër më të mirët kur shkollohen dhe janë studentët më të mirë nëpër botë, nëpër vende të tjera  dhe në Kavajë  nuk kthehen.

Bashkia e Kavajës nën drejtimin tim pas 20 ditësh do të ketë një paketë sociale të jashtëzakonshme. Unë do ta them dhe në programin tim, ditën e shtunë kemi hapjen e programit, hapjen e fushatës. Kemi një paketë sociale ku i afrojmë gjithë të rinjve mundësitë më të mira për të kontribuar për Kavajën për të kontribuar për vendin e tyre. Kavaja është qytete i mrekullueshëm që ka resurse pa fund njerëzore, natyrore për ta zhvilluar dhe mjafton vetëm dëshira e mirë. Këtu ka humbur dëshira.

Kafe Shqeto: Sa kohë duhet z. Qosja, nga 14 maji, data 15, ja edhe festa më 16 maj që të fillojmë punën mbarë, sa kohë duhet të ndjehet në bashkinë e Kavajës veçanërisht ndryshimi efektiv në administrim, në menaxhim, në ndjesinë e lirisë?

Fisnik Qosja: Unë e kam thënë, që të jemi pak modestë dhe me këmbë në tokë, unë s’do të kem shkopin magjik që ta ndryshoj Kavajën brenda një muaji. Unë them që dora e bashkisë së Kavajës do të ndjehet brenda 1-vjeçarit të parë, ku ne do të fillojmë…sepse infrastruktura në qytet dhe nëpër fshatra është skandaloze. Që në kohën e PD, Kavaja nuk ka parë më investime serioze, ka parë investime, interesa të vogla në qendrën urbane, interesa të vogla të humorit të njërit apo tjetrit. Pra, nuk ka parë në mënyrë kapilare investime në të gjitha skajet e qytetit apo të fshatrave. Ka parë vetëm në një rreth të ngushtë. Kështu që unë them që brenda vitit të parë, dora e bashkisë së Kavajës do të ndihet nga cepi në cep të Kavajës dhe në qendër gjithashtu.

Kafe Shqeto: A keni një qasje ndaj strukturës së tatim-taksave të bashkisë për bizneset? A do të bëni ndryshime?

Fisnik Qosja: Pa diskutim. Do të ristrukturojmë të gjithë drejtorinë e menaxhimit të taksave për t’i dhënë qytetarit, për ta çuar shërbimin aty qytetari e ka hallin e përditshëm, jo aty ku e ka qejfin kryetari i bashkisë apo kur të bëjë qokat kryetari i bashkisë. Bashkia e Kavajës është bërë bashki qokash në këto momente dhe unë them që më 14 maj do të marrë fund.

Kafe Shqeto: A do të thotë që do të keni ju një operacion “fshesa” në administratë?

Fisnik Qosja: Ndoshta s’e them operacion “fshesa”, se duket sikur po abuzoj me të qenit kryetar bashkie, por unë do të vendos drejtësi dhe do të vendos ato parime që ta bëjmë Kavajën më të mirë, më të banueshme dhe më të jetueshme. T’i shkojmë më afër qytetarit, sepse jemi larguar fare nga qytetari, sepse nuk vijmë nga vota e qytetarëve, kështu që s’e kemi lidhje me qytetarin, pra bashkia që është aktualisht. Partia Demokratike ka qenë gjithmonë më afër qytetarëve. Investimet në bashkinë e Kavajës mbahen mend që në 2009, 2010, 2012. Pas 2013, bashkia e Kavajës nuk ka parë më investime. Aq më tepër ky që është aktual, është “ku të therret qameti” i themi ne… Unë s’e quaj fare kryetare bashkie atë.

Kafe Shqeto: Ju e përmendni shpesh votën në deklaratat tuaja dhe sigurisht, procesin e primareve. A keni ju një lidhje historike me PD-në?

Fiskik Qosja: Unë jam rritur në Partinë Demokratike. E them me krenari këtë. Kam pasur poste politike të vogla, deri diku normale dhe i kam marrë të gjitha me votë, kryetar forumi, anëtar kryesie. Pra, unë çdo gjë në karrierën time politike e kam fituar me votë, nuk kam fituar gjë me emërim. Kështu që edhe këtë herë më 14 maj unë do ta fitoj me votën e  qytetarëve të Kavajës drejtimin e bashkisë së Kavajës, për t’i shërbyer atyre. Jam shërbëtor i qytetarëve të mi, absolutisht, jo shërbëtor i interesave të mia personale./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco