Inceneratorët, Koka e sfidon Veliajn: Po të bëj të njëjtat pyetje, edhe pse kërkon të më kthesh në të pandehur!

Inceneratorët, Koka e sfidon Veliajn: Po të bëj të njëjtat pyetje, edhe pse kërkon të më kthesh në të pandehur!

14:07, 20/04/2023
A+ Aa A-

Bledian Koka: |Pavarësisht se zoti Veliaj kërkon të më kthejë në të pandehur, unë i bëj të njëjtat pyetje. Dhe pyetjet janë:

- A e njeh ai shtetasin Gabriele Tarroni Longinotti?

- A ka udhëtuar ai drejt Italisë për të negociuar me kompaninë  Bruno Presezzi dhe presidentin e saj Alberto Presezzi për çështjen e inceneratorëve?

- A ka kërkuar të blejë një incenerator nga bashkia e Konstancës në Rumani, i cili nga bashkia atje ishte konsideruar i papërdorshëm dhe sipas deklaratave të shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti me shumë gjasa ka mbërritur në Shqipëri?

- A e njeh ai shtetasin Miliad Lopa?

- A ka udhëtuar ai me shtetasin Miliad Lopa jo vetëm në territorin europian por edhe në shtete të Lindjes së Mesme?"

Bledian Koka, Drejtori i Informacionit në SYRI TV, që u paraqit sot në gjykatë për shkak të një padie “për shpifje” që i ka bërë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj,  shpjegoi para medias  se qëllimi i Veliajt është vetëm të bëjë presion mbi gazetarët dhe në rastin konkret, mbi të dhe emisionin investigativ “Piranjat” që transmetohet në SYRI TV për shkak të një denoncimi të një biznesmeni italian. Shih:" Intervista ekskluzive me dëshmitarin e munguar të SPAK për çështjen e inceneratorëve"

Por, Bledian Koka, që solli në vëmendje me ironi se gjykata ia ka caktuar seancën ardhshme me 5 maj, Ditën e Dëshmorëve”, ia përsëriti sot publikisht nga oborri i gjykatës, Erion Veliajt, të gjitha pyetjet për lidhjet e kryebashkiakut me bosët e inceneratorëve, duke shtuar madje edhe disa të tjera.

Ndiqni në vijim, deklaratën e plotë të gazetarit Bledian Koka bashkë me një mesazh për “pengmarrësin” e bashkisë së Tiranës, siç e cilësoi ai, kreun socialist të saj, Erion Veliajn:

“E vetmja shpifje që unë rezultoj të kem bërë të paktën për çështjen që i referohet, ka të bëjë me një intervistë, - shpjegoi Koka. -  Pra, sot një gazetar në Shqipëri, akuzohet se ka bërë një intervistë. Akuzohet se ka marrë një person, i cili ka të vërtetën e tij, që mban përgjegjësi për të vërtetën e tij.

E në vend që të merret, po them sikur e gjithë vëmendja të drejtohet drejt personit që ka bërë deklaratën, në këtë rast shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti - padia ka ardhur në adresën time!

Është e padiskutueshme që ky është aksion politik, parapolitik  do ta quaja unë.  Jemi realisht në kuadrin e asaj që ka ndodhur para viteve ’90 që njihej ndryshe si Neni i famshëm 55 “Për agjitacion e propagandë”.

Pra, të flasësh në Shqipëri sot është krim; të flasësh në Shqipëri sot kundër stabilishmentit, kundër njerëzve që keqpërdorin dhe shpërdorojnë pushtetin, siç është rasti i shtetasit Erion Veliaj, që ka më shumë se një akuzë për mënyrën se si qeveris bashkinë e Tiranës, është krim dhe ai përdor të gjithë sistemin e tij dhe të gjithë pushtetin e tij në sistemin e drejtësisë për të bërë presion mbi gazetarët, në këtë rast mua dhe mbi emisionet investigative, emisionin investigativ “Piranjat”.

Ajo që ka ndodhur sot, edhe duke folur me juristë që e njohin shumë mirë sistemin e drejtësisë, është gati në kufijtë e sureales.

Ka një sistem drejtësie që prezumohet se është reformuar. Kur është çështja për shtetasin Erion Veliaj, sistemi funksionon në perfeksion. Thjesht, para tri javësh, ne patëm padinë, nismën, deklaratën publike të përfaqësuesit ligjor të shtetasit Veliaj në Partinë Socialiste kundër një gazetari dhe kundër një medieje dhe thjesht pas shtatë ditësh, ne menjëherë u vumë në dijeni për padinë e menjëherë, direkt, për 3 javë, ne sot jemi në gjykatë!

Sa mirë do të ishte sikur kjo lloj koherence, kjo lloj shpejtësie, kjo lloj drejtësie, të funksiononte edhe për qytetarët e thjeshtë, ata që kanë çështje pronash, ata që kanë çështje divorcesh, mijëra e mijëra çështje; sa mirë do të ishte sikur kjo drejtësi të funksiononte me të njëjtën zemërgjerësi, me shpejtësi e unë do të isha shumë krenar sot dhe nuk do ta bëjë këtë deklaratë.

Por, e vërteta është krejt e kundërta: Pra, kur në lojë është interesi i Erion Veliajt apo i gjithë njerëzve të Rilindjes, drejtësia funksionon në mënyrë perfekte, shpejt, saktë dhe pa ekuivok.

Kur bëhet fjalë për qytetarët e thjeshtë, drejtësia vonon, drejtësia ka dosje që duhet t’i rishikojë dhe kërkohet durim, durim e durim dhe ata që e pësojnë janë qytetarët shqiptarë.

Sot seanca sigurisht dështoi sepse ai që e ka ndërmarrë këtë nismë, shtetasi Erion Veliaj, e ka të qartë fare mirë: qëllimi është të më bëjë mua, të më intimidojë mua, të intimidojë gazetarët përmes meje, shumë prej nesh  që nuk pajtohen me mënyrën se si ai qeveris dhe këtë nuk e bëjmë për arsye politike, por sepse kjo është kredoja e gazetarit. Një gazetar duhet të jetë në opozitë me pushtetin dhe kurrë në prehrin e pushtetit.

Unë e përsëris edhe njëherë: Personalisht këtë e konsideroj si një medalje nderi në gjoksin tim! Pas një punë 20-vjeçare si gazetar më në fund e mora dhe një vlerësim. Nder më të madh për një gazetar sesa ta padisë një politikan për shpifje, se ai bën punën e tij, unë mendoj se nuk mund të ketë. Dhe ky minimalisht është një lajm i mirë. Fakti që ne kemi bërë diçka që e ngacmon nervin e politikanit, të shtetasit Erion Veliaj, që është dhe pengmarrësi i bashkisë së Tiranës, mendoj se është gjë e mirë dhe shpresoj shumë që ky lloj vizioni, kjo lloj qasje e gazetarëve të zgjerohet sa më shumë se kjo i bën nder jo vetëm Tiranës, por i bën nder gjithë Shqipërisë.

Me thënë të drejtën, për mua sot është një ditë shumë e bukur dhe mezi po pres përballjen e radhës që me vendim të gjykatës na e lanë Ditën e Dëshmorëve, më 5 maj në orën 9:30 në të njëjtën gjykatë.  

Pyetje: Ju thatë që ishte seancë pajtimi. Cilat kanë qenë pretendimet tuaja?

Bledian Koka: Nuk mund të ngrinim pretendime për aq kohë sa ne nuk dimë kush është thelbi i padisë që ata na kanë bërë. Në njoftimin e gjykatës thuhet vetëm se akuzohemi për shpifje.

Nuk na thuhet se kush është personi. Sigurisht që mirë do të ishte që Erion Veliaj të vinte të përballej vetë me mua apo me zotin Bregu që është edhe producenti i emisionit “Piranjat” dhe të thoshte në sy çfarë pretendimesh ka. Meqë ra fjala, meqë po flasim për zotin Veliaj dhe padinë e tij, unë i bëj thirrje publike zotit Veliaj që në momentin që ai ka bërë (akti që ka shkaktuar padinë, të paktën në dijeninë time ka qenë fakti që ne pasi bëmë nëj transmetim në emisionin “Piranjat” ku jepnim me zë e figurë një denoncim të një shtetasi italian që pretendon se e njeh zotin Veliaj, që e ka takuar dhe e ka parë duke negociuar me ata që konsideron si bosë të inceneratorëve) ne i kemi dërguar zotit Veliaj disa pyetje. Unë personalisht, në emër të redaksisë “Piranjat” kuptohet, në këmbim të përgjigjeve për pyetjet dhe atë që është puna normale e një gazetari të marrë edhe reagimin e personit që përmendet në materialin e tij, unë mora në këmbim një padi për shpifje!!!  

Pavarësisht kësaj unë sot këtu jam dhe gazetar, pavarësisht se zoti Veliaj kërkon të më kthejë në të pandehur, i bëj të njëjtat pyetje.  Dhe pyetjet janë:

- A e njeh ai shtetasin Gabriele Tarroni Longinott,?

- A ka udhëtuar ai drejt Italiasë për të negociuar me kompaninë  Bruno Presezzi dhe presidentin e saj Alberto Presezzi për çështjen e inceneratorëve?

- A ka kërkuar të blejë një incenerator nga bashkia e Konstancës në Rumani, i cili nga bashkia atje ishte konsideruar i papërdorshëm dhe sipas deklaratave të shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti me shumë gjasa ka mbërritur në Shqipëri?

Unë do të shtoja edhe një pyetje publike për Erion Veliajn:

- A e njeh ai shtetasin Miliad Lopa?

- A ka udhëtuar ai me shtetasin Miliad Lopa jo vetëm në territorin europian pro edhe në shtete të Lindjes së Mesme?

Këto janë pyetje shtesë të cilat unë do t’ia adresoj zotit Veliaj zyrtarisht në e-mail e tij zyrtar dhe normalisht do të duhej të kisha përgjigje si gazetar. Unë nuk mendoj kurrë se do të kem përgjigje për këto pyetje sepse zoti Veliaj nuk e ka në interesin e tij të sqarojë opinionin publik por ka në interesin e tij thjesht e vetëm intimidimin e gazetarëve që nuk i ka në borderonë apo në rreshtin apo urdhërat e tij politike.

Unë jam një nga ata që dhe kushdo që më njeh e di që nga dita kur ai ka vënë këmbë në politikën aktive, nga viti 2013 e këtej i kam qëndruar përballë e do të vazhdoj t’i qëndroj përballë sa herë të dojë, si të dojë dhe ku të dojë.”/ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco