SYRI TV/ Emigracioni dhe çmimet tkurrin konsumin, ekonomia del nga zona e rehatisë

12:27, 14/04/2023
A+ Aa A-

Ekonomia shqiptare po përballet me një periudhë vështirësie. Emigracioni dhe çmimet e larta kanë tkurrur konsumin, gjë që ka sjellë rënie të të ardhurave vjetore nga TVSH.

Nga SYRI TV

Rezultatet fiskale të muajit shkurt 2023 tregojnë se ekonomia ka dalë nga zona e rehatisë me konsum të lartë dhe norma të larta arkëtimesh në buxhetin e shtetit, teksa çmimet e larta dhe emigracioni, sidomos i të rinjve po dobësojnë konsumin.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, të ardhurat nga tatimet dhe doganat në shkurt ishin në vendnumëro në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, teksa të arkëtimet nga TVSH-ja, një tatim mbi konsumin shënuan rënie me 6.7%.

Në shkurt, të ardhurat tatimore ishin 39.5 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me shkurtin 2022, kur rezultuan 39.4 miliardë lekë. Duke pasur parasysh dhe inflacionin, që në shkurt 2023 ishte 7.1% dhe rritjen ekonomike të pritshme prej 2%, ecuria reale e të ardhurave tatimore ishte negative.

Në muajin shkurt arkëtimet nga TVSH-ja arritën ne 13.5 miliardë lekë, rreth 968 milionë lekë më pak se në shkurtin e vitit 2022.

Krizat e njëpasnjëshme dhe sidomos rritja e çmimeve vitin e fundit kanë ulur konsumin në disa kategori mallrash sidomos ushqimet.

Të dhënat nga INSTAT njoftojnë se për dy- mujorin e parë 2023 importet e grupeve kryesore të ushqimeve pësuan rënie dyshifrore në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar, të matura në sasi.

Rënien më të madhe e kanë shënuar vajrat vegjetale me gati 40 për qind. Në janar- shkurt 2023 u importuan mbi 4 mijë tonë vajra vegjetale në krahasim me 6,996 tonë në të njëjtën periudhe të vitit 2022.

Pas vajit, rënia më e madhe e konsumit ka vijuar me drithërat. Në 2-mujorin e parë 2023 importet e drithërave ranë me rreth 33%, ku faktori kryesor është tkurrja e popullsisë.

Të dhënat zyrtarë nga agjencitë Britanike dhe Eurostat sugjerojnë se deri në fund të vitit të kaluar kishin ikur nga vendi më shumë se 30 mijë persona shumica e tyre të rinj, çka po ndihet në konsum.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco