Tensionohet situata, Bërxulla përplaset me policinë te Kadastra: Vetëgjyqësia po bëhet detyrim

Tensionohet situata, Bërxulla përplaset me policinë te Kadastra: Vetëgjyqësia po bëhet detyrim

09:06, 13/04/2023
A+ Aa A-

Është tensionuar situata në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ku banorët e fshatit Bërxullë po tentojnë të hyjnë në zyra për të marrë përgjigje për çertifikimin e pronave.

Policia ka ndërhyrë për t’i ndaluar duke u thënë se godina është private dhe në ruajtje, por banorët kanë thirrur se janë zyra të shtetit, se duan përgjigje për pronat e tyre, se nuk duan dhunë.

Pollicia i ka kërkuar të krijojnë një përfaqësi dhe banorët kanë rënë dakord të negociojnë duke theksuar se nuk duan dhunë, duan vetëm përgjigje për pronat që do t'u shpronësoeh nga projekti i autostradës Thumanë-Kashar. Tashmë ata janë duke pritur.

Kryeplaku i fshatit tha se ai e ka njoftuar rregullisht Policinë për protestat që do të zhvillojnë, që 24 orë para, sipas ligjit. “Po kur paligjshmëria bëhet ligj, atëherë vetëgjyqësia bëhet detyrim, - tha ai. -  Dhe unë tani do të përdor metodën tjetër, do të luaj të gjitha kartat e mia. Se kështu qenka: i kërkon me të drejtë - nuk merr. Do ta kërkoj në mënyrë të tërthortë.

Firma ka arritur duke manipuluar banorë që mund t'u ketë afruar ndonjë shumë lekësh dhe ka përparuar në zhvillimin e rrugës, por habitem, sinqerisht habitem sepse rruga ka përparuar dhe projekt rruge akoma nuk ka! Edhe pse leja e ndërtimit nuk del as në Fletoren Zyrtare; nuk del as projekti i rrugës, nuk del as sesi do të zhvillohet me mbikalime, nënkalime”, shpjegoi ai.

Banorët e Bërxullës kanë që në orën 7:30 të mëngjesit duke tentuar të marrin përgjigje për çertifikimin e pronave.  Ata kanë shtatë muaj që protestojnë dhe janë përballur vetëm me heshtje dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet shtetërore se cili do të jetë fati i tokave që po vlerësohen me çmime qesharake dhe që nuk kanë lidhje me çmimin real të tregut, ku toka realisht vlerësohet me 50 euro/metri katror.

Forcat policore që ruajnë godinën kanë qenë edhe të Policisë së Shtetit, edhe roje private. Kanë qenë këto të fundit dhe administratorët e godinës, që janë përpjekur të qetësojnë banorët dhe t’u kërkojnë të presin me durim që të komunikojnë me zyrtarët, të cilët janë futur fshehurazi në zyra nga dyert e pasme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco