SYRI TV/ Rama bën shou me kryebashkiakët e falimentuar, i rikandidoi 9 muaj pasi i kërcënoi

12:00, 12/04/2023
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama hapi fushatën elektorale me kandidatët për kryebashkiakë duke shënuar shoun e radhës me mbjellje pemësh. Por me rikandidimin e po të njëjtëve kandidatë, Edi Rama sfidoi memorien e qytetarëve, pasi vetëm 9 muaj më parë ishte ai që dha alarmin se për shkak të abuzimit dhe keqmenaxhimit nga kryebashkiakët socialistë, 12 bashki ishin në prag të falimentimit. Edhe pse këta kryebashkiakë u denoncuan nga vetë Rama për abuzime, sot në krah të tyre, u kërkon qytetarëve që të harrojnë raportin e falimentimit dhe t’i japin sërish votën, e në këtë mënyrë të zhyten edhe më shumë në krizë

SYRI TV

9 muaj më parë, në qershor të vitit 2022, ishte vetë kryeministri Edi Rama që dha alarmin për falimentimin e 2 bashkive, Vorës dhe Kavajës, ndërsa 10 të tjera si Belshi,  Malësia e Madhe, Cërriku, Poliçani, Roskoveci, Dimali, Pogradeci, Delvina, Lezha e Rrogozhina ishin po aq te rrezikuara nga falimentimi, e shkak për këtë u konstatua moskrijimi i një burim të ardhurash të pavarur dhe që lidhet me tregun. Korrupsioni i lartë dhe abuzimi bëri që Rama të fliste publikisht për falimentim të bashkive.

Por sot në nisje të fushatës elektorale, falimentimi i këtyre bashkive u harrua e korrupsioni dhe keqmenazhimi i la vendin ahengut, ku Rama së bashku me kryebashkiakët e akuzuar 9 muaj më parë u shfaqën në shoun e radhës të mbjelljes së pemëve, në vend të një përgjigje për bashkitë që rrezikojnë të mos paguajnë dot as pagat e administratës.

Për zgjedhjet e 14 majit, kryeministri sfidoi edhe njëherë memorien e qytetarëve, pasi në të gjitha bashkitë, ku falimentimi është tek dera, por edhe në të tjerat me vështirësi financiare, rikandidoi po të njëjtit persona edhe pse ishte ai vetë që i akuzoi  se nuk po bënin punën, e madje i kërcënoi se këto bashki do i merrte vetë në administrim.

Teksa zgjedhjet ishin shumë larg, e ky kërcënim do të harrohej, kryeministri po vetë dha edhe një nga shkaqet e këtij abuzimi, që ishin pikërisht përdorja e fondeve për efekt elektoral. 

Por ndërsa sot ky abuzim e keqmenaxhim është i leverdishëm për Edi Ramën, mbetet për tu parë nëse rikandidimi i po të njëjtëve kryebashkiakë që i çuan në falimentim ka si qëllim marrjen përfundimtare të tyre në administrim nga ai vetë, duke zhytur edhe më shumë qytetarët në një krizë të administrimit të bashkive e abuzimit me taksat e tyre. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco