Rama shkel Kodin Zgjedhor/ Glover: Do  e vëzhgojmë me shumë kujdes

Rama shkel Kodin Zgjedhor/ Glover: Do e vëzhgojmë me shumë kujdes

09:32, 08/04/2023
A+ Aa A-

Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) hapi të premten misionin vëzhgues për zgjedhjet vendore të 14 majit me 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër.

Misioni do të drejtohet nga ambasadorja Audrey Glover, e cila në një konferencë për mediat, tha se misioni do të vëzhgojnë zgjedhjet për pajtueshmërinë e tyre me angazhimet e OSBE-së dhe detyrimet e standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Fokusi i misionit do të jetë financimi i fushatës dhe zbatimi i ligjit për një garë sa më të barabartë.

E pyetur nga BIRN për veprimet e partisë në pushtet për të përdorur burimet publike në funksion të fushatës politike, Glover u përgjigj shkurt se “do ta vëzhgojmë me shumë kujdes”.

Duke theksuar nevojën e respektimit të standardeve zgjedhore Glover theksoi se “zbatimi i ligjit është më i rëndësishëm se vetë ligji”. “Por zbatimi i tij varet nga vullneti politik”- shtoi ajo.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama premtoi të premten rritje pagash brenda vitit edhe pse Kodi Zgjedhor ndalon katër muaj para zgjedhjeve dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara – ku përfshihet edhe rritja e pensioneve dhe pagave.

“Sapo kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave dhe kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë se në harkun e një viti paga mesatare në Shqipëri do shkojë nga 563 euro që është sot në 900 euro”- tha ai.

Më herët qeveria e tij mori vendim për të shpërndarë shperblime në masën 5 mijë lekë për të gjithë pensionistët 1 muaj para zgjedhjeve, pavarësisht kritikave se kjo cënon barazinë në zgjedhje.

Misioni vëzhgues i ODIHR-it shpalli disa nga fushat kryesore ku do të fokusohet vëzhgimi i procesit zgjedhor.

“Do u kushtojmë rëndësi punës së administratës zgjedhore dhe organeve qeveritare dhe zbatimit të rekomandimeve të lëna më parë nga ODIHR, mjedisit të fushatës, pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor, si dhe pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara dhe përfaqësimin e pakicave kombëtare”- tha Glover.

Po ashtu ajo cilësoi si me rëndësi dhe nëse do të pengohet media në raportim dhe financimin e fushatës në monitorimin e procesit./BIRN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco