Berisha: Rama protestoi kundër Rrugës së Kombit. Ftoj çdo emigrant të vijë më 14 maj dhe të firmosë ndryshimin!

20:01, 06/04/2023
A+ Aa A-

Gjatë takimit të zjarrtë me kuksianët ku prezantoi kandidatin e koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë", për kryetar bashkie, Admir Sinamati, kryetari i PD, Sali Berisha solli në vëmendje qëndrimet e Edi Ramës kundër ndërtimit të Rrugës së Kombit. 

Lideri demokrat ftoi emigrantët që të vijnë në 14 maj dhe të votojnë, për të firmosur ndryshimin, siç u shpreh ai. 

Berisha ftoi edhe socialistët që t'iu bashkohen demokratëve në këtë betejë. 

"Ata që jetuan në diktaturë, ata e dinë mirë se liria po të kishte një emër të dytë do të quhej dinjitet, se dinjiteti është thelbi i lirisë. Me Admir Sinamatin, ne kemi respektuar dinjitetin tuaj, lirinë tuaj. Me Ismail Ukën, me Myftar Dautin, me Besnik Dushën, me Arjan Hoxhën me të gjithë kandidatët tanë në të gjithë Shqipërinë. Krahasoni ata, krahasoni këta me kanditatët me shumë emra. 

Tani që po vija tek ju, përtej tunelit në Fanë, takova një grup mirditorësh të cilët kishin takim elektoral me Albert Melyshin, kandidatin tonë. Një çift nga Kosova u ndal dhe kërkoi të bënim një fotografi, më falënderuan për rrugën; u thashë falënderoni edhe këta burra që janë këtu me mua. Dhe u rikujtova se si Edi Rama, i nisi deputetët me jorganë e batanije, e jastëkë, për të shpallur grevë urie në tunel, por ata i përzunë, i përzunë, shkoni i thanë se nuk jeni shqiptarë ju që doni të bllokoni ndërtimin e tunelit. 

Sot kudo ka një atmosferë të jashtëzakonshme, sot kudo demokratët dhe mbështetësit e tyre janë në këmbë, sot epërsia morale është me besimtarët e Zotit, besimtarët e lirisë. Ndaj dhe ju ftoj ju me 14 maj, ftoj çdo qytetare dhe qytetar i këtij rrethi, ftoj emigrantët tanë nga ky qark, kudo që janë, nga Shqipëria kudo që janë, të vijnë në 14 maj dhe të firmosin fitoren, të firmosin ndryshimin. Ftoj çdo socialist, çdo paparti të bashkohet me ne në këtë betejë. 

Falënderoj para jush, Arif Rexhmatin, demokratët të tjerë të cilët refuzuan, dhe i dhanë mbështetjen dhe do i japin mbështetje kandidatit të primareve, liria na bashkon, liria na bashkon, liria na bashkon", u shpreh Berisha. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco