Lajmi i fundit

LIVE/ Ilir Meta takim me strukturat e PL në Berat

Rama mbron Vuçiçin/ Rusia vazhdon të rrisë numrin e diplomatëve në Serbi

Rama mbron Vuçiçin/ Rusia vazhdon të rrisë numrin e diplomatëve në Serbi

11:43, 05/04/2023
A+ Aa A-

Edhe para pak ditësh, kryeministri shqiptar, Edi Rama mbrojti sërish mikun e tij, Aleksandër Vuçiç, i cili refuzon të vendosë sanksione ndaj Vladimir Putinit.

Por ndërsa Rama mbron Vuçiçin, REL raporton se Rusia vazhdoi të rrisë numrin e diplomatëve të saj në Serbi, vendi i rrallë evropian që nuk vendosi sanksione ndaj Kremlinit dhe një nga të paktët në Evropë që nuk kërkoi reduktim të fushëveprimit të misionit rus pas pushtimit të Ukrainës.

Lista diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme tregon se dy diplomatë të tjerë rusë kanë mbërritur në Serbi gjatë muajit mars. Në fillim të marsit, misioni i Rusisë në Serbi kishte 62 diplomatë, ndërkaq më 31 mars ishin 64 të tillë.

Në fillim të marsit, Radio Evropa e Lirë (REL) njoftoi se Rusia, një vit pas pushtimit në Ukrainë, kishte rritur praninë e saj diplomatike në Serbi, pas valës së dëbimeve të diplomatëve nga BE-ja vitin e kaluar.

Me dy ardhjet e reja në mars, numri i diplomatëve rusë në Serbi, që nga shkurti i vitit të kaluar, ka shënuar dhjetë më shumë.

Hulumtimi, në fillim të marsit, tregoi gjithashtu se të paktën tre diplomatë të dëbuar, tani janë përfaqësues të akredituar rusë në Serbi, duke përfshirë dy prej tyre që kanë lidhje me shërbimet e inteligjencës ruse.

Sipas listës së fundit të publikuar nga Ministria e Jashtme, nga 31 marsi, ata ende janë të pranishëm në misionin rus në Beograd.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me ngritjen e re të numrit të diplomatëve.

Radio Evropa e Lirë ka vërtetuar më herët se të paktën një diplomat rus i dëbuar, i lidhur me njësinë e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) dhe i akuzuar për sulme kibernetike që synonin sektorin e energjisë amerikane, është dërguar në Beograd, ndërsa një tjetër është i lidhur me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme Ruse.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco