SYRI TV/ 14 vjet nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, Berisha: Ditë historike

14:20, 01/04/2023
A+ Aa A-

1 Prilli shënon 14 vjetorin e anëtarësimit te Shqipërisë ne NATO, një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Ish-Kryeministri i kohës dhe lideri aktual i opozitës shqiptare Sali Berisha, thekson ne reagimin e tij për këtë ngjarje se ky anëtarësim u bë i mundur nga reformat e thella të qeverisjes demokratike, funksionimi i shtetit ligjor dhe i ekonomisë së tregut. Berisha veçoi  mbështetjen e ish-Presidentit amerikan Bush dhe të vendeve te tjera te NATO-s të cilat bënë të mundur këtë arritje historike.

Nga SYRI TV

1 Prilli shënon 14-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në aleancën politike dhe ushtarake më të fuqishme të kohërave.  

Ky moment, ndër më të rëndësishmit në historinë e kombit shqiptar, është përkujtuar me një reagim në rrjetet sociale nga ish-Kryeministri i kohës dhe lideri aktual i opozitës shqiptare, Sali Berisha, i cili ka shpërndarë edhe pamjet dhe mesazhet nga kjo ngjarje historike.

Berisha ne reagimin e tij thekson reformat e thella të qeverisë demokratike, mbështetjen e ish-Presidentit amerikan Bush dhe të vendeve të tjera të NATO-s të cilat bënë të mundur këtë arritje historike.

Berisha: “Ky anëtarësim u bë i mundur nga sukseset e reformave të thella dhe gjithanshme, funksionimi i shtetit ligjor dhe i ekonomisë së tregut. Kjo ëndërr u bë realitet për shqiptarët me mbështetjen e fuqishme të presidentit të SHBA, mikut të madh të kombit tonë George Ë. Bush dhe të vendeve anëtare të NATO-s. Sot, NATO e udhëhequr nga SHBA, është mburoja më e fuqishme e paqes dhe lirisë në botë.  Zoti e bekoftë NATO-n dhe vendet e saj anëtare!”

Në 14-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka reaguar edhe Kryetari i Partisë së Lirisë, ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Ai shprehu mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara dhe ish-Presidentin Bush i cili, siç tha Meta, me vizitën e tij të paharruar në Tiranë të vitit 2007, frymëzoi e mbështeti përpjekjet e përbashkëta për realizimin final të qëllimit madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Meta: “E ndërsa sot nderojmë ushtarakët tanë, që bëjnë më të mirën për Forcat tona të Armatosura, nuk mund të harrojmë kushtet e vështira në të cilat ata shërbejnë si dhe korrupsionin qeveritar, i cili ka cenuar edhe disa nga asetet më strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. Partia e Lirisë angazhohet për t'u dhënë mbështetjen e merituar Forcave tona të Armatosura, përmes rritjes të buxhetit për mbrojtjen sipas kërkesave të NATO si dhe dhënies fund njëherë e përgjithmonë të politizimit të institucioneve të sigurisë kombëtare.”

Në këtë përvjetor të 14-të ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Tiranë. Në deklaratë thuhet se Shqipëria, si një anëtare e rëndësishme e NATO-s, ka treguar përkushtimin e saj për të çuar përpara paqen dhe sigurinë dhe ka luajtur një rol jetik në mbështetjen e misioneve dhe operacioneve të drejtuara nga NATO.

“Si një aleat dhe partner krenar, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të fortë me Shqipërinë dhe presim me kënaqësi të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt synimeve tona të përbashkëta për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco