SYRI TV/ Skandali tjetër me inceneratorin e Fierit, bashkitë do të paguajnë 12 euro për ton mbetje

13:17, 01/04/2023
A+ Aa A-

Në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit, bashkitë e qarkut të Fierit rikthejnë pagesat mijëra euroshe për Klodian Zoton. Bashkia e Patosit miratoi një marrëveshje të re me kompaninë e Klodian Zotos, e cila parashikon që duke nisur nga kjo e shtunë depozitimi i mbetjeve në Inceneratorin e Fierit, të bëhet me pagesë. Por kjo bashki, ashtu si dhe bashki të tjera, kanë pasur kontratë afatgjatë të nënshkruar në vitin 2021 me këtë incenerator, e cila parashikonte zero pagesa për pranimin e mbetjeve në incenerator. Ky objekt është ende i papërfunduar dhe i sekuestruar nga SPAK, ndërsa deri më tani në të nuk kryhet djegia e plehrave.

Nga SYRI TV

Duke nisur nga kjo e shtunë, datë 1 prill, bashkitë e qarkut të Fierit, do të nisin të paguajnë 12 euro për ton për dorëzimin e mbetjeve në ineneratorin e papërfunduar dhe të konfiskuar të Fierit.

Syri Televizion ka zbuluar skandalin e radhës të aferës së inceneratorëve, që duket se rëndon pozitat e kryebashkiakëve të bashkive Fier, Patos, Lushnjë, Mallakastër, Divjakë dhe Roskovec.

Konkretisht, në datën 24 mars, vetëm pak ditë më parë, bashkia e Patosit kaloi në Këshillin Bashkiak vendimin për lidhjen e marrëveshjes së re me kompaninë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, ku parashikohet depozitimi i mbetjeve në incinerator kundrejt pagesës.

Sipas deklaratës së bërë nga vetë kryetarja e bashkisë Patos, Rajmonda Balilaj, shoqëria “Integrated Technology  Waste Treatment Fier” u ka dorëzuar një kërkesë vitin e kaluar që duke nisur nga data 1 prill e vitit 2023, depozitimi i mbetjeve në incinerator të bëhet me pagesë.

Bashkia duket e ka pranuar këtë kërkesë pa kundërshtuar, madje po vitin e kaluar ka parashikuar dhe 42 milionë lekë në buxhet për të paguar inceneratorin e Klodian Zotos, që është i sekuestruar nga SPAK dhe ende nuk është funksional.

Po çfarë ka ndodhur në të vërtet?

Më 23 shtator të vitit 2021, bashkia e Patosit lidh kontratë me kompaninë e Klodian Zotos, për të depozituar mbetjet urbane në incinerator. Kontrata u lidh me afat 5-vjeçar dhe parashikonte që bashkia Patos nuk do të paguante asnjë lekë për pranimin e mbetjeve në incinerator, veç kostove të transportit. Por, një vit pas kësaj kontrate, kur bashkia kishte kohë që depozitonte mbetjet në incinerator, ndodhën disa ndryshime.

SPAK sekuestroi në pranverën e vitit 2022 inceneratorin e papërfunduar të Fierit, ndërsa pak kohë më pas, në gusht të vitit 2022 u bllokuan dhe pagesat që buxheti i shtetit i jepte Klodian Zotos për ndërtimin e Inceneratorit. Fill pas këtyre zhvillimeve, kur Klodian Zoto nuk po merrte me para nga buxheti i shtetit, kompania e tij u ka dërguar kërkesë bashkive, për të rishikuar marrëveshjet e mëparshme, duke kërkuar që nga muaji prill i vitit 2023 pranimi i mbetjeve të bëhet me pagesë, dhe konkretisht 12 euro për ton.

Dhe duket, pa asnjë kundërshti dhe nën dyshimin se është shkelur kontrata e parë, bashkia e Patosit ka parashikuar në buxhetin e vitit 2023 fondin e posaçëm për të paguar pranimin e mbetjeve urbane në Inceneratorin e Fierit.

Pra, nga kjo e shtunë, bashkitë e qarkut Fier që depozitojnë mbetjet urbane në inceneratorin e Fierit, do të rinisin pagesat për kompaninë e Klodian Zotos, e cila në fakt nuk e ka përfunduar dhe dorëzuar inceneratorin, pra aty nuk kryhet incenerim mbetjesh. Por këto ndryshime, vijnë në të njëjtën kohë, kur bashkitë e qarkut të Fierit, kanë krijuar “Shoqërinë e Trajtimit të Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier”, e cila do të administrojë inceneratorin e papërfunduar dhe jashtë funksionit të Fierit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco