'I kam duart e pastra', Këlliçi: Nuk kam firmosur asnjë aferë korruptive!

'I kam duart e pastra', Këlliçi: Nuk kam firmosur asnjë aferë korruptive!

23:11, 30/03/2023
A+ Aa A-

Në një intervistë për emisionin “Opinion”, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 Majit, Belind Këlliçi foli për planet e tij për Tiranën.

Teksa akuzoi kryebashkiakun Erion Veliaj për mungesë investimesh në kryeqytet dhe keqmenaxhim të buxhetit të bashkisë, Këlliçi tha se vet është një person që nuk ka firmosur dhe nuk është përfshirë kurrë për një aferë korruptive.

Blendi Fevziu: Me aq sa kemi parë në sondazhe është që në raport me Veliajn nuk keni njohjen që ai ka edhe për arsye të karrierës më të gjatë që ai ka, vjen si ministër. Jeni i vetmi kandidat për kryetar bashkie që vjen pa pasur një post. Po t’i numëroj prej vitit 1996 e në vijim të gjithë sfidantët kanë qenë ish-ministra, ish-zv/kryeministra.

Belind Këlliçi: Ky besoj është një nga avantazhet e mia më të mëdha!

Blendi Fevziu: Është avantazh apo disavantazh sepse është mungesë e eksperiencës administrative?

Belind Këlliçi: Jo është avantazh i jashtëzakonshëm sepse edhe sloganin e fushatës e kam “Tirana në duart tuaja, ndryshimi në duart tuaja”, dhe gjithçka e kam bazuar në konceptin e duarve në sensin që për herë të parë vjen një kandidat që i ka duart e pastra, nuk kam firmosur me duart e mia as edhe një aferë korruptive, as edhe një paligjshmëri dhe gjykoj që kjo për qytetarin që na ndjek është një avantazh i jashtëzakonshëm dhe është në interes të qytetarëve.

Blendi Fevziu: Unë po ju them përderisa ju do keni administrim më të madh, zëre se pas kryeministrit njeriu që administron më shumë është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Çfarë eksperience keni ju për të administruar një qytet prej 1 milion banorësh?

Belind Këlliçi: Është çështje vullneti dhe çështje vizioni. Pikë së pari, arsyeja pse unë nuk mund të jem aq i njohur sa është Veliaj është se nuk jam gjithë ditën në televizor, nuk jam duke bërë shoë, nuk jam në çdo media kombëtare apo jo ku ndërpriten aktivitet të rëndësishme për të dalë kryebashkiaku me përparëse për të shpërndarë një pjatë supë. Nuk jam pjesë e këtij mentaliteti dhe kësaj ideologjie. Jam një njeri që punoj fort, që punoj shumë, jam shumë i dedikuar dhe mbi të gjitha e konsideroj veten edhe për shkak të formimit tim, shkollimit tim në SHBA, e konsideroj veten një menaxher të mirë që punon me ekip.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco