VIDEO-SYRI TV/ Rama nxjerr kryebashkiakët nga SPAK për rikandidim/ Nga Veliaj te Subashi, Sako, Bushi e Ismailaj

14:02, 26/03/2023
A+ Aa A-

Edi Rama rikandidoi për zgjedhjet e 14 majit mbi 40 kryebashkiakë të cilët kanë probleme të theksuara me ligjin. Një pjesë e mirë e tyre kanë shkelur njëherë në SPAK dhe në mos proceduar, janë marrë në pyetje për abuzim me detyrën. Por pavarësisht kësaj, nga kryesocialisti nuk janë parë si problem, dhe të vetmit që nuk kandidonte dot ishin Lefter Alla i Bulqizës dhe Fatos Tushe i Lushnjës, pasi ndodhen tashmë prapa hekurave.

Nga SYRI TV

Zyrtarizimi i emrave të kandidatëve në radhët e Partisë Socialiste për kryebashkiakë, nxori në pah, që shumica prej tyre, kanë shkelur në dyert e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në disa raste edhe janë hetuar apo proceduar por edhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni, mbi rrethana të ndryshme të hetimeve të SPAK me dyshimet për abuzim me detyrën. Janë mbi 40 të tillë, por cilët prej tyre kanë qenë më të lakuarit?!  Armando Subashi që është rikonfirmuar si kandidat, u pyet vitin e kaluar për inceneratorin e Fierit. Pavarësisht rolit në funksionin e kryebashkiakut, në procedurat e tenderit apo territorit ku ndërtohej, ai u la jashtë dosjes shumë emërore të të akuzuarve për aferën.

Gledian Llatja është një tjetër kryebashkiak i lakuar për djegësin e Elbasanit, dosja e të cilit ndodhet në duart e prokurorëve të SPAK, por pavarësisht mungesës së një akuze zyrtare deri tani, pyetja që ngrihet është nëse do të kenë fatin e Alqi Bllakos dhe Lefter Kokës.

Edhe Emirjana Sako e Bashkisë së Durrësit është në kushte të ngjashme, në lidhje me inceneratorët, apo pagesat e paligjshme që i janë kryer Klodian Zotos. Emri i saj qëndron edhe në krye të denoncimeve lidhur rindërtimin, proces të cilin qeveria e ktheu në instrument politik dhe votash, pavarësisht se faktet flasin të kundërtën, me dhjetëra familje që ende nuk kanë marrë banesat e tyre. Një sërë tenderësh me flamur të kuq në këtë Bashki, kanë qenë subjekt i denoncimeve, që për SPAK nuk është parë e udhës të shfletojë ndonjë prej tyre. 

Kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi, më herët subjekt i ligjit të dekriminalizimit, ka në SPAK të paktën 7 kallëzime, për njërin prej tyre po hetohet. Kallëzimet kanë të bëjnë me një mori shkeljesh në ushtrimin e detyrës, që nga tenderët abuzivë e deri te punësimet në shkelje me ligjin. 

Qerim Ismailaj i Mallakastrës rrezikon të bëjë 1 vit burg, aq sa kërkoi SPAK për fshehje, në formularin e vetëdeklarimit, të dënimit me 3 vite burg në Greqi. Ismaili akuzohet se falsifikoi formularin e dekriminalizimit, por për Edi Ramën, askush nuk mund ta ndalojë për sa kohë s’ka dënim të formës së prerë ndaj vendosi ta rikandidojë. 

Gjon Gjonaj që drejton bashkinë e Pukës u denoncua një javë më parë nga emisioni investigativ "Piranjat", në Syri Tv, për abuzim skandaloz me banesat sociale, të cilat i kanë përfituar punonjësit e bashkisë. 

Nuk mbeten jashtë rrjetës së hetimeve për korrupsion edhe kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai për të cilin SPAK ka një dosje të tërë me përgjime, ai i Matit, Agron Malaj, për tenderë klienteliste; Tërmet Peçi, kryetari i bashkisë Tepelenë, për dhënie leje ndërtimi në shkelje me ligjin. Në Devoll, Edi Rama rikandidoi Eduard Duron, i cili së fundmi u kap në flagrancë nga investigimi i "Piranjave" dhe u denoncua publikisht duke zhvatur 100 mln lekë përmes një tenderi fiktiv.

Dhe "qershia mbi tortë" e emrave të rikandiduar nga Edi Rama është Erion Veliaj. I përfshirë në aferën e inceneratorit të Tiranës, por ende SPAK nuk e ka thirrur edhe pse firma e tij ndodhet kudo, në çdo dokument që nga studimi i fizibilitetit, autorizimi, leja e pagesat miliona euro, të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, drejt pronarëve fantazmë të inceneratorëve. Ka firmosur mijëra leje ndërtimi duke shpërfillur ligjin, planin urbanistik të kryeqytetit e trashëgiminë kulturore.

Ndaj Veliajt ka padi në SPAK edhe për shembjen e Teatrit Kombëtar. Për të mos përmendur qindra tendera fiktivë, ose e thënë ndryshe tendera ku ndahen paratë, që firmosen çdo ditë në tryezën e kryebashkiakut aktual. Me sa duket, të vetmit që Edi Rama nuk mundi të kandidojë nga kryebashkiakët që e kanë kthyer SPAK-un në shtëpi të dytë, janë Lefter Alla i Bulqizës dhe Fatos Tushe, për faktin e vetëm se janë prapa hekurave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco