SYRI TV/ Pasaportat e Arta 'dhuratë' për Alabbar, Rama tërhiqet pas presionit të BE

14:45, 17/03/2023
A+ Aa A-

Vendimi i qeverisë për t’u tërhequr nga "Pasaportat e Arta", pas presioneve të Bashkimit Europian, do të sjellë ndikim edhe në  projektin e dyshimtë të portit turistik të Durrësit, kjo sepse qeveria nuk do të ketë më mundësi të joshë blerësit e apartamenteve në portin e Durrësit duke u premtuar marrjen e Pasaportave të Arta siç ishte parashikuar në marrëveshjen Rama- Alabbar. 

Nga SYRI TV

Bashkimi Europian ia preu shpresat Edi Ramës për të aplikuar sistemin e “pasaportave të arta”, një mekanizëm që krijon premisat për blerjen e shtetësisë shqiptare nga persona të huaj me probleme ligjore.

Kryeministri deklaroi një ditë më parë në një konferencë me Përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të Komisionit Europian, Josep Borrel, se qeveria ka vendosur të pezullojë procesin e dhënies së shtetësisë kundrejt pagesës.

Ky vendim prek në mënyrë të drejtpërdrejtë një marrëveshje tjetër të dyshimtë të nënshkruar nga qeveria e Edi Ramës, atë të ndërtimit të Portit të Jahteve në Durrës.

Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet qeverisë dhe kompanisë guackë “Eagle Hill Real Estate” të përfaqësuar nga Mohamed el Alabbar, thuhet se “investitorët e huaj që blejnë drejtpërdrejt nga prona e Investitorit Strategjik në Projekt, do të kenë të drejtë të aplikojnë për shtetësi dhe/ose rezidencën e përhershme të Republikës së Shqipërisë bazuar në blerjen e tyre nga Investitori Strategjik”.

Pra, në mënyrë më të thjeshtuar, kushdo i huaj që blen një pronë në komplekset e pritshme rezidenciale drejtpërdrejtë nga kompania guackë, ka mundësinë të bëhet shtetas shqiptar.

Marrëveshja parashikon gjithashtu se vlera e pasaportës për blerësit e apartamenteve si edhe kriteret e kushtet do të përcaktohen me një vendim të Këshillit të Ministrave.

Por, Komisioni Europian duket se ka vendosur veton për këtë skemë shitjeje pasaportash nga qeveria shqiptare, duke i hequr mundësinë Ramës dhe Alabbarit që të joshin persona të huaj me histori penale të paverifikuar për t’u bërë shqiptarë e më tej për të shfrytëzuar hapësirën Shengen për të lëvizur në territorin e Bashkimit Europian.

Ideja e “Pasaportave të Arta” u hodh në tregun politik shqiptar, menjëherë pasi Edi Rama nisi negociatat me kompaninë guackë për ndërtimin e Marinës së Jahteve në Durrës, duke krijuar bindjen se dy projektet e shumëdebatuar janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin.

Marrëveshja Rama-Alabbar, krahas shumë problematikave të tjera kushtetuese dhe ligjore, synon krijimin e lehtësirave për shtetësinë shqiptare personave të pasur nga vende të treta, të cilët mund të kenë vështirësi të qarkullojnë në territorin europian.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco