Berisha: Monizmi i dytë bazohet te krimi, droga dhe vjedhja! Ne do e përmbysim me revolucion paqësor

Berisha: Monizmi i dytë bazohet te krimi, droga dhe vjedhja! Ne do e përmbysim me revolucion paqësor

12:57, 25/02/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha në Gjirokastër se vendi ndodhet në një monizëm të dytë të plotë. Sipas tij, ky monizëm tani bazohet te krimi dhe droga.

“Së pari, ju falënderoj me shumë mirënjohje dhe përzemërsi për praninë tuaj sot këtu. Me këtë rast, përshëndes të gjithë demokratët e qarkut të Gjirokastrës, ju uroj gëzuar këtë ditë, e cila shënon për qytetarët e këtij qarku dhe rrethi, ditëlindjen e dytë të tyre në liri.

Përshëndes të gjithë kandidatët tanë për kryetarë bashkie në këtë qark, drejtuesit e PD, deputetin, miqtë e mi, drejtues, ish-drejtues, që jemi mbledhur për të kremtuar këtë ditë të shënuar jo vetëm për Gjirokastrën, por edhe për Shqipërinë. Gjirokastra është një qytet simbol për mbarë kombin. Historikisht ka qenë një epiqendër shumë e rëndësishme e kombit. Nuk ka një qytet tjetër që të rrezatojë më shumë qytetari, traditë dhe kulturë sesa qyteti juaj. Nuk ka qytet tjetër ku bashkëjetesa mes njerëzve, me bindje dhe besime të ndryshme, me origjina të ndryshme etnike të jetë se në qytetin e Gjirokastrës.

Ndaj dhe unë duhet të përshëndes gjirokastritët kudo që janë, dua të përulem me nderim para atyre që themeluan degën e PD 32 vjet më parë. Ata ishin burra e gra guximtarë, në fakt qëndruan të pamposhtur edhe në kushte terrori. Edhe breshëri u hodhën drejt tyre, por ata nuk u mposhtën. Ata qëndruan për ato vlera, të cilat revolucioni i viteve ’90, synonte të sillte në Shqipëri.

Ai revolucion përmbysi një rend shoqëror, ndër më tragjikët në historinë e njerëzimit, ndër më çnjerëzor dhe më barbarët në historinë e Shqipërisë. Një rend që në Shqipëri njohu format më të egra. Shqiptarët përjetuan një kasaphanë të luftës së klasave, përjetuan një tirani mjerimi nga hipekolektivizmi total, që i vendosi ata në një uri kronike, përjetuan një tirani izolimi të paparë në historinë e tyre. Si asnjë vend tjetër në historinë e Europës dhe botës, e shkëputur për dekada. Përjetuan tiraninë e indoktrinimit. Kjo më e fuqishme dhe më e shprehur se në ndonjë vend tjetër.

Revolucioni i vitit 1990 solli në arenë, në skenë forcën politike që do mbronte interesin kombëtar, që do i dilte zot çështjes shqiptare. Sot, pas 32 vitesh, Shqipëria është vite drite larg nga ajo periudhë në shumë aspekte. Sot Shqipëria, falë atij revolucioni është anëtare e NATO-s, tani ka hapur negociatat, shqiptarët lëvizin lirshëm në hapësirën e Shengenit.

Por prapë sot, pas 32 vitesh, ne jemi në një monizëm të plotë njëlloj si 32 vite më parë. Nëse monizmi i 32 viteve më parë bazohej në një doktrinë çnjerëzore të marksizëm-leninizmit, sot ky monizëm nuk është i bazuar më këtë doktrinë. Ky monizëm është i bazuar në krimin, i cili në disa aspekte tejkalon çdo lloj standardi, është i bazuar në drogën, që në pamje të parë duket sikur sjell dobira, por paraja e drogës është toksike. Asnjë vend nuk është zhvilluar nga krimi dhe droga.

Le të marrim Tiranën sot. Tirana është vendi me treguesin më të lartë të ndërtimeve në Europë. Normalisht, sipas të gjitha ligjeve të tregut, Tirana duhet të kishte çmimet më të arsyeshme të apartamenteve, por ajo i ka të tretat më të shtrenjtat në Europë. Sepse zoti i tregut nuk është ekonomia që krijuan qytetarët, por narko-eurot. Ky monizëm i dytë ka pasur pasoja katastrofale për vendin. 40 përqind e banorëve të Gjirokastrës janë larguar. Kjo sepse gjirokastritët dhe shqiptarët janë qytetarët më të vjedhur të planetit," tha Berisha.

Kryetari demokrat tha se me revolucion paqësor do përmbyset edhe monizmi i bazuar në krimin, vjedhjen dhe drogën.

"Fuqia e tyre korruptive është dëshmuar më e jashtëzakonshmja që mund të ketë kush. Edi Rama rekruton me korrupsion, kryezbuluesin e SHBA, ua fut në thes dhe e angazhon kundër opozitës. E angazhon me këshiltarin e tij më personal, Dorian Duçkën dhe Agron Nezën. Për t’i vendosur gjoba biznesmenëve, që shkojnë deri në 30 milionë euro, të tjerët thonë deri në 50 milionë euro. Duke u thënë se do u heq nga blacklistimi.

Kjo nuk ndodh në një vend demokratik. Pasojat i paguan çdo shqiptar i ndershëm. Ndaj dhe ky zhvillim dhe kjo situatë e ka jetike revolucionin. Me revolucion ne përmbysëm monizmin që bazohej në doktrinën marksiste, me revolucion do përmbysim monizmin që bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen. Me revolucion paqësor përmbysën monizmin e armatosur gjer në dhëmbë. Me revolucion paqësor do përmbysim monizmin e bazuar në krimin, vjedhjen dhe drogën.

Ne do ta përcjellim në koshin e historisë Edi Ramën dhe suitën e tij. Ndaj dhe ju ftoj, të vazhdojmë këtë betejë. Opozitë do të thotë sakrificë. Asnjëherë, kurrë nuk duhet dekurajohemi. Revolucionet i bën pakica idealiste. Idealet janë arma më e fuqishme e kohërave dhe me te, ne do fitojmë," tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco