DOKUMENTI/ Ja pse Rama dhe Duçka nuk shpëtojnë nga hetimi amerikan

DOKUMENTI/ Ja pse Rama dhe Duçka nuk shpëtojnë nga hetimi amerikan

09:24, 24/02/2023
A+ Aa A-

Komisioni investigues i përhershëm i Kongresit Amerikan kërkon të marrë në pyetje ish-ministrin serb, Vuk Jeremiç, si të lidhur me skandalin e kompanisë së këshilltarit të Edi Ramës, Dorian Duçka. Historia është e njëjtë, një dëshmi kjo se Rama dhe Duçka nuk do i shpëtojnë dot hetimit amerikan

Kongresi amerikan zgjeron hetimet për skandalin e lidhjeve kineze, ku implikohet Hunter Biden, djali i presidentit amerikan, Joe Biden.

SYRI ka siguruar në mënyrë ekskluzive dokumentin që tregon se si Dhoma e Përfaqësuesve po heton për këtë skandal, ku ndërlidhet edhe kryeministri Edi Rama dhe këshilltari i tij sekser, Dorian Duçka.

Komisioni për Mbikëqyrje dhe Përgjegjësi, që është një komision i përhershëm i Kongresit amerikan dhe komiteti kryesor hetues i Dhomës së Përfaqësuesve, i ka dërguar një letër ish-ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, që cilësohet si dëshmitar ky në aferën e Joe Biden me kinezët.

Kjo letër është një tregues i qartë i faktit se Edi Rama dhe Dorian Duçka nuk mund t’i shpëtojnë kurrë hetimit në SHBA.

SYRI sjell për ju edhe arsyet.

E para, në letrën e kongresmenit të fuqishëm republikan, James Comer, kryetar i këtij komisioni, thuhet se Kongresi po heton praktikat dhe lidhjet e biznesit kombëtare dhe ndërkombëtare të presidentit Biden.

Gjatë këtyre hetimeve, në duart e komisionit ka rënë një dokument në lidhje me gjyqin e zhvilluar ndaj Patrick Ho. Ky i fundit ka qenë ish-drejtues i kompanisë kineze CEFC për degën në SHBA.

Pjesa e parë e rëndësishme është se pikërisht kompania kineze CEFC, me të cilën është i lidhur Dorian Duçka dhe indirekt edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, nuk është thjesht një kompani kineze e falimentuar, por një firmë që tani është në pronësi të Partisë Komuniste Kineze. Kjo gjë e bën çdo lidhje të familjes Biden, por edhe të Duçkës dhe Ramës, jo vetëm një lidhje me një kompani kineze, por direkt me Partinë Komuniste të Kinës.

Në vitin 2018, Patrick Ho u dënua me tre vite për korrupsion ndërkombëtar dhe për pastrim parash. Gjatë këtij gjyqi, dëshmoi edhe Vuk Jeremiç, ish-ministri i Jashtëm serb. Jeremiç dëshmoi për lidhjet e tij me Patrick Ho, që ishte drejtuesi i degës amerikane të CEFC, por edhe me presidentin e madh të kompanisë kineze, Ye Jianming. Edhe ky i fundit është arrestuar në Kinë për ryshfet.

“Komisioni po heton nëse presidenti Biden e dinte ose ishte i përfshirë në disa sipërmarrje biznesi të huaja, që përfshinin të njëjtët zyrtarë të CEFC, që morën pjesë në skemat e përshkruara në gjyqin kundër Patrick Ho.

Provat tregojnë se ju keni zhvilluar një marrëdhënie biznesi me Hunter Biden dhe bashkëpunëtorët e tij, dhe keni komunikuar me ta në lidhje me presidentin Ye dhe CEFC.

Gjatë gjyqit kundër Patrick Ho, ju dëshmuat se CEFC ju paguante qindra-mijëra dollarë në vit për të vepruar si ‘konsulent’ dhe nga ana tjetër, ju do të ‘hapnit’ dyert duke prezantuar punonjësit e CEFC me liderë të biznesit dhe politikës në vende të ndryshme.

Në të vërtetë në dhjetor 2015, ju u përpoqët që të prezantonit presidentin Ye dhe CEFC me Hunter Biden dhe bashkëpunëtorët e tij”, thuhet në letrën e Kongresit për Jeremiç.

Këtu del edhe një fakt akoma më i rëndësishëm, që duhet ta shqetësojë shumë kryeministrin Edi Rama dhe sekserin Duçka.

Në letrën e kongresmenit Comer, thuhet se emri i Hunter Biden është redaktuar nga gjyqi i zhvilluar kundër Patrick Ho, për shkak se cilësohej se prezanton një dimension politik.

“Jashtë prezencës së jurisë, prokurori i Departamentit së Drejtësisë i kërkoi gjykatës të redaktonin emrin e individit, të cilin ju ishit të gatshëm ta sillnit në darkën me presidentin Ye, sepse ‘mund të fuste në një dimension politik këtë rast, me të cilin Departamenti i Drejtësisë mendon se nuk ia vlen ta trajtojmë’. Gjykata pranoi kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për të redaktuar emrin e personit”, thuhet në letër.

Kujtojmë se letra që flet për ftesën e Jeremiç për Hunter Biden doli nga laptopi i braktisur i Hunter Biden. Pikërisht në këtë laptop janë gjetur edhe emailet ku flitet për pagesa ndaj sekserit të Edi Ramës, Dorian Duçka.

Në një email të zbuluar në laptopin e braktisur të Hunter Biden, zbulohet një bisedë e Jeremiç me bashkëpunëtorin tjetër të Hunter Biden, Eric Schwerin. Jeremiç i thotë se ka në plan të darkojë në Uashington me presidentin e kompanisë kineze, Ye Jianming. Jeremiç shton se kompania kineze ka në plan të investojë miliarda dollarë jashtë vendit.

“Do të doja të ftoja Hunter Biden në këtë darkë të vogël private. Jam i bindur se shumë projekte interesante mund të dalin në të ardhmen,” shkruan Jeremiç.

Schwerin shprehet i interesuar, edhe pse thotë se Biden nuk do jetë i pranishëm dot pasi është jashtë vendit të dielën.

Në fund, letra mbyllet duke i kërkuar Jeremiç që të dorëzojë të gjithë dokumentet dhe komunikimet që lidhen me Hunter dhe James Biden. Nëse Jeremiç refuzon të dorëzojë dokumentet dhe të japë një intervistë me stafin e komisionit, ai do i nënshtrohet një fletë-thirrje ligjore.

“Vuk Jeremiç është dëshmitari ynë themelor në hetimin tonë për përfshirjen e Joe Biden dhe familjes së tij në skemat e biznesit brenda dhe jashtë vendit,” tha Comer.

Jeremiç nuk ka reaguar akoma zyrtarisht.

ImageImageImageImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco