Berisha: Mesazhi i 20 shkurtit është sot më aktual se kurrë! Rama përbën rrezik ekzistencial për çdo shqiptar

Berisha: Mesazhi i 20 shkurtit është sot më aktual se kurrë! Rama përbën rrezik ekzistencial për çdo shqiptar

12:58, 20/02/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot në një konferencë për shtyp se mesazhi i 20 shkurtit të vitit 1991 është sot më aktual se kurrë.

“Të përmbysjes së diktatorit Enver Hoxha, të cilin, në konventën e Partive të Qendrës së Djathtë në Europë, në deklaratën e tyre në Paris në prill të vitit 1991, do ta quanin Hitleri shqiptar i pasluftës.

Europa kishte njohur shumë diktatorë komunistë dhe jokomunistë, por ai që ngjiste si vëlla siamez me Adolf Hitlerin, ishte Enver Hoxha.

Me qëndrimin e tij ndaj opozitës, mendimit ndryshe, lirisë dhe të drejtave njerëzore, pronës, besimit fetar, interesit kombëtar, ai paraqitet si figura më e zezë, më negative, më e urryer e kombit shqiptar në tërë historinë e tij.

32 vite më parë, kulti i Enver Hoxhës ishte omnipotent dhe omniprezent në këtë vend.

Studentët e universiteteve të Tiranës, në një vendim epik, të organizuar nga PD dhe shoqata e tyre, nisën më 17 shkurt të vitit 1991, grevën e urisë, më masivja që ka njohur ndonjëherë Shqipëria, ndër më masivet në historinë e grevave të vetëflijimit në Europë dhe botë.

Qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë, të thirrur nga PD dhe sindikatat, vërshuan nga të katër anët dhe mbushën si kurrë ndonjëherë, Qytetin Studenti në çdo rrugë e shesh të tij. Nga ky qytet, të ftuar nga artistja e mirënjohur Rajmonda Bulku, nën thirrjet: Te sheshi, te sheshi, masa qindmijëshe, më shumë, u derdh drejt qytetit të Tiranës dhe sheshit Skënderbej.

Përmbysi në ora 2 e 24 minuta, shtatoren e njeriut që kishte zhytur vendin në shtypjen, izolimin, varfërinë më të thellë.

Kjo datë ishte data në të cilën, PD-ja u shndërrua në parti të vërtetë opozitare. Kjo datë, ishte data në të cilën, guximi masiv dominoi mbi frikën dhe terrorin masiv. Kjo datë, ngjarje kulmore e revolucionit të vitit 1991, bëri të mundur triumfin e këtij revolucioni.

Pa 20 shkurt, nuk do të kishte triumf të revolucionit demokratik, nuk do të kishte përmbysje me votë të lirë të sistemit komunist, nuk do kishte votë të lirë.

Mesazhi i 20 shkurtit është sot më aktual se kurrë.

Pas 32 vitesh, Edi Rama, nipi i xhelatit që 32 vite më parë kërkonte të fuste tanket te studentët, i Spiro Kolekës pra, i biri i një xhelati tjetër që firmoste varjen në litar të poetit Havzi Nela, në një akt hakmarrje tipike të etërve, kërkon të asgjësojë opozitën shqiptare.

Ky pasardhës i denjë i bllokmenëve hoxhistë, është sot, pa diskutim njeriu që ka vjedhur shqiptarët më shumë se kushdo në historinë e tyre. Me politikat që ka ndjekur ka tejkaluar platformën e Çubrilloviçit për shuarjen e kombit shqiptar. Edi Rama përbën rrezik madhor ekzistencial për çdo shqiptar.

Edi Rama është fatkeqësi kombëtare, por edhe ndërkombëtare, me aktet që ka kryer, me korruptimin e shefit të kundërinteligjencës së partnerit tonë kryesore, SHBA, me qëllim rrënimin e opozitës shqiptare,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco