Si ndikon Soros në media me qëllim eliminimin e kritikave kundër tij

Si ndikon Soros në media me qëllim eliminimin e kritikave kundër tij

19:55, 24/01/2023
A+ Aa A-

Nga Matt Palumbo- New York Post

Një raport i ri nga Media Research Center ka ekspozuar lidhjet midis miliarderit liberal George Soros dhe 54 figurave të njohura nga media. Siç dokumentohet nga autorët e tij, Joseph Vazquez dhe Dan Schneider, mes tyre janë reporterë, drejtues programesh, analistë, redaktorë, ekzekutivë lajmesh dhe gazetarë.

Midis figurave mediatike me profilet më të larta që zbulohet se kanë lidhje me Sorosin, shpesh përmes pjesëmarrjes në bordet e organizatave që ai financon, janë:

Christiane Amanpour e CNN është anëtare e bordit të Qendrës për Integritet Publik, një grup jofitimprurës gazetarie investigative i financuar nga Soros, të cilin kritikët e akuzojnë se kryesisht vë në shënjestër donatorë Republikanë.

Lester Holt i NBC, Sally Buzbee e Washington Post, Redaktorja Ekzekutive e Associate Press, Julie Pace, dhe kryeredaktorja e Reuters, Alessandra Galloni, janë të gjithë në bordin e Anëtarëve të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organizatë e financuar nga Soros që synon mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve.

Margaret Brennan e CBS dhe Fareed Zakaria i CNN shërbejnë në bordin e Këshillit mbi Marrëdhëniet me Jashtë, një think tank me ndikim të madh, i specializuar në politikën e jashtme amerikane, i financuar nga Soros.

Presidenti i NBC, Cesar Conde, është në bordin e Aspen Institute, një think tank i financuar nga Soros. Vitet e fundit nisën një komision që anonte nga e majta për të luftuar të ashtuquajturin dizinformacion dhe që u implikua në Twitter Files në bllokimin e historisë së laptopit të Hunter Biden në New York Post.

Presidenti dhe administratori i NPR, John Lansing, merr fonde direkt nga Soros për publikimin e tij.

Kryeredaktorja e PolitiFact Angie Dronbic Holan shërben në bordin e International Fact-Checking Network, i financuar nga Soros, i cili ushtroi hapur presion mbi Facebook për të censuruar atë që konsideronin si informacion i rremë (dmth gjithçka që shkon kundër historisë liberale) dhe shërben si organ i lartë për duzina organizata fact-checking nën ombrellën e tij.

Dhe është gjë e dukshme në mbulimin e lajmeve. Soros financon jo vetëm për të përhapur propagandën e tij radikale të majtë, por edhe për t’u mbrojtur nga kritikat.

Vazquez dhe Schneider shkruajnë midis shembujve të tjerë: Gjatë një segmenti në PBS më 2018, Amanpour kishte të ftuar ministrin e punëve dhe tregtisë së jashtme të Hungarisë, Péter Szijjártó, dhe e shfrytëzoi rastin për të akuzuar shefin e tij, kryeministrin Viktor Orban, si antisemit për shkak të shkatërrimit të ndikimit të Sorosit në vendin e tij.

Siç kam shkruar në librin tim ‘Njeriu pas perdes’, akuzat e rreme për antisemitizëm kundër Sorosit përbëjnë vijën më të zakonshme të sulmit në median e financuar prej tij.

Gjatë seancës së Brett Kavanaugh më 2018, ThinkProgress i financuar nga Soros i quajti raportet se Soros paguante njerëz të protestonin kundër Donald Trump një ‘teori konspirative antisemite’, dhe akuzoi vetë Trumpin për përfshirje në aksion antisemit.

Ndërkohë, Soros shpenzonte 5 milion dollarë në përpjekje për të penguar nominimin e Brett Kavanaugh në Gjykatën e Lartë dhe avokatja e akuzueses së tij Christine Blasey Ford, Debra Katz, ishte nënkryetare e Projektit për Mbikëqyrjen e Qeverisë, i cili është financuar drejtpërdrejt nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të Sorosit.

NPR ka marrë rreth 2 milion dollarë nga Soros në të kaluarën për të punësuar deri në 100 reporterë të rinj. Kur transmetuesi në gjuhën spanjolle Radio y Televisión Martí transmetoi një segment 15-minutësh mbi ndikimin e Sorosit, duke paralajmëruar se ai i ka ‘sytë në Amerikën Latine’, NPR e quajti ‘antisemitizëm të financuar nga taksapaguesit kundër George Sorosit’ (duke iu referuar faktit që Radio y Televisión Martí financohet nga qeveria federale e SHBA). Ata nxitën Agjencinë Amerikane për Media Globale që të niste një hetim ndaj tyre.

Ky lloj mendimi ‘çdo kritikë ndaj Sorosit është antisemitizëm’ është përhapur edhe në publikime të tjera të majta, të tilla si Associated Press, Washington Post, New York Times, e kudo gjetkë. Kaq e pamend është kjo lloj akuze saqë Moment Magazine akuzoi kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, si antisemit, sepse guxoi të kritikonte Sorosin.

Soros mori superxhiro me në financimin e perandorisë së tij mediatike në epokën Trump, dhe kërkime të tjera nga MRC zbuluan se në periudhën 2016-2020 Soros shpenzoi të paktën 131 milion dollarë për të ndikuar në të paktën 253 grupe gazetarie dhe aktiviste mediatike për të promovuar pikëpamjet e majta ekstreme, si aborti, ekonomia, policia, ambientalizmi, ideologjia LGBT dhe antiamerikanizmi. Ato kanë si strategji të përbashkët cilësimin e akuzave kundër Sorosit si ‘teori konspirative’ nga njerëz me motive të liga (njësoj siç bëjnë me reagimin e Republikanëve karshi dështimeve apo akteve të Demokratëve, duke i quajtur si ‘skifterë republikanë’, sikur janë ata që e kanë gabim). Publikimet që punësojnë gazetarë që shërbejnë edhe në bordet e financuara nga Soros përfshijnë NY Times, LA Times, Baltimore Sun, CNN, Atlanta Journal-Constitution, ABC News, Sacramento Bee dhe shumë të tjera.

Të tjerë thjesht minimizojnë çdo keqbërje të supozuar ose do të pranojnë versionin e Sorosit pa e vënë në diskutim. Një shembull i tillë ishte më 2021 kur organizata jofitimprurëse e gazetarisë me prirje të majtë ProPublica (e cila merr thuajse 2% të financimeve të saj nga Soros) publikoi një raport që përdori 15 vjet rekorde konfidenciale të IRS për të llogaritur normën efektive të taksave që miliarderët paguajnë për pasuritë e tyre (e cila ishte e ulët sepse fitimet kapitale të parealizuara nuk tatohen). Midis miliarderëve të përmendur ishte Soros, i cili nuk pagoi asnjë cent të tatimit mbi të ardhurat për tre vjet radhazi nga 2016 në 2018. Ndërsa miliarderët e tjerë të listuar në raportin e tyre kritikohen gjerësisht, Soros merr vetëm një përmendje të shkurtër dhe një përgënjeshtrim të menjëhershëm në formën e një citimi nga një përfaqësues se ‘midis 2016 dhe 2018 George Soros humbi pará nga investimet e tij, prandaj ai nuk detyrohej të paguante taksa federale mbi të ardhurat për ato vite’.

Një verifikim i shpejtë zbulon se Menaxhimi i Fondit Soros fitoi 5% në 2016, 8.9% në 2017 dhe 0.8% në 2018, që do të thotë se ProPublica paraqiti një gënjeshtër nga Soros pa e verifikuar atë. Një fajtor më i mundshëm për mungesën e barrës tatimore të Sorosit (të paktën në 2017 dhe 2018) është transferimi i i 18 miliardë dollarëve nga pasuria e tij në Fondacionin për Shoqëri të Hapur. Kjo lëvizje garantoi që ato fonde do të fshihen përgjithmonë nga IRS në atë që një komentues e quajti si ‘shmangia më e madhe e taksave në historinë e SHBA’.

Dhurimi i lejon Sorosit edhe të zbresë deri në 20% të vlerës së tij të tregut nga taksat e tij personale (3.6 miliard dollarë), të cilat ai mund t'i mbartë për pesë vjet, duke i dhënë efektivisht një shlyerje të dyfishtë (duke mos paguar taksa mbi të ardhurat e ardhshme ndërsa shmangte taksat mbi fitimet kapitale mbi aksionet e dhuruara).

Natyrisht, në përgjigje të çdo shqetësimi se si financimi nga Soros mund të ndikojë në raportimin e lajmeve nga ana e tyre, ProPublica e ka hedhur poshtë cilësimin ‘financuar nga Soros’ si një ‘epitet i mjegullt antisemit që synon të nënkuptojë paragjykime të krahut të majtë’.

Marrë nga New York Post-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco