Berisha: Alternativa e PD do jetë 'zero tolerancë' ndaj krimit të organizuar

Berisha: Alternativa e PD do jetë 'zero tolerancë' ndaj krimit të organizuar

12:49, 16/01/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi sot se Shqipëria është në pushtetin e mafies qeveritare.

Ai tha në denoncimin e tij se Enver Sheshi është vrarë nga mafia e djegësave në vend.

“Afera e djegësve është afera më flagrante, e cila dëshmon se Edi Rama dhe ministrat e tij, funksionuan tërësisht si një organizatë kriminale. Kreu i organizatës firmosi kontratën me një kompani në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, me vendimin e Entit Kombëtar të Prokurimeve Publike, e cila i shkruante Këshillit të Ministrave se metoda e aplikuar për këtë kontratë, nuk ekziston në ligjet e vendit. Agjencia e Prokurimeve e bëri dy herë me radhë, por Edi Rama, duke e patur ndërmarrje të vetën, pavarësisht këtij vendimi, firmosi një kontratë kryekëput në interes të vetin dhe klanit të aferës së djegësve.

Po kaq i implikuar në këtë aferë është Engjëll Agaçi, është Arben Ahmetaj, pa firmën e të cilit, ose pa bashkëfirmën e të cilit me Edi Ramën, asnjë qindarkë nuk mund të merrej nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave për të paguar kompaninë e tyre të djegësve.

I zhytur gjer në vesh është Erion Veliaj, i cili zgjodhi që me djegësin e Tiranës, të shndërrojë fushën e Sharrës në një minierë floriri për veten dhe Edi Ramën. Zgjodhi që përmes këtij pasurimi të çmendur duke vjedhur mbi 100 e sa milionë euro për djegësin e Tiranës, të firmoste vendime që këshilli nuk i kishte marrë ndonjëherë, të firmoste në emër të qarkut, për vendime që nuk i kishte marrë ndonjëherë. Prej 6 vitesh, Veliaj vjedh qytetarët e Tiranës me një tarifë prej 28 eurosh për ton/mbetje, ndërkohë që vetë kontrata përcakton se kjo tarifë do merret vetëm për djegien, ndërkohë që ajo e kompostimit dhe depozitimit do jetë 11 euro,” tha Berisha.

Në fund të fjalës së tij, Berisha u zotua se alternativa e PD do jetë ‘zero tolerancë’ ndaj krimit të organizuar.

“Jam këtu, për të denoncuar edhe njëherë në emër të PD, mafien shtetërore dhe shtetin e mafies si një kërcënim madhor për shqiptarët, Ballkanin dhe Europën. Edi Rama e ka shndërruar Shqipërinë në eksportues kryesor të krimit në Europë, të pasigurisë në Europë. Dhe pastaj, vërsulen kur të tjerët denoncojnë krimin shqiptar, i cili në fakt ka fytyrën e qeverisë shqiptare.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe dhe shpall publikisht se zero tolerancë ndaj krimit të organizuar do jetë alternativa e PD-së dhe e opozitës,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco