‘Largimi i të rinjve, dramatike’/ PL: Korrupsioni i Ramës po shpopullon vendin! 14 maji, dita e ndryshimit

‘Largimi i të rinjve, dramatike’/ PL: Korrupsioni i Ramës po shpopullon vendin! 14 maji, dita e ndryshimit

12:44, 16/01/2023
A+ Aa A-

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka ka reaguar në lidhje me largimin masiv të të rinjve Shqiptarë.

Në një deklaratë për mediat, Caka u shpreh se largimi i të rinjve është një nga momentet më dramatike që po vuan familja shqiptare dhe vendi në tërësi.

Sipas Cakës, korrupsioni shkatërrimtar i qeverisë së Edi Ramës asgjëson çdo mundësi për zhvillim të biznesit dhe rritje të punësimit, por bën pikërisht të kundërtën, duke krijuar shpopullim dhe varfëri.

Duke vendosur theksin te zgjedhjet lokale, Caka tha se ‘14 maji është dita e votës për ndryshimin kundër shpopullimit dhe varfërimit’.

Deklarata e plotë e Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka

Largimi i të rinjve është një nga momentet më dramatike që po vuan familja shqiptare dhe vendi në tërësi.

Faktori përcaktues që po i largon të rinjtë dhe po u humbet shpresën atyre është faktori ekonomik. Shifrat flasin vetë dhe ato janë vërtet tronditëse.

Sipas të dhënave të Eurostat, të rinjtë shqiptarë të grupmoshës 16-24 vjeç kanë të ardhurat e disponueshme më të ulëta në Europë.

Këto të ardhura janë katër herë më të ulëta sesa të ardhurat mesatare të disponueshme për të rinjtë në Bashkimin Europian.

Situata është po kaq e rëndë edhe duke e krahasuar me vendet fqinje në Ballkan, ku nëse Shqipëria i ka të ardhurat mediane 4,226 PPS (fuqia blerëse për banor), Maqedonia e Veriut i ka  5,421 PPS ose 28% më të larta, Mali i Zi i ka 6,050 ose 43% më të larta, Serbia i ka 6,410 ose 52% më të larta, Rumania i ka7,720 ose 83% më të larta e Bullgaria i ka 8,612 PPS ose 200% më të larta.

Faktor tjetër tepër i rëndë është fragmentimi dhe ndarja e familjes shqiptare, pasi për shkak të varfërisë, mjaft prindër dhe kryefamiljarë janë detyruar të largohen nga vendi, duke lënë fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri, me të ardhura minimale të mbijetesës.

Korrupsioni shkatërrimtar i qeverisë së Edi Ramës asgjëson çdo mundësi për zhvillim të biznesit dhe rritje të punësimit, por bën pikërisht të kundërtën, duke krijuar shpopullim dhe varfëri.

Këto fakte, të të ardhurave kaq të ulëta, të të ardhurave të disponueshme për të rinjtë shqiptarë, që janë më të ulëtat në Europë, janë akuza më e rëndë që mund t’i bëhet Edi Ramës, si përgjegjësi kryesor i greminës ekonomike ku e ka rrokullisur vendin.

Shqipëria është një vend me mundësi shumë të mëdha për t’u zhvilluar nga ana ekonomike, por kjo qeverisje e kriminalizuar ka bërë që resurset e vendit të vidhen e grabiten nga qeveria, duke varfëruar në mënyrë katastrofike vendin.

Sot më shumë se kurrë, çdo i ri shqiptar, por edhe çdo prind, kupton dhe ka shumë të qartë se e ka në dorën e tij mundësinë për ndryshim.

Kjo mundësi e paçmuar është vota e çdo shqiptari kundër hajdutëve dhe grabitqarëve të Rilindjes, me Edi Ramën në krye.

14 maji është dita kur shqiptarët me votën e tyre, do të  ndalojnë shpopullimin, largimin e mijëra të rinjve dhe do të mundësojnë jetesën në mënyrë dinjitoze në Shqipërinë e tyre dhe jo si refugjatë anembanë globit. Pra, 14 maji është dita e votës për ndryshimin kundër shpopullimit dhe varfërimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco