Berisha: Enver Sheshi u vra nga mafia e djegësve pasi vendosi që të rrëfehej

Berisha: Enver Sheshi u vra nga mafia e djegësve pasi vendosi që të rrëfehej

12:30, 16/01/2023
A+ Aa A-

Kryedemokrati Sali Berisha e nisi javën duke denoncuar sërish faktin se Enver Sheshi është vrarë nga mafia e djegësve.

“Zhvillimet e ditëve të fundit faktojnë përfundimisht se ky është shteti i mafies, qeveria është mafia e shtetit. Jam këtu për të denoncuar edhe njëherë, errësirën me të cilën qeveria përpiqet të mbulojë vdekjen e të ndjerit Enver Sheshi, arrestuar për aferën e inceneratorëve.

Menjëherë pas komunikatës zyrtare, e cila ngjallte më shumë dyshime se sqarime, një breshëri mesazhesh nga qytetarët vërshuan, të cilët shprehnin dyshime dhe bindje se i ndjeri Enver Sheshi është viktimë e mafies qeveritare të djegësave. Këto të dhëna, këto informata shtonin se Enver Sheshi, i arrestuar për një skemë të devijimit të parave të djegësve, kishte vendosur të fliste. Dhe pas kësaj, xhelati mafioz i kësaj afere të tmerrshme, e cila ka për kokë direkt, Edi Ramën, gjeti mënyrën sipas këtyre burimeve, ta çojë në botën tjetër, dëshmitarin e rrezikshëm.

Afera e djegësve është afera më flagrante, e cila dëshmon se Edi Rama dhe ministrat e tij, funksionuan tërësisht si një organizatë kriminale. Kreu i organizatës firmosi kontratën me një kompani në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, me vendimin e Entit Kombëtar të Prokurimeve Publike, e cila i shkruante Këshillit të Ministrave se metoda e aplikuar për këtë kontratë, nuk ekziston në ligjet e vendit. Agjencia e Prokurimeve e bëri dy herë me radhë, por Edi Rama, duke e patur ndërmarrje të vetën, pavarësisht këtij vendimi, firmosi një kontratë kryekëput në interes të vetin dhe klanit të aferës së djegësve.

Po kaq i implikuar në këtë aferë është Engjëll Agaçi, është Arben Ahmetaj, pa firmën e të cilit, ose pa bashkëfirmën e të cilit me Edi Ramën, asnjë qindarkë nuk mund të merrej nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave për të paguar kompaninë e tyre të djegësave.

I zhytur gjer në vesh është Erion Veliaj, i cili zgjodhi që me djegësin e Tiranës, të shndërrojë fushën e Sharrës në një minierë floriri për veten dhe Edi Ramën. Zgjodhi që përmes këtij pasurimi të çmendur duke vjedhur mbi 100 e sa milionë euro për djegësin e Tiranës, të firmoste vendime që këshilli nuk i kishte marrë ndonjëherë, të firmoste në emër të qarkut, për vendime që nuk i kishte marrë ndonjëherë. Prej 6 vitesh, Veliaj vjedh qytetarët e Tiranës me një tarifë prej 28 eurosh për ton/mbetje, ndërkohë që vetë kontrata përcakton se kjo tarifë do merret vetëm për djegien, ndërkohë që ajo e kompostimit dhe depozitimit do jetë 11 euro,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco