VIDEO-SYRI TV/ Nga korrupsioni te droga, zyrtarët e prangosur të Ramës

10:56, 16/01/2023
A+ Aa A-

Miliona euro tenderë e koncesione nën hetim, ministra e deputetë të arrestuar, proceduar apo dënuar, abuzime me fondet publike, përfshirje në korrupsion, deri në akuza për mbështetje të grupeve kriminale. Deputetë, ministra, drejtorë kabinetesh e zyrtarë me reputacion u përballën dhe po përballën me Drejtësinë ndërkohë që shpesh edhe vetë Drejtësia është kritikuar për kohëzgjatje hetimesh, rënie akuzash me kohën, vendime larg pritshmërive. Materiali i zgjeruar në vijim ju njeh me rastet me të bujshme, kur drejtësia foli, por edhe heshti, përgjatë 12 muajve të fundit

SYRI TV

Nga tenderët miliona euro në kurriz të qytetarëve, afera korruptive, trafikimi i drogës apo mbështetja e grupeve kriminale, janë disa nga veprat penale që zyrtarë të lartë të shtetit janë përfshirë, hetuar, gjykuar apo dënuar.

Viti 2022 nuk ka kursyer përballjen me drejtësinë edhe të zyrtarëve të lartë, përfshirë kryebashkiakë, deputetë apo ish-ministra.

Por edhe pse Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u ngrit pikërisht për këtë çështje, ndëshkimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit në nivele të larta, edhe në rastet e pakta kur ka pasur vendime konkrete, ka ngjallur polemika.

SAIMIR TAHIRI - MINISTRI KAMPION DHE "MËKATI HABILAJ”

I tillë ishte dënimi i Saimir Tahirit, më 4 shkurt të 2022, kur Apeli i Posaçëm la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që duhej të dënohej me tri vjet e katër muaj burg për shpërdorim detyre. Ndaj Tahirit ishin ngritur një lum akuzash, por zyrtarisht muaj pas muaji e javë pas jave nisën të binin, duke përfunduar në minimumin final për shpërdorim detyrë, duke rënë ato për grup kriminal e trafik droge. Prokuroria kishte kërkuar 12 vite burg; zbriste në 8 për shkak të gjykimit të shkurtuar, por gjykata i rrëzoi këto akuza, duke vlerësuar se nuk kishte prova që të mbështesnin këto akuza, por se ato ishin të mjaftueshme për ta dënuar zotin Tahiri për shpërdorim detyre.

Emri i Tahirit u përmend në mediat italiane në 2017 për lidhjet e tij me grupin Habilaj. Krahu i djathtë i kreut të qeverisë nuk i pranoi kurrë akuzat, por pranoi prangat që iu vendosën në sallën e gjyqit, duke cituar atë ditë se “foli drejtësia”. Ai ka bërë vazhdimisht kërkesa që i janë rrëzuar pas kësaj dite, duke pretenduar se i rrezikohet jeta në qeli për shkak të funksionit që ka pasur apo familjarëve të tij.

Bashkë me ish-Ministrin e Brendshëm u dënua edhe ish-Drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, me tri vjet e katër muaj burg, por që u lirua me kusht pasi e kreu një pjesë të dënimit. Sokol Bode dhe Gjergj Kohila, të dy me funksione në Policinë e Shtetit,  janë në pritje të dhënies së vendimit përfundimtar nga ana e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Nuk ishin vetëm hetimet italiane që e lakuan emrin e Saimir Tahirit në trafikun e drogës. Në 2018 do të përmendej sërish në përgjimet e dosjes “Shpirti”, ku  thuhet se dy ish-shoqëruesit e Tahirit, Agustin Deda dhe Hekuran Marku  në vitet 2015-2016 ishin të përfshirë në trafik droge. Marku u dënua në Shkallë të Parë me tetë vjet e tetë muaj burg, ndërsa Agustin Deda ndodhet jashtë vendit e asgjë nuk dihet ç’po ndodh me procedurat e ekstradimit.

DOSJA “INCENERATORËT":  KOKA, BLLAKO DHE ... AHMETAJ

Dosja e radhës është po aq e bujshme. Bëhet fjalë për dhjetëra të pandehur ndaj të cilëve SPAK ka ngritur akuzat, mes të cilëve Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja - pronarë e administratorë të inceneratorëve në Fier e Elbasan, të tre në kërkim.

Por në nivel zyrtarësh spikasin ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish- numri dy i këtij dikasteri, Alqi Bllako. Miliona euro të shqiptarëve përfunduan në duart e një grushti biznesmenësh e zyrtarësh, e për më tepër për vepra që nuk funksionuan kurrë.

Koka e Bllako ndiejnë prangat në duar teksa disa herë i janë drejtuar gjykatës për masë me të lehtë, heqje të sekuestrove ndaj pasurive apo ndryshim të vendimeve, por nuk ia kanë arritur dot, përjashtuar një rast ndaj Alqi Bllakos. Ky i fundit pasi qëndroi disa kohë në qeli, u lirua nga Shkalla e Parë për të qëndruar 34 ditë në arrest shtëpie, por u rikthye sërish me vendim të Apelit.  Alqi Bllako në kohën kur ndjeu ftohjen e kyçeve nga prangat, sapo kishte dorëzuar mandatin e deputetit në radhët e socialistëve, me kërkesë të SPAK.

Çështja në ngarkim të të pandehurve për djegësin e Elbasanit dhe të Fierit pritet të zgjasë ndërsa ndodhet në fazën paraprake ku do të vendoset dhe fati i tyre.

Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të vendosë nëse Koka e Bllako që ndodhen edhe në të njëjtën qeli në Durrës, do të marrin pafajësi, do të kthehen për rihetim ose dosja do të kalojë për gjykim për të vijuar betejën me drejtësinë. Akuza ndaj tyre është ngritur për “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”.

Ata nuk janë të vetmit të pandehur për këto dy dosje. Strumbullarët e aferës, Stela Gugallja, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri ndodhen në kërkim, ndërsa në pranga kanë përfunduar dhjetëra persona, mes tyre anëtarë të Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, pronarë kompanish fiktive ku pastroheshin miliona lekë etj.

Pavarësisht se u mor në pyetje dhe ishte një nga zyrtarët që kanë hedhur edhe firma në procedurat e ngritjes së inceneratorit të Fierit, kryebashkiaku i këtij qyteti, Armando Subashi ia hodhi paq. Prokuroria nuk dha sqarime rreth rolit të tij, çfarë nxori nga hetimet dhe pse u përjashtua nga lista shumemërore me pronarë kompanish fiktive apo përfaqësues të rangut të ulët nëpër institucione që u morën të pandehur.

Një nga emrat më të komentuar në këto dosje ishte ai i Arben Ahmetajt, që ka mbajtur funksionin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes kur janë kryer procedurat. Denoncimet dhe kallëzimet pranë Prokurorisë Speciale për përfshirjen e ish-numrit dy në qeverinë Rama në aferën e inceneratorëve, përmes udhëtimeve të luksit dhe shpenzimeve me paratë e Klodian Zotos, detyroi SPAK-un të pranonte se për sa i përket këtij personazhi, hetimet vijojnë.

Veprimet u konfirmuan pas mbylljes së hetimeve për inceneratorin e Elbasanit dhe dërgimit të kërkesës për gjykim pranë GJKKO-së. SPAK thotë se sa i përket ministrisë së drejtuar në atë kohë nga Arben Ahmetaj apo zyrtarëve të tjerë nën hetimi, e ka ndarë çështjen penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake pasi ende nuk kanë përfunduar.

ARBEN AHMETAJ, INCENERATORËT DHE ‘SHEFJA KLOSI’

Përmendja e emrit të Arben Ahmetajt nëpër korridoret e Prokurorisë Speciale nuk mbaron me kaq. Për të kaluar tek një tjetër personazh që lidhet pikërisht me ish-më të besuarin e Kryeministrit, prej disa kohësh i zhveshur nga çdo pushtet, përveç mandatit të deputetit. Në gojën e Kryeministrit Rama, indirekt u quajtën “llum, dardha e mollë pas shpinës” së tij.

Ajo mban emrin Alda Klosi, ish-shefe kabineti e Arben Ahmetajt kur mbante funksionin e Zv.kryeministrit. Disa javë më parë, Alda Klosit iu vodh banesa nga punonjësja me kohë të pjesshme e saj. Rozeta Dobi pastronte njëherë në javë çdo të hënë banesën e zyrtares së qeverisë, ndërsa të mërkurën e 15 dhjetorit, i shkeli rregullat. 

Alda Klosi pranoi në dëshminë e dytë në hetuesi se 120 mijë euro dhe disa sende me vlerë ishin vjedhur në banesën e saj, ndërkohë që në apartamentin e autorëve të krimit u gjetën 4-fish më shumë. Rreth 500 mijë euro, përfshirë sende me vlerë mbeten pa pronar,  pavarësisht se Rozeta Dobi ka deklaruar se paratë i vodhi në banesën e Klosit.  Në fillim të këtij viti 49 vjeçarja ra në pranga bashkë me të birin Havier Dobi, i cili sipas të dhënave hetimore, rezultoi se nuk u fut në banesë por u kujdes për paratë, një pjesë të të cilave i shpenzoi udhëtime nëpër Shqipëri, blerje makinash e celularësh të kushtueshëm, apo pagesa gjobash ndaj shkeljeve rrugore me makinë.

Investigimet treguan se Klosi ishte pronare apo bashkëpronare e 5 apartamenteve, 3 në Tiranë e 2 në Shëngjin dhe e 2 sipërfaqeve tokë. Prokuroria nisi hetimet ndaj saj për të sqaruar burimin e të ardhurave, ndërsa vetë zyrtarja pretendoi se ishin paratë e xhaxhait të saj që luftonte me një sëmundje të rëndë në Amerikë.

“NGUJIMI” I BEQAJT NË SPAK, HETIMI PA KRYE

Në SPAK pothuajse çdo ditë ka zyrtar që japin deklarime, iu komunikohen veprime hetimore, dhe në disa raste edhe akuza, por ka nga ato që pavarësisht viteve, ata që kanë pasur përgjegjësi ligjore, janë treguar edhe më të rezistueshëm nga sa pritej. Ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhjetorin e kaluar u mor në pyetje për 9 orë para prokurorëve të SPAK, Eneid Nakuçi dhe Edvin Kondili, si dhe dy hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pas daljes së stërgjatë nga SPAK, Beqaj këmbëngul tek zbatimi i ligjit nga ana e tij gjatë tenderit për sterilizimin e seteve mjekësore

Beqaj ka sqaruar rolin e tij në ndjekjen e procedurave për partneritetin-publik-privat të sterilizimit. Në lidhje me konfliktin e interesit dhe njohjen ndaj biznesmenit përfitues të kontratës Ilir Rrapajt dhe Beqajt, ai ka mohuar të ketë njohje dhe lidhje me të. Ish-ministri ka mohuar gjithashtu të ketë marrë përfitime direkt apo indirekt nga kjo kontratë, e cila është vlerësuar sipas SPAK t’i ketë sjellë shtetit shqiptar një humbje prej 100 milion eurosh.

Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur verifikimet dhe përballjet e deklarimeve të personave të përfshirë në këtë hetim ku janë 18 shtetas të marrë në pyetje. Mes tyre dhe ish-Zv.ministri Klodian Rrjepaj i cili është pyetur disa herë. Ilir Beqaj ka qenë nga personat e fundit të marrë në pyetje nga SPAK ndërsa mbetët në dorën e kësaj strukture të vendosë nëse do të kërkojë masë sigurie për personat nën hetim apo pushim të çështjes. Kujtojmë se koncensionet në shëndetësi janë konsideruar si shpërdorim i parave publike dhe vepra korruptive.

Gjatë kohës që Beqaj drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë, firmosi privatizimin e Sterilizimit, Hemodializën dhe Kontrollin e Detyrueshëm Shëndetësor (Check-Up). Që të tre këto koncesione janë kontestuar në publik për shkak se janë fituar në mënyra të parregullta dhe misterioze. Padia u bë për një kontratë koncesionare që Ministria e Shëndetësisë lidhi në kohën kur në krye ishte Beqaj, me një kompani që ofron shërbimin e sterilizimit për instrumentet kirurgjikale. Kallëzimi për këtë çështje u bë vetëm 4 ditë pas nisjes së funksionimit të SPAK.

ROVENA VODA DËNOHET NË 2 SHKALLË 

Po në radhët e anëtarëve të kabineteve qeveritare një tjetër vendim u dha më 7 prill të vitit që shkoi. Rovena Voda, ish- Zv.ministre e Brendshme u dënua me 10 muaj burg për korrupsion. Ajo e shleu dënimin në arrest shtëpie teksa procesi gjyqësor ndaj saj vijonte. Voda kërkoi pafajësi në Apelin e Posaçëm teksa kjo e fundit më 11 janar të këtij viti, la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Voda u arrestua në vitin 2020 me akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”. Ish-zyrtarja pretendoi në Apel pafajësinë teksa SPAK, e akuzon se në kohën kur ka qenë Zëvendësministre e Brendshme, ka marrë para dhe dhurata për të ndikuar që të fitonte një pozicion pune në administratë. Voda kishte premtuar se do të ndërhynte për Florida Beun, por kjo e fundit edhe pse i dha njëmijë euro, një celular dhe një arkë me peshk nuk arriti të fitonte vendin e punës.

QERIM ISMAILAJ, KRYEBASHKIAKU QË FSHEHU DËNIMIN

Dyerve të Prokurorisë dhe Gjykatave nuk u shpëtuan as kryebashkiakët. I tillë është rasti i kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, për të cilin Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e Prokurorisë për të marrë të pandehur. Njëherësh kjo gjykatë pranoi kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar, ndërsa akuzohet për falsifikim të formularëve. Pak kohë më parë, GJKKO rrëzoi kërkesën e SPAK për ta kaluar dosjen për gjykim ndaj kryebashkiakut dhe e riktheu për plotësim, pasi në të mungonin aktet e komunikimit të akuzës në shtetin grek. Partnerët e vendit fqinj kanë dërguar letërporosinë me procedimin penal e dënimin e Ismailajt me 3 vite burg për dy vepra penale, vepër të cilën e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit. Kryebashkiaku socialist i denoncuar nga Partia Demokratike, rezulton me probleme me Ligjin e Dekriminalizimit. Ai u dënua në vitin 2000 me vendim të formës së prerë nga një gjykatë greke, me 3 vite burg për rrahjen e një personi. GJKKO nuk po e ndan dot mendjen se kur do ta shpallë vendimin ndaj tij, pasi prej kohësh janë dhënë konkluzionet dhe pritet vetëm vendimi mbi dënimin ose jo të tij.

FATOS TUSHE, KRYEBASHKIAKU I DËNUAR PËR TENDERA

Në korrik të vitit 2022, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi me dy vjet e katër muaj burg, ish-kryebashkiakun e Lushnjës Fatos Tushe, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Prokuroria e Posaçme fillimisht kërkoi dënimin me pesë vjet burg për Tushen. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi ulje me 1/3 e dënimit, ndërsa do ta kryejë në një burg të zakonshëm. Ish-kryebashkiakut i hiqet gjithashtu e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vitet e ardhshme. Po ashtu, edhe ish-Nënkryetari është dënuar me 1.8 vite heqje lirie. Bashkë me të u arrestuan edhe 12 persona të tjerë mes të cilëve edhe ish-Zëvendësi i tij Gentian Nushi. Tushe ra në pranga më 6 korrik të vitit 2021 bashkë me ish-vartësit e tij lidhur me një tender me vlerë rreth 24 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Nga hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë së Posaçme të nisura në 2020-ën rezulton Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste.

Përgjatë një viti hetimesh, SPAK pretendon se ish-kryebashkiaku i Lushnjës, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve, tenderin prej 23 milionë lekësh. Sipas SPAK  ndonëse fituese u shpall “Euro Alb”, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si “miku” i ish kryebashkiakut. Një tjetër episod  kundër ish-kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”

ZONJAT E AKSHI, TRAFIKANTE DHE MASHTRUESE

Një nga çështjet që ka prekur dhe cenuar interesat dhe privatësinë e qytetarëve ka qenë natyrisht sulmi kibernetik ndaj faqeve qeveritare por jo vetëm. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e njohur si AKSHI, dështoi në ruajtjen e të dhënave sensitive të qytetarëve, pavarësisht fondeve, investimeve dhe trajnimeve miliona euroshe që nuk vlejtën asgjë. Për këtë çështje, disa specialist u vendosën në pranga, për t’u liruar pa kaluar disa muaj, ndërsa AKSHI vetë nuk mbajti asnjë përgjegjësi. Kur nuk kishin kaluar shumë kohë, dy funksionare të kësaj agjencie u përfshinë në skandale, njëra ndërhynte si seksere e tjetra trafikonte drogë.

Truprojat e ruajtjes së privatësisë dhe sigurisë nga sulmet kibernetike ranë në pranga. Vjola Sterjo është një ish-zyrtare e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit që u arrestua për mashtrimet me dhjetëra-mijëra euro ndaj qytetarëve në Korçë e Pogradec. Sterjo dilte garant se me njohjet e saj në AZHBR, do tërhiqte miliona euro biznesmenët që donin të investonin në agro-turizëm. Ajo arriti të përfitonte prej tyre qindramijëra euro, duke nisur nga 57 mijë euro, deri në totalin që kapin  qindra. Investitorët ngrenë dyshimet se ishin mashtruar dhe e kallëzojnë, teksa Sterjos i vihen prangat. 

Në harkun e pak ditëve në vijim të një operacioni për goditjen e trafikimit të drogës nëpër itinerarin Shqipëri-Maqedoni e Veriut-Greqi, ra në rrjetë Erisa Fero. 58 kg kanabis sativa e gatshme për shitje është kapur në afërsi të Qaf Thanës nga Policia e Korçës, teksa në makinë ndodhej edhe specialistja kompjuterike pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Erisa Fero.

 28-vjeçarja u tha policëve se është zyrtare e lartë e shtetit, por nuk kishte hap pas, blutë kishin informacione të konfirmuara se specialistja e AKSHI që iu vunë prangat, ishte edhe specialiste e trafikut të drogës, bashkë me një 17-vjeçar të identifikuar si M.K si dhe shtetasin Likmend Basha, djalë i një biznesmeni nga Kruja. Ka dyshime që kjo të mos jetë hera e parë që Fero ka kryer veprime të tilla, ndërsa droga ishte nisur nga Tirana dhe mendohet se origjina e saj ishte Kruja. Dy të tjerë u shpallën në kërkim, që mendohet se do të përcillnin më tej ngarkesën me drogë. Dy efektivë të qarkullimit rrugor janë nën hetim me dyshimet se mund të jenë të përfshirë.

Por kush është specialistja e lartë 28-vjeçare e AKSHI-t, me ngjitje të shpejtë në karrierë e që propagandon jetën e shtrenjtë, simpatinë dhe përkrahjen e pakursyer për kreun e qeverisë apo netët e gjata nëpër diskotekat e Tiranës? Sikurse thotë në një post, se kishte shkuar nga diskoteka në zyrën e punës. Më 22 dhjetor të vitit 2021, Erisa Fero anëtare e një KZAZ-je në Tiranë nën siglën e Partisë Socialiste, është kallëzuar së bashku me 21 komisionerë për manipulim votash në favor të subjektit që përfaqësonte.  KQZ referoi në atë kohë rastin në Prokurorinë e Tiranës duke i akuzuar si të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021, si dhe për heqjen apo shtimin e votave për kandidatët e partive të ndryshme.

ISH-DREJTORI I TVSH U DËNUA ME 16 MUAJ BURG

Qershorin e shkuar, GJKKO dënoi një tjetër ish-zyrtar të nivelitt ë lartë, ish-drejtorin e Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Gëllçi përfiton nga gjykimi i shkurtuar, duke iu ulur kështu dënimi në 1 vit e 4 muaj. Ndërkohë, për tre të akuzuarit e tjerë, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Julian Tapia, Ervin Muraj dhe Alban Malaveci, GJKKO vendosi dënimin me nga një vit burg. Si dënim plotësues, Gjykata i hoqi Gëllçit të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Ish-drejtori dhe tre punonjësit e tjerë u arrestuan nga SPAK, pasi dyshohet se kishin kryer shkelje ligjore në një proçedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në procedurën e prokurimit “Procedurë e hapur” me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”.

Përpara dyerve të drejtësisë përfunduan edhe zyrtarë të vetë drejtësisë, ata që japin vlerësime mbi kriteret profesionale dhe pasurore të gjyqëtarëve dhe prokurorëve përfunduan vetë nën akuzë. I tillë ishte rasti i Luan Dacit të përjashtuar nga sistemi dhe të dënuar me vendim gjykate. Të pandehur u morën edhe Etleda Çiftja e Ardian Hajdari, teksa për këtë të fundit, vijon procesi gjyqësor. Nuk munguan as prokuror e gjyqtarë në pranga apo të dënuar si Enkelejda Hoxha, Zamira Vyshka etj.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco