Ristani: Celibashi të njohë dorëheqjen e Bashës. Rama nuk do që PD të hyjë në zgjedhje!

18:16, 12/01/2023
A+ Aa A-

Ish-kryetari i KQZ, Arben Ristani i bën thirrje Ilirjan Celibashit që të pranojë dorëheqjen e Lulzim Bashës nga kryetar i PD. 

Në Gjykatën e Tiranës, Basha figuron ende kryetar i PD, edhe pse është dorëhequr nga ky funksion që nga 21 marsi i vitit të kaluar dhe në krye të PD u zgjodh me votën e anëtarëve Sali Berisha. 

Anëtari i Kryesisë së PD, Arben Ristani u shpreh se Celibashi si administrator zgjedhor duhet t'i japë zgjidhje përfaqësimit të PD. 

Ai sqaron se komandimi i Alibeajt është në shkelje me statutin pasi një vendim i tillë nuk është marrë nga Këshilli Kombëtar i PD.

Sorollatja e vendimit për statutin e PD, tha Ristani, është kakofoni që i shërben Edi Ramës, ndërsa shtoi se kryeministri nuk do që PD të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit. 

"Sorollatet gjyqi në mënyrë që të pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje e PD, në mënyrë që qeveria të fitojë zgjedhjet në tavolinë. Kjo është e gjithë përpjekja që bëhet ku ushtarët e vegjël, Alibeaj etj, bëjnë detyrën e tyre duke shtyrë gjyqet, një maskaradë e tërë për të sorollatur procesin pafund.  

Kemi një situatë të tillë që Basha ka dhënë dorëheqjen në mënyrë publike. Ai nuk është më kryetar i PD. Nga ana tjetër, kjo dorëheqje e tij për shkak të këtyre situatave, për shkak të situatave që gjykata nuk e merr ne shqyrtim çështjen e Kuvendit të datës 11, vazhdon të figurojë ai si kryetar i PD. Ka një njohje nga kryeministri të një kryetari gjoja të komanduar që është Alibeaj. Sipas statutit të PD, që të komandohet dikush në pozicionin e kryetarit, duhet që këtë komandim ta bëjë Këshilli Kombëtar i PD dhe ky akt duhet të regjistruar në Gjykatën e Tiranës. Nuk ka një akt komandimi dhe nuk ka një regjistrim. E gjithë tymnaja dhe retorika që krijohet gjoja duke emëruar një kryetar të komanduar, është bosh dhe pa një shtrat ligjor. E gjitha bëhet për të krijuar këtë kakofoni që i shërben Edi Ramës. 

Duhet që Celibashi sot të pranojë dokumentet e firmosura nga një kryetar që është publikisht i dorëhequr. Nga ana tjetër ka një vendim të Gjykatës së Tiranës e cila ka pranuar të regjistrojë në regjistrin e partive politike, ndryshimet që janë bërë në Kuvendin e datës 11 dhjetor. Drejtësia nuk po funksionon. Ka kaluar mbi 1 vit që nuk e shqyrton çështjen, nuk do apo nuk e lënë ta shqyrtojë, por nga ana tjetër kemi një ngjarje publike siç është dorëheqja. Zoti Celibashi si administrator zgjedhor, ka për të detyrë jo vetëm të administrojë zgjedhjet, por është pjesë e qenësishme e zbatimit të Kushtetujtës për t'u krijuar shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Çfarë mund të bëjë Celibashi?

Jemi në periudhë zgjedhore që nga momenti kur presidenti ka shpallur dekretin. Duke mosfunksionuar shteti ligjor do të çojë tek mospasja e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Hyn gjykata për të penguar partitë politike për të marrë pjesë në zgjedhje. Administratori zgjedhor ka fjalën, ndikimin e tij në publik. E shoh si detyrë të tij t'i drejtohet publikut, gjykatës dhe qeverisë, të gjithë aktorëve. E ka detyrë shoqërore dhe ligjore. Ai duhet ta sensibilizojë shoqërinë. S'mund të rrijë indeferent të thotë pranoj dokumentin që më sjell gjykata, ndërkohë që e di që kemi të bëjmë me një kryetar të dorëhequr. Po prishet sistemi demokratik. E kuptoni ç'po ndodh? Ndërhyn gjykata me porosi të kryeministrit që të mos e shqyrtojë. Ka kaluar viti, për një çështje që zgjidhet në Gjykatë për 5 minuta", tha Ristani. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco